Anda di halaman 1dari 11

Arritja e Profetit a.

s ne Medine
Amër HALID

Përmbledhje e ndodhive gjatë etapës së Mekes.


Kjo etapë është trembëdhjetë vite dhe fillon me shpalljen e Kuranit deri në emigrimin e Profetit
(a.s). Kjo etapë mund të quhet ndryshe dhe me emrin:”Historia e sfidës, këmbënguljes dhe
qëndrueshmërisë për të përçuar mesazhin.” Ose mund ta quajmë ndryshe dhe:”Qëndrueshmëria e
të vërtetës përballë interesave vetjake të njerëzve (kurejshëve).”
Ndodhitë e kësaj etape, të përmbledhura:
Viti i parë i kësaj etape, është fillimi i shpalljes hyjnore. Profeti (a.s) në këtë kohë ishte dyzet
vjeç. Në tre vitet e parë, Profeti (a.s) u përqendrua në përzgjedhjen dhe formimin e një brezi
muslimanësh të suksesshëm dhe të moralshëm, me qëllim që të jenë në gjendje të mbajnë dhe
përcjellin mesazhin hyjnor në tokë.
Kjo etapë vazhdoi për tre vite me rradhë. Në fund të vitit të tretë, Profeti (a.s) u urdhërua që të
fillojë thirrjen hapurazi, për të gjithë njerëzit. Nga viti i tretë deri në vitin e gjashtë, keqtrajtimet,
torturat dhe vrasjet u shtuan mbi muslimanët e Mekes. Në këtë kohë Profeti (a.s) hap shkollën e
tij të parë në shtëpinë e Erkam ibnul Erkam, ku i edukonte muslimanët ideologjikisht,
shpirtërisht, moralisht, politikisht etj…
Nga kjo, dolën muslimanë të dalluar në të gjitha fushat e jetës. Në këtë kohë kur torturat dhe
keqtrajtimet ishin në kulmin e tyre, pranon Islamin Hamzai dhe Umer ibnul Hattabi, duke i dhënë
një shtytje të fortë përhapjes së Islamit.
Kurejshët duke parë që keqtrajtimet dhe dhuna nuk dhanë rezultat, filluan të ndjekin politikën e
kompromiseve dhe joshjeve me pasuri dhe poste.
Këto përpjekje të tyre dështuan pasi Profeti (a.s) i refuzoi të gjitha, edhe kompromiset edhe
joshjet. Nga viti i gjashtë deri në vitin e nëntë kurejshët vendosën sanksione ndaj Profetit (a.s)
dhe fisit të tij dhe bojkotuan shit-blerjen me ta. Thirrja Islame, u godit rëndë në këtë kohë, pasi
gjatë kesaj kohe asnjë i ri nuk pranon Islamin. Nga viti dhjetë deri në vitin njëmbëdhjetë kemi
një sërë ngjarjesh të rëndësishme, ku me heqjen e sanksioneve, menjëherë vdiq xhaxhai i Profetit
(a.s). Ebu Talibi dhe gruaja e tij e dashur Hadixheja. Gjatë kësaj kohe Profeti (a.s) kuptoi që në
Meke nuk mund të ishte i sigurtë më. Për këtë u nis për në Taif ku do kërkonte ndihmë nga fisi
Thekif, të cilët nuk pranuan ta ndihmojnë. Pas Taifit i ndodhi udhëtimi në Isra dhe Miraxh.
Gjithashtu në këtë etapë , Profeti (a.s) u takua gjatë sezonit të Haxhit me 26 fise të ndryshme, të
cilave u kërkonte gjithashtu mbrojtje dhe garanci në përhapjen e mesazhit hyjnor.
Në vitin njëmbëdhjetë banorët e Medines, që ishin në Haxh pranojnë Islamin.
Në vitin dymbëdhjetë arrihet ajo që u quajt “besa e madhe e Akabe-së” sipas së cilës Profeti (a.s)
do të emigronte në Medine, ku do të ishte ai udhëheqësi i tyre në çështjet fetare dhe jofetare.
Kështu Medineja do të kthehej në qendrën e Islamit për atë kohë.
Viti i trembëdhjetë është viti në të cilin Profeti Muhamed (a.s) emigroi për në Medine.
Mësimet e nxjerra nga etapa e Mekes dhe vendosja e tyre në aktualitetin tonë.
1 – Profeti (a.s) besoi në një mesazh madhështor, i cili përqendrohet në reformimin e gjithë tokës.
Në këtë mesazh e ndoqën dhe shokët e tij, e pranuan atë, u mbushi zemrat dhe jetuan për
realizimin e tij. Tani le ta lidhim këtë me realitetin tonë, pasi qëllimi kryesor i studimit të
historisë së Profetit (a.s), është që të përfitojmë prej saj për të ndryshuar gjendjen tonë. Prandaj
pyesim:”Ideja e zhvillimit dhe reformimit të vendeve tona, a i mbush zemrën dhe mendjen e
miliona muslimanëve në mbarë botën?
2 – Durimi dhe qëndrueshmëria, këmbëngulja dhe sakrifica, frika dhe vdekja, janë gjëra që e
shoqërojnë gjithmonë mbajtësin e mesazhit. Sumejje dhe Bilali janë argumentët më të mirë për
këtë.
Po ta lidhim këtë me aktualitetin tonë, e pyesim atë që pretendon të ecë në gjurmët e të dashurit
Muhamed (a.s): A je i gatshëm të sakrifikosh gjithçka për zhvillimin dhe reformimin e vendit
tënd?
3 – Arsimimi dhe trajnimi, janë themeltare për përgatitjen e një brezi që kërkon reformimin dhe
zhvillimin. Shembull për këtë është shtëpia e Erkam ibnul Erkam.
Nëse e lidhim me aktualitetin themi: Është detyrë e domosdoshme arsimimi dhe trajnimi i të
rinjve që do arrijnë zhvillimin e vendit.
4 – Planifikimi i zgjuar, elastik dhe nismëtar i Profetit (a.s). Shpallja hyjnore që i vinte nga
Xhibrili, i jepte vetëm rrugën që duhet të ndiqte dhe nuk i jepte planet e gatshme. Mrekullitë që i
ndodhnin ishin për ti dhënë zemër dhe forcë për të përballuar sfidat, por ato nuk ndryshonin
gjendjen, e cila për ndryshim kërkon planifikim, përpjekje dhe durim.
Po ta lidhim me aktualitetin themi: Është për të menduar mirë mbi mënyrën se si mund të
zhvillohet vendi, duke qenë të sigurtë që Zoti do të na përkrahë dhe na japë forcë. Kjo duke pasur
parasysh që ne e kemi metodën që na nevojitet, Kuranin famëlartë.
5 – Profeti (a.s) bashkëjetonte me jomuslimanët në një shoqëri. Ai dhe muslimanët e tjerë ishin të
integruar në shoqëri dhe kishin kotributin e tyre.
