Anda di halaman 1dari 3

Ku i çon mushka grekomano-fonët e sotëm?

02/09/2010

Politika greke, e majtë apo e djathtë, e vjetër apo e re, ka shume gjasa e deshmi qe mund
te te provojne se vazhdon te vuaje sëmundjen e kahershme të megalomanisë. Grekofonët
dhe grekomanët e sotëm, njëlloj si pararendësit e shekullit të XIX, mjerisht ende kujtojnë
e besojnë se janë "pronarë" të antikitetit dhe tash, meqë janë edhe anëtarë të BE-së, meqë
kanë siguruar një standard më të lartë mirëqenieje se fqinjët e tyre varfanjakë, pandehin
se atyre u takon e drejta të jenë edhe të përzgjedhurit e Perëndisë në Ballkan, pse jo, edhe
në botë. Dihet: pas rënies së Murit, Greqia mori rolin e protektorit për instalimin e
demokracisë në Ballkan. Natyrisht, kjo "përkujdesje" erdhi jo vetëm prej shtysës që
buron nga megalomania e saj (e thënë ndryshe, nga megaliidhea), nga përparësia
gjeografike, por edhe për të përfituar jo pak fonde financiare të ofruara nga BE; që të
mundësohej integrimi sa më shpejt i popujve të indoktrinuar me ideologji komuniste; që
të përshtateshin këto shoqëri me standardet e demokracisë; që të funksiononte ekonomia
e tregut; të promovohej shoqërive civile e munguar, etj…Fakti që popujt fqinjë me
Greqinë, të dalë nga diktaturat e shfytyruara, si dhe nga paragjykimet e lashta ndëretnike,
pra, ata popuj që tash gjeopolitikisht (pse jo, edhe në mënyrë diskualifikuese) quhen pjesë
e Ballkanit Perëndimor, mbetën më të fundit në këto procese, duke u ribërë, edhe pas
"hapjes", herë viktima e herë protagonistë të konflikteve e spastrimeve ndëretnike, duke
ndezur madje edhe luftëra mes vedi, provon se sa "sukses" ka pasur ky lloj protektorati
demokratik laboratorik grek i sponsorizuar nga BE-ja te fqinjët traumatikë e problematikë
ballkanikë… Kjo rrjedhojë zhgënjyese rezultoi e tillë përveçse nga specifikat dhe tabutë
folklorike të konservuara në shekuj nga ballkanikët, edhe pse Greqia zyrtare, në mos ka
dështuar, nuk ka qenë e prirur, e ndoshta, as e aftë të instalojë standarde demokratike tek
fqinjët e vet, sepse edhe vetë ka vuajtur e po vuan nga të njëjtat mungesa, mangësi apo
sëmundje ngjitëse të nacionalizmës dhe të racizmit, përndryshe, të megaliidhesë së saj
tradicionale. Ngjarjet e fundit në këtë vend, veçanërisht sjelljet e saj, herë prej shemre e
herë prej një "babai të madh" e të pagabueshëm me fqinjët e provojnë këtë hamendësi.
Është çadra e BE-së dhe NATO-s, si dhe e drejta e vetos që e maskon sindromën e
panhelenizimit të shfaqet me pamjen e saj të vërtetë. Por ndoshta ka ardhur koha që, për
të kuptuar se si dhe sa ka funksionuar ky "protektorat grek për instalimin e demokracisë"
në Ballkanin Perëndimor që ka sjellë vonesa tragjike në rajon, ia vlen të bëhen
transparente fondet financiare, jo të pakta, të dhëna nga BE-ja për synimet e mësipërme.