Nëse e lidhim me aktualitetin tonë themi: Nuk do të ketë zhvillim dhe stabilizitet, përderisa nuk
ka bashkëjetesë me gjithë shoqëritë, nga lindja në perëndim.
6 – Vetëpërmbajtja është nga moralet tona, sido që të jenë padrejtësitë. Deri tani, ne nuk kemi
parë asnjë sulm apo thyerje të idhujve që rrethonin Qaben. Nuk kemi parë sulme apo vrasje të
kurejshëve, si Ebu Xhehli. Asnjë nga muslimanët nuk mendoi që të djegë kuvendin ku kurejshët
merrnin vendimet. Prandaj ne duhet ta ruajmë dhe mbrojmë shoqërinë nëse duam të ecim në
rrugën e profetëve.
Nëse e lidhim me aktualitetin tonë themi: Jo dhunës në shoqërinë ku jetojm.
7 – Roli i gruas është shumë i rëndësishëm në Islam, madje në shumë raste roli i saj është më i
madh se i burrave. Njeriu i parë që besoi në mesazhin e Profetit (a.s) ishte një grua (Hadixheja),
shkak për Islamin e Hamzait dhe Umerit ishte po një grua. Gjithashtu i vetmi që e dinte
vendstrehimin e Profetit (a.s) dhe të Ebu Bekrit gjatë emigrimit ishte po një grua. Nuk do të ketë
zhvillim dhe përparim përderisa nuk hiqen padrejtësitë mbi gruan, padrejtësi që për të ardhur keq,
në shumë vende bëhen në emër të Islamit.
Nëse do e lidhim me aktualitetin themi: Duhet të rritet roli i gruas dhe ti jepen gjithë të drejtat që
ia garanton asaj Islami.
8 – Përvoja dhe eksperienca Profetike nuk shpëtoi nga gabimet. Ne pamë që sekreti i
vendndodhjes së Profetit (a.s) në shpellën Theur u morr vesh nga kurejshët. Edhe Profeti (a.s) e
shijoi dështimin, kur dështoi në bindjen e 26 fiseve për ti ofruar ndihmën e tyre.
Po ta lidhim me aktualitetin tonë themi: Mos të kërkojmë të jemi të përsosur dhe të pagabueshëm.
Rruga e zhvillimit dhe përparimit duhet të ketë gabime nga të cilat mësojmë. Dështimet janë
fillimi i suksesit dhe janë ata që na japin forcë për një fillim të ri.
9 – Shpresa është e dukshme në jetën dhe historinë e Profetit (a.s). Errësira dominoi për 13 vite
në Meke, por që pas saj lindi dielli i shpresës. Gjatë jetës së Profetit (a.s) vërejmë që ai u strehua
në dy shpella. Janë dy shpella të ngushta dhe të vështira për të vajtur, por që prej tyre erdhi
suksesi dhe lindi shpresa: Shpella e Hirasë nga e cila erdhi shpallja hyjnore dhe shpella Theur,
nga e cila lindi atdheu i Islamit dhe më pas triumfi i mesazhit.
Nëse e lidhim me aktualitetin tonë themi: Jo dekurajimit, pasi sado të ngushtohet hapësira,
ndihma do të vijë. Pas vështirësive vjen gjithmonë lehtësimi.
10 – Mbështetja në Zotin. “Ç’mendon për dy veta, që kanë të tretë Zotin?”
Po ta lidhim me aktualitetin themi: Zakonisht njerëzit që planifikojnë mirë, nuk i mbështeten
Zotit, kurse muslimanët sot i mbështeten Zotit pa planifikuar. Të dyja janë në kundërshtim me
traditën Profetike, i cili bashkonte mes të dyjave (planifikim + mbështetje në Zot). Zhvillimi dhe
përparimi do vijë me të dyja, prandaj le ta kemi parasysh slloganin: “Zhvillimi me besim.”
11 – Gjatë gjithë etapës në Meke, Profetin (a.s) e shoqëronin katër morale themelore: Të folurit
drejt, besueshmëria (emaneti), përkryerja dhe mbajtja e besës, me ata që i kishin bërë mirë.
Nëse e lidhim me aktualitetin tonë themi: Ç’do i ri që dëshiron zhvillimin dhe përparimin e
vendit, duhet që të ndjekë dhe t’i bëjë të tijat moralet e Profetit Muhamed (a.s) duke ecur në
gjurmët e tij.
12 – Etapa e jetës së Profetit (a.s) në Meke, përmban një parim të rëndësishëm i cili thotë: Sekreti
i refuzimit të mesazhit me të cilin erdhi Profeti (a.s) ishte se ai paraqiste rrezik për pasuritë, postet
dhe interesat e tyre vetjake.
Nëse e lidhim me aktualitetin tonë themi: Kurrë mos e braktis të vërtetën për shkak të interesave
të tua vetjake. Pasojat e diçkaje të tillë, mund ti shohim në fundin e Ebu Lehebit, i cili e dinte të
vërtetën dhe zgjodhi interesat e tij.
Me emigrimin e Profetit (a.s) dhe të Ebu Bekrit, Meka nuk u boshtatis nga muslimanët. Atje
mbetën akoma muslimanë të cilët për arsye të ndryshme nuk emigruan. Gjithashtu në Meke
kishte dhe jomuslimanë të cilët kishin qenë përkrahës të Profetit (a.s) deri në atë kohë, si Abbasi
dhe fisi Benu Hashim.
Me emigrimin e Profetit (a.s) në Medine dhe formimin e shteti Islam atje, përplasja ushtarake do
të bëhej e pashmangshme me mekasit. Kështu filluan luftrat mes dy vendeve.
Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është:”Cili ishte qëndrimi i muslimanëve që ishin në Meke
ndaj këtyre luftrave? Sigurisht që ata ishin në anën e Profetit (a.s) dhe të muslimanëve të
Medines.
Pyetja tjetër është:”A i përdori Profeti (a.s) muslimanët që ishin në Meke dhe përkrahësit e tij, për
të shkaktuar trazira brenda Mekes? Këtë pyetje e bëjmë pasi shohim sot, që shtetet të cilët kanë
përkrahës në një shtet tjetër,u kërkojnë pakicave dhe minoriteteve të tyre, që të shkaktojnë trazira
dhe probleme brenda atij shteti.
Kurse Profeti (a.s) kurrë nuk ua kërkoi këtë gjë muslimanëve të Mekes. Kjo pasi Profeti (a.s)
kishte një parim shumë të rëndësishëm, “Respektimin e vlerave të shoqërisë ku jetonte ai ose
muslimanët.” Duke qenë se muslimanët jetonin në një shoqëri si ajo e Mekes, Profeti (a.s) nuk
mund ti përdorte për të shaktuar trazira në vend, megjithëse mekasit ishin armiqtë e tij.
Çdo shoqëri është e ndërtuar në bazë të ligjeve dhe vlerave të saj. Për këtë të gjithë banorët janë
të detyruar ti respektojnë këto ligje dhe vlera, përderisa jetojnë në atë shoqëri. Kjo, edhe pse
mund të ketë ligje dhe vlera të cilat janë kundër besimit dhe vlerave që përfaqëson.
Atë që sot e trumpetojnë mendimtarët e kohëve moderne, Profeti (a.s) e ka zbatuar dhe respektuar
që para 1.400 vitesh. Me këtë që themi, duam tu dërgojmë mesazh muslimanëve që jetojnë në
perëndim dhe tu themi: Është e papranueshme të shkaktosh trazira dhe probleme në shoqëritë
perëndimore ku jeton, me arsyetimin se ato shoqëri kanë shkaktuar probleme në vendin tënd. Kjo
për shkak se ti ke pranuar të jetosh në atë shoqëri dhe duhet ti respektosh ligjet dhe vlerat e saj.
Është e papranueshme që të përdorësh viza fallco për të vajtur atje. Nëse e bën këtë nuk ke ecur
në gjurmët e të dashurit Muhamed. Është e papranueshme që atje të hiqesh si i papunë dhe të
përfitosh nga përkrahja sociale që garanton shteti. Nëse ke pranuar të jetosh atje, duhet që ti
respektosh vlerat dhe ligjet e tyre. Nuk përmendet asgjëkundi që ndonjë nga muslimanët në Meke
shkaktoi trazira dhe probleme. Madje në betejën e Bedrit, kurejshët u kërkuan dhe atyre që e
përkrahin Profetin (a.s) (si Abasi) të marrin pjesë me ta në luftë kundër Profetit (a.s) dhe
muslimanëve të Medines dhe ata morrën pjesë në luftë. Për këtë Profeti (a.s) para betejës së
Bedrit u tha muslimanëve:”Kush përballet me Abasin në luftë, mos ta vrasë pasi ka dalë me
detyrim.” Me këtë Profeti (a.s) respektonte të qënit e tij banor i atij vendi dhe e merrte në
konsideratë pjesëmarrjen e tyre në luftë të detyruar. Të njëjtën gjë Profeti (a.s) e praktikoi dhe në
shoqërinë e re të Medines. Atje banonin dhe çifutë të cilëve u garantoi të drejtat e tyre dhe të
jetonin të respektuar, ashtu siç kishin detyra ndaj shoqërisë. Nga kjo pikë kuptohet më qartë
shkaku për të cilin Profeti (a.s) hyri në luftë më pas me çifutët. Shkaku është pasi ata i shkelën
ligjet dhe vlerat e shoqërisë ku jetonin. Nuk ishte as hakmarrje dhe as urrejtje, por thjesht se ata
nuk i respektuan ligjet dhe vlerat e shoqërisë. Çifutëve nuk u cënua asnjë e drejtë nga të drejtat e
tyre, ishin të lirë në fenë dhe zakonet e tyre. Muslimanët megjithëse keqtrajtoheshin nga mekasit,
i respektuan vlerat dhe ligjet e shoqërisë ku jetonin. Kurse çifutët, siç do e shohim kur të flasim
mbi këtë pikë, nuk respektuan ligjet dhe vlerat e shoqërisë. Lufta ndaj tyre nuk erdhi si rezultat i
urrejtjes dhe racizmit, por vetëm për shkakun e lartpërmendur.

Arritja e Profetit (a.s) në Medine.

Udhëtimi i Profetit (a.s) për në Medine përfundoi me arritjen në një vend që quhet Kuba dhe që
ndodhet afërsisht 10 km nga Medineja. Kur Profeti (a.s) arriti në Kuba, banorët e saj e pritësh
ngrohtësisht. Për ti respektuar për këtë, Profeti (a.s) qëndroi me ta katër ditë.
Gjithashtu qëndroi dhe me qëllim që banorët e Medines të dëgjonin që kishte arritur dhe të
përgatiteshin. Udhëtimi i Profetit (a.s) për në Medine kishte zgjatur 14 ditë, tre ditë në shpellën
Theur dhe njëmbëdhjetë ditë udhëtim. Nga Meka doli ditën e hënë dhe po të hënën arriti në
Medine. Me arritjen në Kuba, për Profetin (a.s) ishte hera e parë që ndjehej i qetë dhe i sigurtë
për jetën e tij. Gjëja e parë që ndërmorri Profeti (a.s) me arritjen në Kuba, është ndërtimi i
xhamisë së parë në historinë e Islamit, xhaminë që morri emrin “Xhamia e Kuba-së.”
Megjithëse ishte i lodhur nga udhëtimi i gjatë, Profeti (a.s) morri pjesë dhe vetë në ndërtimin e
xhamisë Kuba. Jo vetëm që dha kontributin e tij në ndërtimin e xhamisë, por Profeti (a.s) çdo
javë shkonte dhe vizitonte xhaminë e Kubasë ku falte dy rekate brenda saj. Udhëtonte në këmbë
nga xhamia e tij për në Kuba. Për këtë ai vetë thotë:”Kush pastrohet (merr abdes) në shtëpinë e
tij, vjen në xhamin Kuba dhe fal dy rekate namaz, do ketë shpërblimin e një umreje (vizitë e
Qabes).” Thotë Zoti në Kuran për këtë xhami:”Një xhami që është ndërtuar me devotshmëri, e
meriton të falesh në të më shumë. Në të ka burra që duan të jenë të pastër dhe Zoti i do të
pastërit.” Teksa Profeti (a.s) qëndronte në Kuba, vjen dikush nga Meka, që kishte ecur në këmbë
për pesëqind km. Ai ishte Ali ibnu Ebi Talib. Pasi ua ktheu të gjithëve emanetet që i kishin lënë
tek Profeti (a.s) dhe nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me Profetin (a.s), ishte nisur në këmbë
për në Medine. Këpucët i ishin shqyer dhe këmbët i ishin enjtur nga udhëtimi, por nuk ndaloi
derisa u takua me Profetin (a.s) dhe u qetësua që ishte mirë. Aliu arriti në Kuba ditën e premte,
ditë kur Profeti (a.s) do të nisej për në Medine. Kur e pa Profeti (a.s) që i ishin enjtur këmbët iu
dhimbs shumë. Ai ishte i pari dhe i vetmi që i kishe zgjatur dorën në mbledhjen me fisin Benu
Hashim, për ta përkrahur dhe mbrojtur, megjithëse ishte vetëm dhjetë vjeç asokohe. Zubejr ibnu
Avam kishte blerë rroba të reja për Profetin (a.s) nga Medineja dhe kishte vajtur në Kuba, me
qëllim që kur Profeti (a.s) të arrijë në Medine të ketë veshur rroba të reja dhe jo ato të udhëtimit.
Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri u gëzuan me këtë, i veshën rrobat e reja dhe u nisën për në Medine.
Banorët në Medine që prej pesë ditësh prisnin me padurim mbërritjen e Profetit (a.s). Çdo ditë në
mëngjes dilnin dhe prisnin derisa ti përvëlonte dielli i drekës dhe ktheheshin në shtëpi.