Pas gati njëzet vitesh nuk do të ishte keq, madje do të ishte e domosdoshme që BE të
kryente një verifikim transparent si dhe ku kanë vajtur këto fonde, sepse ka të ngjarë që
financimet kolosale të BE-së për rigjallërimin e ekonomisë së vendeve në tranzicion të
kenë shkuar në mos te xhepat e zyrtarëve grekë, dmth jo në dobi të funksionimit sa më të
shpejtë të proceseve demokratizuese, por për të greqizuar rajonin, për të shtuar ndikimin
afatgjatë grek nëpërmjet kapjes së nyjave më strategjike: energjisë, bankave, shërbimeve
të telefonisë celulare, dhënies së pensioneve e "licencave" për biznes besnikëve
"homogjenë", si dhe të shpatës së Demokleut: "fshesës" së herëpashershme mbi
emigrantët e pambrojtur…Trafiku i influencës që ka ushtruar Greqia në jo pak raste në jo
pak raste ka shpërdoruar e keqpërdorur urinë për investime, ngutin për t'u shkëputur sa
më shpejt nga varfëria rraskapitëse e tranzicionit, dëshirën e synimin e kastave të reja
politike për pasurim sa më të shpejtë e për të mbetur sa më gjatë në pushtet…Këto, me sa
duket, kanë qenë dhe kanë mbetur mjetet e trysnisë politike për nënshtrimin e të bindurve
e veçanërisht më të pabindurve. Nuk është gabim po të thuhet pas 20 vjetësh se marrja e
rolit të protektorit për instalimin e demokracisë në Ballkan nuk ka qenë dobiprurës. Roli i
protektorit nuk ka ndikuar as që politika greke të vetëpastrohej, duke u bërë më së pari
shembull i një shoqërie ku funksionon demokracia. Kësisoj Greqia nuk u bë dot modeli
demokratik që duhej ndjekur, pasqyra e një vendi demokratik, i çliruar nga paragjykimet
historike e veçanërisht nga racizmi tradicional, ku respektohen te drejtat e njeriut. Greqia
nuk dha prova bindëse te asnjë fqinj se përnjëmend donte të shërohej edhe vetë nga
sëmundja e vjetër e megalomanisë, nga ethet e nacionalizmit e të racizmit, nga dëshira e
trashëguar për ekspansion e për homogjenizim, nga vetëkapardisja prej kapadaiu
ballkanik që kujton se, me demek, prejardhjen e ka nga një racë e zgjedhur, etj…Me sa
shihet, në Greqi ka ndodhur e kundërta. Fuqia, superioriteti, historia, folklori, mundësia
dhe "e drejta" për të urdhëruar e komanduar më të dobëtit e më të varfrit (për shkak të
përfshirjes në struktura sipërore, BE dhe NATO), e ngjizën mendësinë politike greke me
vetëdijen e një afendikoi sipëror, të kamur, të një punëdhënësi të vockël i cili, meqë ka në
dorë bukën e gojës së një emigranti të gjorë, i duket sikur ka kapur qiellin, ndaj atij i
përket "e drejta e natës së parë". Bash për këtë arsye Greqia zyrtare përditë e më tepër
vazhdon të sillet me një fodullëk arkaik, si të jetë zëri i vetëm dhe sovran i Brukselit dhe
Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor, sikur ajo ka çelësat e Suzamit të demokracisë, të
BE-së dhe të NATO-s, duke u bërë, në jo pak raste, një shëmbëlltyrë dramatike, shpesh
edhe ngatërrestare, pse jo edhe nxitëse e urrejtjes dhe e sherreve të vjetra në rajon, e
njëkohësisht edhe qesharake në sytë e botës së qytetëruar. E vërteta është se më
pacipërisht kjo fytyrë megalomane është shfaqur ndaj shqiptarëve, se sa ndaj
maqedonasve, bullgarëve, serbëve apo malazezëve. Kjo jo se ne jemi më të kollajtë për
t'u nëpërkëmbur; jo se jemi më të varfrit e më pa dinjitet kombëtar, por se kemi një klasë
politike më puthadore, e cila, me sa duket, tashmë është e varur kokë e këmbë nga
Athina…Shikoni p.sh, se sa guxim ka klasa jonë politike, opozitë dhe pozitë, të përballet
me shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut dhe të standardeve demokratike ndaj
emigrantëve nga Greqia zyrtare. Mbajtja pezull e emrit të Maqedonisë është vetëm një