Ditën e premte, ditë në të cilën Profeti (a.s) u nis nga Kuba për në Medine, ata dolën përsëri ta
presin, por kur filloi vapa e madhe, filluan të kthehen në shtëpi. Në këtë kohë Profeti (a.s) i
afrohet Medines dhe ai që e vuri re i pari ishte një djalosh çifut, që ishte ngjitur majë një palme.
Me të parë katër burra (Profetin (a.s), Ebu Bekrin, Aliun dhe Zubejrin) që po vinin drejt Medines,
thirri me zë të lartë nga palma:”O arabë, fati i juaj që po prisnit, po vjen drejt Medines!”
Me të dëgjuar këto fjalë, e gjithë Medineja ushtoi nga thirrjet dhe gëzimi i banorëve. Këtë e
tregon Enes ibnu Malik, që në atë kohë ishte vetëm dhjetë vjeç. Ai tregon:”Ushtoi e gjithë
Medineja dhe zëri i tekbirit (Allahu ekber) dhe tehlilit (La ilahe il-lallah) dëgjohej nga çdo
drejtim. Shihja dyert e shtëpive që hapeshin dhe burra, gra dhe fëmijë dilnin të takohen me
Profetin. Lotët e tyre përziheshin me gëzimin dhe thërrisnin: “Po vjen i dërguari i Zotit.” Ajo
ishte dita më madhështore në historinë e Medines. Ditën e hënë që hyri i dërguari i Zotit në
Medine, u ndriçua gjithçka, kurse të hënën që vdiq, u errësua gjithçka”.”
Nëse Profeti (a.s) nuk do të kishte vajtur në Medine, ajo nuk do të kujtohej dhe nuk do të
vizitohej sot nga miliona besimtarë.
Hyri Profeti (a.s) në Medine dhe të gjithë njerëzit vraponin drejt tij. Meqënëse shumica e tyre nuk
e njihnin, disa prej tyre vajtën dhe kapën devenë e Ebu Bekrit, pasi menduan se ai është Profeti.
Ebu Bekri pa thënë asnjë fjalë, hoqi mantelin e tij dhe filloi ti bëjë fresk Profetit (a.s). Atëherë të
gjithë u drejtuan nga Profeti (a.s). Vendi ku njerëzit u takuan me Profetin (a.s) në Medine quhet
“Thenijetul Veda.”
Në ato çaste, poetët filluan të thurrin vargje për ardhjen e Profetit (a.s), vargjet filluan ti përsërisin
të gjithë në ato çaste, vargje që akoma sot në ditët tona përsëriten dhe këndohen dhe që sot njihet
pothuajse nga të gjithë:

Lindi hëna katërmbëdhjetëshe


si ndriçon qyteti jonë
duhet të jemi mirënjohës
për feprurësin e Zotit tonë

O i dërguar tek neve


për të vërtetën je dërgu
erdhe nderove Medinen
mirëse vjen o më i miri ftues.

Kjo tregon dhe njëherë që vizioni Islam është i gjerë dhe arti nëse i shërben zhvillimit të vendit
dhe përçimit të mesazhit, është i pranueshëm.
Të gjithë banorët e Medines e kapnin devenë e Profetit (a.s) për litari dhe secili i lutej Profetit
(a.s) që të shkonte në shtëpinë e tij. Kurse Profeti (a.s) ua kthente:”Lëreni atë (devenë) pasi është
e urdhëruar (të qëndrojë në një vend të caktuar)!”
Vazhdoi deveja të ecë, e rrethuar nga njerëzit, derisa ndaloi në një vend. Profeti (a.s) nuk lëvizi
fare. Më pas deveja eci përsëri dhe u kthye përsëri tek vendi ku qëndroi dhe u ul aty.” Atëherë
Profeti (a.s) zbriti dhe tha:”Këtu është vendqëndrimi im.”
Përballë vendit ku qëndroi deveja ishin shtëpitë e fisit Benu Nexhar, të cilët ishin dajallarët e
babait të Profetit (a.s). Ishin shtëpitë e atyre të cilët Profeti (a.s) i kishte vizituar kur ishte i vogël
me nënën e tij. Sikur me këtë Zoti kërkon të na thotë që ruajtja e lidhjeve të gjakut është e
shenjtë. Edhe vetë Profeti (a.s) dëshironte të qëndrojë tek të afërmit e tij, por nuk e shprehu.
Deveja ishte e urdhëruar prej Zotit që të qëndrojë në atë vend.
Pasi deveja u ul dhe Profeti (a.s) zbriti prej saj, njerëzit e rrethuan dhe prisnin se çfarë do tu thotë
Profeti (a.s).
Ishte fjala e parë që do të thoshte në Medine dhe të gjithë prisnin si çfarë do u thoshte.
Vallë çfarë mund të thoshte Profeti (a.s)? Do të fliste rreth fesë pasi ishte profet? Apo do të fliste
si politikan pasi tani do të ishte udhëheqësi i Medines? Apo do të fliste diçka shoqërore si
reformator social që ishte?
Le ta shohim se çfarë u tha, pastaj ta analizojmë:”O ju njerëz! Përhapni paqen, ushqeni ata që
janë në nevojë, shkoni mirë me farefisin dhe faluni natën teksa njerëzit flejnë, me qëllim që të
hyni në xhenet në paqe!”
Në pamje të parë fjalët që tha Profeti (a.s) të lënë përshtypjen sikur nuk përçojnë një mesazh të
qartë, por le të analizojmë gjendjen e Medines në atë kohë dhe përshtatjen e fjalëve me gjendjen.
Deri në atë kohë dy fiset më të mëdha të Medines, Eus dhe Hazrexh, kishin qenë në luftra të
përgjakshme me njëri-tjetrin. Urrejtja mes tyre kishte arritur kulmin. Në Medine jetonin dhe
çifutët të cilën përfaqësonin një fe tjetër.
Po kështu, tani në Medine kishin arritur dhe muslimanët e varfër nga Meka, të cilët nuk kishin as
ku strehoheshin dhe as për tu ushqyer. Tani le ti përmendim fjalët e Profetit (a.s) një e nga një
dhe të shohim se cilës fushe i përkiste fjalimi i tij:
“O ju njerëz! Përhapni paqen” i ndalni luftrat me njëri-tjetrin.
“ushqeni ata që janë në nevojë” i përkrahnin dhe ndihmoni nevojtarët dhe muslimanët e varfër që
kanë ardhur nga Meka.
“shkoni mirë me farefisin” u drejtohej dy fiseve në luftë Eus dhe Hazrexh, që të shkonin mirë dhe
të ruanin lidhjet e gjakut që kishin mes tyre.
“faluni natën teksa njerëzit flejnë” ju u duhet energji shpirtërore që të arrini ti zbatoni pikat e
larpërmendura.
Me këto fjalimi i Profetit (a.s) i përfshinte të gjitha fushat, fenë, politikën dhe shoqërinë.
Orientalistët kanë një problem të madh me Profetin (a.s), pasi disa prej tyre teksa studiojnë jetën
e tij shpirtërore, e quajnë Profetin (a.s) si shpirtëror të madh që u flet zemrave. Disa të tjerë
pohojnë që Profeti (a.s) ka qenë një politikan tepër i aftë. Ka dhe të tjerë që thonë që ai ishte
reformator social me nam.
Problemi i tyre qëndron në atë që duan ta fusin Profeti (a.s) në një rreth të caktuar. Por Profeti
(a.s) i përblidhte të gjitha këto fusha, pasi ishte dërguar me një mesazh gjithëpërfshirës.
Fjala e parë që Profeti (a.s) tha në fjalimin e tij ishte fjala “paqe,” përshëndetja e muslimanëve e
trashëguar prej tij është “paqe” dhe fillimi i shpalljes ishte me përqafim mes Profetit (a.s) dhe
Xhibrilit, përqafim i cili është simbol i paqes.
E veçantë tjetër e këtij fjalimi është, se ai është mesazh shumë i fuqishëm për të gjithë ata që
punojnë në fushën e thirrjes dhe propagandës Islame. Profeti (a.s) në këtë fjalim foli mbi gjëra që
ishin të përshtatshme për aktualitetin e atëhershëm.
Kurrë o vëlla mos u fol njerëzve gjëra që nuk i kuptojnë dhe që nuk janë aktuale. Mos thuaj që
dhe këto janë prej Islamit, pasi dijet Islame janë shumë të gjëra dhe nuk thuhen menjëherë.
Gjithmonë zgjidh atë që është e përshtatshme dhe aktuale.
Një thirrës e kishin ftuar në një ceremoni lidhjeje kurore. Gjatë fjalëve që i takonte të thoshte, ai
lexoi dhe ajetet:”divorci është me dy herë. Pastaj ose mbaje dhe sillu mirë me të, ose lëre me
dashamirësi.” (Bekare 229) Kur e pyetën se përse e bëri këtë u tha: Me qëllim që të mësojnë
ligjet e Islamit. Mirë i thanë por diçka e tillë nuk i përshtatet vendit. Këto thuhen ne raste
divorcesh, kurse ne tani jemi në martesë.
Profeti (a.s) nuk thoshte çdo lloj fjale. Ai fliste sipas situatës dhe aktualitetit.
Gjatë kohës që Profeti (a.s) fliste, një nga fisi Benu Nexhar, Ebu Ejub El’ensarij kishte marrë
plaçkat e Profetit (a.s) dhe i kishte çuar në shtëpinë e tij. Pasi Profeti (a.s) e përfundoi fjalimin e
tij dhe pa që plaçkat nuk i kishte, pyeti:”Ku janë plaçkat e mia?” “Në shtëpinë time o i dërguar i
Zotit.” – iu përgjigj Ebu Ejubi. Njerëzit e tjerë filluan ta lusin:”Eja tek ne o i dërguar i Zotit, eja
tek ne o i dërguar i Zotit!” Por Profeti (a.s) ua ktheu:”Njeriu qëndron aty ku ka plaçkat.” Profetit
(a.s) me këtë sikur i pëlqeu ajo që veproi Ebu Ejubi.
Profeti (a.s) do të qëndrojë në shtëpinë e Ebu Ejubit pothuaj për një muaj.
Shtëpia e Ebu Ejub-it ishte dy katëshe, për këtë Ebu Ejubi i kërkoi Profetit (a.s) që të qëndronte
sipër pasi dhe arsyeja ishte se:”Nuk mundemi të qëndrojmë duke i pasur këmbët tona sipër teje o
i dërguar i Zotit.” Por Profeti (a.s) ia ktheu:”Jo. Mua më vijnë shumë njerëz për vizitë dhe nuk do
të ishte mirë që sa herë të vinin njerëz, t’ju shqetësonin juve në katin e parë.”
Me këtë Ebu Ejubi pranoi që të banojë me gruan në katin e dytë. Sa herë që lëviznin, ecnin sikur
të ishin mbi diçka që mund të thyhej, me qëllim që të mos e shqetësojnë Profetin (a.s) në katin e
parë. Një natë, gruaja e Ebu Ejubit pa dashje goditi një qyp me ujë i cili u derdh i tëri. Megjithëse
nuk kishin mbulesë tjetër për tu mbuluar natën, me të shpejtë e morrën mbulesën dhe me të
filluan të thanin ujin, me qëllim që të mos i binte Profetit (a.s) poshtë në katin e parë. Të
nesërmen në mëngjes iu lutën Profetit (a.s) që të banonte në katin e dytë pasi nuk mund ta
duronin që Profeti (a.s) të banonte poshtë kurse ata lart. Profeti (a.s) e pranoi këtë kërkesë të tyre
dhe u ngjit lart. Përsa i përket ushqimit, Ebu Ejubi tregon që herë hanim të gjithë bashkë dhe
herë të tjera ia çonim ushqimin në katin e dytë. Një herë kur vajtëm të marrim pjatën që i kishim
çuar për të ngrënë, e gjetëm atë të paprekur. Kur e pyetëm:”Përse nuk ke ngrënë o i dërguar i
Zotit? A nuk të pëlqeu?” “Jo – na tha ai – por ushqimi kishte hudhër. Unë e luz Zotin dhe më
vjen meleku (Xhibrili) dhe nuk dua ta shqetësoj me erën e gojës time.” Profeti (a.s) nuk e hante
hudhrën për shkak se Xhibrilit (a.s) nuk i pëlqente era e saj. Në një hadith tjetër, Profeti (a.s)
thotë:”Melekët shqetësohen nga ata gjëra që shqetësojnë dhe njerëzit.” Kështu ajo shtëpi në të
cilën pihet duhani, melekët shqetësohen prej saj. Nga ajo gojë që vjen era duhan dhe erë e keqe,
melekët largohen. Nëse çorapet janë të palarë dhe brenda xhamisë vjen erë e rëndë, përveç
njerëzve, shqetëson dhe melekët. Ebu Ejub El’ensarij vdiq dhe u varros pranë mureve të
Kostandinopojës (Stambollit sot). Ai vazhdoi të luftojë derisa i kaloi të 90-tat. Në betejën për të
marrë Kostandinopojën, ai u kërkoi ushtarëve që nëse vdes, ta marrin në krahë dhe të afrohen sa
të munden me muret e qyetit dhe ta varrosin atje.
Nëse do të shkosh sot të falesh në xhaminë me emrin e tij në Stamboll, do gjesh me mijëra njerëz
që kanë ardhur për të falur namazin e mëngjesit.
Tani le të studiojmë shoqërinë në Medine, ku me emigrimin e banorëve të Mekes, gjërat filluan të
vështirësoheshin. Kjo pasi struktura shoqërore ndryshoi menjëherë. Gjendja ishte gati të
shpërthejë me emigrimin e muslimanëve nga Meka. Nëse do të kishte qenë një shoqëri tjetër, do
të ishte shkatërruar.