nga provat e këtij arsyetimi të mjerueshëm e vetëdemaskues. Në të vërtetë, mendësia e
Greqisë së sotme politike, në të gjitha nivelet e në të gjitha raportet e saj zyrtare e jo
zyrtare me fqinjët vazhdon të drejtohet nga megalomania e vjetër: kujtoni p.sh, këngën
raciste për lidhëset e këpucëve me zorrët e shqiptarëve e refrenin "shqiptar, ti nuk bëhesh
dot grek"…Një mendje e çliruar dhe e shëndoshë nuk do të mbante as në arkiv ligjin e
luftës me Shqipërinë, nuk do të inskenonte herë pas here skena të urrejtjes dhe të
përçarjes në Himarë e jo vetëm, për të mos përmendur këmbënguljen paranojake për
varrezat greke e, kulmi, edhe për marrëveshjen për kufirin detar…Por ngjarjet në Himarë,
vështruar me sy të ftohtë, në të vërtetë nuk e dëmtojnë dhe aq Shqipërinë dhe shqiptarët,
se sa krijojnë mundësira e lehtësira të kuptohet se Greqia e sotme demokratike nuk është
shkëputur nga Greqia e Venizellosit, pavarësisht nga sloganet…Në asnjë kohë dhe në
asnjë sistem në Shqipëri nuk ka pasur kurrë marrëdhënie të acaruara me minoritarët
grekë, por ndezja e qëllimshme e konflikteve mes minoritarëve dhe shqiptarëve, në të
vërtetë nuk është politikë e mençur as për vetë Greqinë… Me mbi gjysmë milion
shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi e që tash nuk ndjehen dhe aq të paditur, të
vobektë e të varfër, kjo mbjellje e urrejtjes që marrëzisht injektohet e mbahet ndezur
përveçse me këngë raciste, edhe me bomba molotov mbi autobusët me targa shqiptare, në
fund të fundit është një minë me sahat brenda territorit grek…Shqiptarët nuk do të
mbeten gjithë jetën të varfër; as populli më i vogël dhe, për këtë shkak pa faj, edhe më i
nëpërkëmbur i Ballkanit. Shqiptarët tash kanë dy shtete dhe janë të pranishëm në të gjithë
shtetet fqinjë, përfshi edhe Turqinë, edhe Italinë. Roli i njërit afendiko e tjetrit hyzmeqar
ka mbaruar tash në Ballkan bashkë me racizmin. Për të keqen e vet kush nuk e ka kuptuar
këtë! *** Fakti që as angazhimi i BE-së dhe SHBA-ve për emrin e Maqedonisë nuk i
kanë dhënë e nuk po i jep dot një zgjidhje përfundimtare këtij preteksti absurd, ka qenë
dhe po mbetet në thelb një shprehje evidente e megaloidhesë së vjetër greke. Për të mos
përmendur edhe faktin e mosnjohjes së Kosovës. Por, shembulli më i fundit e më
dramatik i kësaj sëmundje të mbarsur ishte gremina financiare, e pashembullt në historinë
njerëzore… Tekefundit morali i kësaj katastrofe është: të bësh qejf e të kapardisesh me
paratë dhe me djersën e botës! E megjithatë e gjithë bota e qytetëruar u mobilizua të
shpëtonte Greqinë, të jepte mbi 100 miliard euro që të mbulohej borxhi
katastrofik…Kësisoj Perëndimi, bota e qytetëruar u solidarizua edhe njëherë (ndoshta më
shumë "për hir të Akropolit", të Sokratit e Aristotelit…), duke e paguar shtrenjtë këtë
megalomani në mënyrë që shteti grek të mos kapitullonte, aq sa të detyrohej të shiste
edhe ishuj nga territori i vet për të mbijetuar… Por, si po duken bathët, dhia e zgjebosur,
sipas një shprehjeje të lashtë ballkanike, nuk heq dot dorë nga ngritja e nga mbajtja e
bishtit përpjetë! Ka ardhur koha që Greqia zyrtare dhe vetë qytetarët grekë të gjejnë një
tjetër pasqyrë për të parë jo vetëm historinë, por edhe të sotmen, edhe veten, edhe fqinjët,
pasi pasqyra e megaliidhesë reflekton një realitet që nuk mund të bëhet "vorioepiriot", jo
vetëm se nuk ekziston, por edhe se ndikon në të kundërtën e qëllimit! Pa ngurrim mund të
pohohet se Greqia e sotme është e sëmurë dhe për këtë, me sa duket nuk mjaftojnë vetëm
miliardat e eurove që dhuron Perëndimi për ta shpëtuar këtë vend nga vetvetja, por më së
pari lipset investimi për ta kuruar, d.m.th, për ta demokratizuar në themel edhe Greqinë!

Anda mungkin juga menyukai