Kjo pasi tani në Medine kishin ardhur elementë të rinj nga Meka. Ata kishin lënë tokat dhe
pasuritë e tyre dhe kishin ardhur në një vend ku ishin të huaj, nuk kishin strehë dhe pasuri. Jo
vetëm kaq, por si arabë e kishin shumë të vështirë të braktisnin vendlindjen. Këtë e vërteton vetë
gjendja e Profetit (a.s) që teksa po ngjiste malin për në shpellën Theur pa Mekën dhe tha:” Veç
Zoti e di që ti je vendi më i dashur në zemrën time dhe nëse populli im nuk do më kishin përzënë,
nuk do të isha larguar kurrë.” Vetë Bilali pasi erdhi në Medine, një ditë teksa qëndronte në mesin
e muslimanëve papritur filloi të qajë. Kur e pyetën mbi shkakun, ai filloi të thurrë vargje mbi
dashurinë për Meken. Profeti (a.s) i tha:”Mos qaj o Bilal, lëri plagët të mbyllen!”
Një problem tjetër për muslimanët e ardhur nga Meka ishte se ata ishin mësuar me tregëti, kurse
Medineja njihej për bujqësi, të cilën ata nuk e njihnin. Problem tjetër ishte se numri i
emigrantëve nga Meka, shtohej dhe prodhimet bujqësore nuk mjaftonin për të gjithë, gjë që
paralajmëronte krizë ekonomike. Një problem tjetër ishte se zakonet dhe traditat ishin të
ndryshme mes banorëve të dy qyteteve. Gratë e banorëve të Medines i bashkangjiteshin burrave
në punët e bujqësisë, gjë që u jepte të drejtë në vendimmarrje, kurse gratë e banorëve të Mekes
qëndronin në shtëpi dhe nuk ndërhynin në çështjet e tyre, pasi burrat ishin ata që e siguronin
jetesën me tregëti. Kështu gratë e Medines u kërkonin atyre të Mekes që të ndërhyjnë dhe të
marrin pjesë në vendimmarrje me burrat e tyre. Ky ishte problem tjetër shoqëror.
Kështuqë emigrimi nuk ishte një çështje eja të shkojmë dhe të falemi, por u shoqërua me shumë
probleme dhe vështirësi. Shpresëdhënëse nuk ishte dhe gjendja shëndetësore. Medineja në atë
kohë ishte e mbushur me epidemi malarje. Me të arritur muslimanët, shumë prej tyre u sëmurën
nga malarja dhe ankoheshin nga kjo gjendje. Nga ata që u prekën nga malarja ishte dhe Ebu
Bekri, të cilin menduan se do të vdesë, për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej.
Aq e rëndë ishte gjendja saqë dhe vetë Profeti (a.s) filloi të lutej:” O Zot, na e bëj të dashur
Medinen ashtu siç kemi dashurinë për Meken dhe më shumë! O Zot bëje atë (Medinen) të
shëndetshme dhe largoje epideminë jashtë saj!” Gjendja nuk ishte më shpresë dhënëse mes
banorëve të Medines. Dy fiset e mëdha të Medines sapo kishin dalë nga luftra të përgjakshme
mes tyre. Urrejtja dhe dhimbjet e të afërmve të vrarë, akoma nuk ishte shuar plotësisht. Të dy
këto fise shpresonin që të kishin një rol dhe pozitë më të lartë se tjetri në shoqërinë e re që po
formohej në Medine. Një problem tjetër ishte se kishte njerëz nga dy fiset Eus dhe Hazrexh, që
akoma nuk e kishin pranuar Islamin. Një problem tjetër i mprehtë që lindi, ishte dhe krijimi i një
shtrese shoqërore e cila u njoh me emrin “Munafikët (hipokritët)” të cilët kishin pranuar Islamin,
por në brendësi fshihnin mohimin dhe armiqësinë ndaj Profetit (a.s) dhe Islamit. Kryetar i tyre
ishte Abdullah ibnu Ubej ibnu Selul, i cili ditën që erdhi Profeti (a.s) do të caktohej mbreti i
Medines. Por me ardhjen e Profetit (a.s), të gjithë njerëzit e braktisën dhe vrapuan pas Profetit
(a.s). Kjo e bëri ti urrejë muslimanët si askënd tjetër. Sa herë që e shihte Profetin (a.s) duke
kaluar, u drejtohej njerëzve dhe u thoshte:”Ky është i dërguari i Zotit, prandaj madhërojeni dhe
respektojeni atë!” Pasi kalonte Profeti (a.s) u thoshte njerëzve:”Shembulli i Muhamedit dhe i
shokëve të tij është si ajo fjala e urtë që thotë:”Ushqeje qenin të të kafshojë!”
Përveç sa përmendëm, një problem serioz ishte dhe ekzistenca e tre fiseve çifute në Medine. Ata
kishin arritur ta monopolizonin tregëtinë e drithërave, alkolit dhe veshjeve. Gjithashtu ata ishin
pronarët e puseve të ujit të pijshëm. Veç kësaj, duke qenë që ishin ithtarë të një feje qiellore, e
shihnin veten më të mirë se idhujtarët arabë. Kurse tani dhe arabët u thonin që dhe ne jemi idhtarë
të një feje qiellore. Ata gjithashtu e prisnin që Profeti i fundit do të vinte nga mesi i tyre, kurse ai
erdhi nga arabët dhe kjo e shtonte urrejtjen që kishin për arabët.
Kështu me sa përmendëm, gjendja ishte tepër e vështirë për ta rimëkëmbur një shoqëri të tillë.

Ndërtimi i xhamisë në Medine

Le ta shohim tani se ç’hapa ndërmorri Profeti (a.s) për të rimëkëmbur vendin. Në dy vite, kjo
shoqëri do të ishte si një e vetme dhe do të eleminoheshin të gjitha pengesat. Për këtë Profeti (a.s)
ndërmorri tre hapa të rëndësishëm:
1 – Ndërtimi i xhamisë. Dikush me të drejtë mund të pyesë se ç’lidhje ka ndërtimi i xhamisë me
një shoqëri në prag të shpërbërjes? Por xhamia në atë kohë kishte rol shumë të rëndësishëm në
konsolidimin e shoqërisë. Xhamia ishte vendi ku e gjithë shoqëria do të takohej pesë herë në ditë.
Ishte vendi ku do u shtohej dashuria për njëri-tjetrin. Xhamia do të zhdukte ndryshimet
shoqërore, pasi të gjithë do të faleshin para Zotit, në krah të njëri-tjetrit. Ne sot shohim që
pasanikët, banojnë në lagje të ndara nga pjesa tjetër e popullsisë dhe kanë dhe shkollat dhe
spitalet e tyre. Shkaku i ndërtimit të xhamisë nuk ishte vetëm për të kryer namazin, por ishte dhe
për bashkimin dhe vëllazërimin e shoqërisë. Kështu veç funksionit fetar, xhamia luante dhe
funksion shoqëror. Xhaminë Profeti (a.s) e përdorte si shkollë, si vend stërvitjeje, ishte vendi ku
konsultoheshin muslimanët, ishte vendi ku merreshin dhe transmetoheshin informacionet. Sa herë
që ndodhte diçka, Bilali thërriste që të mblidheshin njerëzit në xhami.
Për ti lidhur me xhaminë, Profeti (a.s) i nxiste me vlerat dhe shpërblimin që kishte xhamia në
Islam. Thotë Profeti (a.s) për shpërblimin dhe vlerat që ka mbledhja në xhami për të mësuar mbi
ligjet e Zotit në Kuran:” “Ata njerëz që mblidhen në një nga shtëpitë e Zotit (xhamitë), lexojnë
Kur’an dhe e mësojnë me njëri – tjetrin, do u jepet qetësia shpirtërore, do rrethohen nga
melekët, do i përfshijë mëshira e Zotit dhe do t’i përmendë Zoti në banorët e qiellit“.
Sot xhamia në shumë vende, shihet si vendi që nxjerr ekstremistë dhe mundohen ta mbajnë nën
kontroll, apo ta mbyllin fare. Një zgjidhje më e mirë se kjo është që xhamisë ti kthehet roli që i
takon dhe dijetarët dhe predikuesit duhet ta kryejnë sa më mirë rolin e tyre duke përçuar vlerat
më të larta tek njerëzit. Për ndërtimin e xhamisë në Medine, muslimanët dhe Profeti (a.s) nuk
morrën punëtorë që ta ndërtojnë, por e ndërtuan vetë. Të gjithë dhanë kontributin e tyre në
ndërtimin e saj. Vetë Profeti (a.s) mbante gurë dhe qerpiç për ndërtimin e xhamisë. Kur e pa
dikush Profetin (a.s) që punonte, shkoi dhe i tha:”Më ler mua o i dërguar i Zotit të punoj në
vendin tënd!” Por Profeti (a.s) ia ktheu:”Jo, por puno dhe ti si unë!”
Ammar ibnu Jasir punonte më shumë se të gjithë. Të gjithë mbanin nga një gur në sup, ai mbante
nga dy njëherësh. Kur e pa Profeti (a.s) tha:”Të gjithë kanë një shpërblim, kurse Ammari ka dy
shpërblime.” Tregojnë shokët e Profetit (a.s), që kur e shihnim Profetin (a.s), ai ishte i mbuluar në
pluhur dhe baltë, duke punuar. Për ti dhënë zemër dhe forcë njëri-tjetrit, ata filluan të këndojnë:
Nëse pushojmë teksa Profeti punon
për ne është e rëndë, plumb rëndon.
Kurse Profeti (a.s) u përgjigjej me fjalët:
O Zot nuk ka jetë veç ahiretit
mëshiroji medinasit dhe mekasit.
Nga të veçantat gjatë kohës që ndërtonin xhaminë është dhe kjo histori. Uthman ibnu Madh’un,
megjithëse ishte duke punuar në pluhur dhe baltë, teksa vendosi një gur në supe, e pa që supi
ishte ndotur prej gurit. Atëherë ai e uli gurin përtokë dhe filloi të pastrojë supin. Ali ibnu Ebi
Talib, kur e pa i thurri disa vargje ku thoshte:
Nuk janë njësoj ai që ndërton xhami
dhe rrethohet nga pluhuri nga çdo anë
me atë që larg pluhurit rri.
Ammar ibnu Jasir e dëgjoi, por nuk e kuptoi se për kë e tha Aliu. Atij i pëlqyen si vargje dhe
filloi ti përsërisë me qëllim që ti mësojë. Sa herë që lëvizte lart e poshtë ai përsëriste vargjet.
Shokët e tjerë kur e dëgjonin qeshnin, pasi e dinin se për kë ishin thënë ato vargje. Kurse Ammari
mendonte se qeshin ngaqë u pëlqejnë vargjet. Uthman ibnu Madh’un kur pa të qeshurat dhe
Ammarin që nuk po ndalonte nga përsëritja e atyre vargjeve, morri një shkop dhe i zemëruar iu
drejtua Ammarit:”Për Zotin o biri i Sumejes (e thirri në emrin e nënës të cilën ia vrau Ebu
Xhehli), nëse nuk pushon, do të të godas në këtë lëkurë” dhe kapi me dorë lëkurën mes dy
vetullave. Këto fjalë, i dëgjoi dhe Profeti (a.s). Ammari me të vërtetë ishte djali i Sumejes, por
ishte i asaj Sumeje e cila ishte dëshmorja e parë në Islam dhe nuk mund të fyhej ashtu. Atëherë
Profeti (a.s) i skuqur në fytyrë, tha:”A nuk e din Uthmani që Ammari është lëkura mes vetullave
të mia?” Ammari filloi të qajë. Me të filloi të qajë dhe Uthmani dhe Ali ibnu Ebi Talibi.
2 – Hapi i dytë që ndërmorri Profeti (a.s) për të rimëkëmbur shoqërinë, ishte vëllazërimi mes
banorëve të Medines dhe mekasve të ardhur. Vëllazërimi mes tyre, konsistonte në atë që çdo
musliman nga Meka do të banonte në shtëpinë e një muslimani nga Medineja. Një gjë e tillë nuk
bëhej vetëm për të zgjidhur krizën e strehimit, por edhe për bashkimin mes tyre dhe shkrirjen e
shoqërisë në një të vetme.
A mund të jetë fe ekstremiste dhe e terrorit një fe që bashkon shoqërinë dhe i shkrin ndarjet
shoqërore?! A do të ishte e llogjikshme që Zoti të shpallte në tokë, një fe që përhap terrorin dhe
dhunën?! Njëkohësisht Profeti (a.s) i nxiste banorët e Medines, duke u kujtuar shpërblimin e
vëllazërimit në Islam. Po të shohim, Profeti (a.s), shpërblimin që ka ndërtimi dhe falja në
xhami dhe vëllazërimi në Islam, nuk i përmendi në Meke, pasi nuk ishte koha për të tilla gjëra. Ai
i përmendi vetëm kur u krijuan kushtet. Ky vëllazërim mes muslimanëve nuk ishte vëllazërim i
thatë dhe bosh, por ishte i mbushur me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin. Këtë e gjejmë në
mënyrën se si komunikonin dhe teksa bënin shaka. Një herë Suhejb Elrumiut i ishte pezmatuar
njëri sy. Teksa ecte rrugës ai po hante një kokërr hurmë (arabe). Kur e pa Profeti (a.s) i tha me
shaka:”O Suhejb, si mundesh të hash hurma me syrin e pezmatuar?! Suhejbi e kuptoi qëllimin e
Profetit (a.s) dhe ia ktheu:”Mos u merakos o i dërguar i Zotit se e ha me atë që e kam të
shëndetshëm.” Një herë tjetër Profeti (a.s) po hante hurma me Ali ibnu Ebi Talib-in. Aliu pasi e
hante hurmën, e merrte bërthamën dhe e vendoste para Profetit (a.s). Kështu para Profetit (a.s) u
bë një grumbull i madh me bërthama, kurse Aliu nuk kishte gjë para vetes. Më pas Aliu e pyeti
Profetin (a.s):”Si i paske ngrënë gjithë këto hurma o i dërguar i Zotit?” Kurse Profeti (a.s) ia
ktheu:”Po ti o Ali, si i paske ngrënë hurmat me gjithë bërthamat?!” Me gjithë vuajtjet dhe
problemet që kishin, ata dinin si ta ruanin të freskët ndjenjën e vëllazërimit mes tyre.
3 – Hapi i tretë që ndërmorri Profeti (a.s), ishte nënshkrimi i një traktati (kushtetute) për banorët e
Medines. Kjo duke pasur parasysh se Medineja banohej nga fe të ndryshme ku aty banonin
muslimanë, jo muslimanë dhe çifutët. Në këtë kushtetutë u caktuan të drejtat dhe detyrat dhe ajo
përcaktonte sigurinë e brendshme dhe të jashtme të vendit. Kushtetutë që bazohej në atë që,
atdheu është i të gjithëve. Kjo kushtetutë përmbante 15 nene, prej të cilëve ne do të përmendim
vetëm katër më të rëndësishmit:
1 – “Muslimanët nga Meka dhe ato të Medines (pa bërë ndarje mes Eus dhe Hazrexh) dhe kushdo
që bashkohet me ta, janë një umet (bashkësi) i vetëm.”
Me këtë, hiqej e drejta për tu dalluar nga njëri-tjetri. Një umet (bashkësi) i vetëm, nënkuptonte që
muslimanët e Mekes nuk mund të ishin më të mirë se të Medines, apo anasjelltas.
- Kjo, ashtu siç vlente në atë kohë, vlen dhe sot në kohët tona. Ne jemi muslimanë dhe nuk ka
muslimanë sunni dhe shi’itë, por thjesht muslimanë. Një vajzë nga Holanda, pasi pranon Islamin,
shkon të banojë në një vend ku ka muslimanë sunni dhe shitë. Atje e pyetën nëse ishte sunni apo
prej shitëve. Kur e dëgjoi këtë vajza filloi të qajë dhe u tha:”Unë kam vuajtur për tu bërë
muslimane. Më mjafton që jam muslimane.”
2 – “Çifutët e Benu Auf, çifutët e Eus dhe çifutët e tjerë të Medines, janë një umet (bashkësi) me
besimtarët, përveç atyre që bëjnë padrjetësi dhe shkelje.”
Pra bashkëkombasit që nuk janë muslimanë, nuk qenkan të një dore të dytë, por janë të barabartë
me bashkëkombasit e tjerë muslimanë. Kështu të drejtat e nënshtetasve, ishin të garantuara
nga Profeti (a.s) që para 1.400 vitesh.
3 – “Muslimanët i sigurojnë vetë ta ardhurat dhe çifutët vetë të ardhurat e tyre. Ata e kanë detyrë
ta ndihmojnë njëri-tjetrin në rast lufte me një palë të tretë. Gjithashtu ata janë të detyruar të
këshillojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin dhe të mos e fyejnë. Çifutët kanë fenë e tyre dhe
muslimanët kanë fenë e tyre.”
4 – “Nuk i lejohet askujt që të dalë nga Medineja për të luftuar, apo të strehojë në Medine ndonjë
armik, vetëm me lejen e Muhamedit, të dërguarit të Zotit.” E veçanta më e madhe e këtij traktati
apo kushtetute, ishte se ajo i bashkonte njerëzit dhe nuk i përçante. Asnjë prej banorëve të
Medines nuk u përjashtua nga të drejtat themelore të tij.
5 - Një hap tjetër shumë i rëndësishëm të cilin e ndërmori Profeti (a.s), ishte se Medineja më parë
quhej me emrin Jethrib, kurse Profeti (a.s) e ndryshoi këtë emër dhe e quajti Medine.
Nëse do e kishte lënë Jethrib siç ishte, kjo do të thoshte që ishte qytet dhe shtet vetëm i fiseve Eus
dhe Hazrexh.
Nëse do e quante vendi i emigrimit, do të dukej sikur është vetëm i atyre që emigruan nga Meka.
Nëse do i vinte një emër që kishte si rrënjë fjalët Islam, ose Muhamed, kjo do të thoshte që ky
shtet është vetëm për muslimanët. Për këtë e quajti Medine (qytet) i cili përfshinte të gjithë
banorët me ndryshimet e tyre. Rezultat i hapave që ndërmorri Profeti (a.s) dhe miratimit të kësaj
kushtetute, ishte se në dy vite, shoqëria e Medines ishte konsoliduar dhe ndihej si një e vetme.
E veçantë e kësaj kushtetute është se çifutët kurrë nuk e kanë përmendur dhe kritikuar. Ata kanë
folur dhe kritikuar më pas Islamin si sistem të përgjithshëm, por këtë kushtetutë jo, pasi ajo u
garantoi të gjitha të drejtat që u takonin. Një argument tjetër që liria e besimit ishte e shenjtë dhe
respektohej në atë kohë, është se dhe kjo që do të përmendim. Më parë banorëve të Medines u
vdisnin fëmjët që në vegjëli. Kur dikujt i lindte fëmijë, gratë thonin që do i jap fenë çifute
fëmijës, me qëllim që të jetojë. Kjo pasi e shihnin që çifutët ishin në nivel më të lartë shoqëror.
Kur erdhi Profeti (a.s) në Medine dhe banorët e saj pranuan Islamin, të rinjtë që kishin lindur
gjatë kësaj kohe, shumë prej tyre ndiqnin fenë çifute. Prindërit e tyre kërkuan që ata të braktisnin
fenë çiftute dhe të pranonin Islamin. Në këto periudhë Profetit (a.s) i shpallet verseti:
“Nuk ka imponim në fe. Është sqaruar rruga e drejtë nga ajo e gabuar.” (Bekare 256 ) Me këtë
ndalohej që dikush t’ia imponojë fenë dikujt tjetër, qoftë dhe fëmijëve të tij.
Mësimet e nxjerra nga sa përmendëm
1 – Rëndësia e bashkëjetesës në shoqëri mes të gjitha grupeve, muslimanë dhe të krishterë etj..
është e drejtë e kujtdo që jeton në vendin ku ka lindur.
2 – Le ti japim besën Zotit që do të jetojmë për përcjelljen e mesazhit dhe zhvillimin e vendeve
tona.
3 – Nëse Profeti (a.s) do të vinte për të qëndruar në shtëpinë tënde, siç qëndroi në shtëpinë e Ebu
Ejub El’ensarit, vallë si do të silleshe në shtëpi? Mbaje shtëpinë dhe vepro sikur ta kesh Profetin
(a.s) në shtëpi.

Anda mungkin juga menyukai