Anda di halaman 1dari 41

I.

LEKSIKU DHE SHTRESIMI I TIJ

Çështjet: 1. Vështrim i përgjithshëm për karakterin sistemor të leksikut


2. Shtresimi i leksikut të një gjuhe sipas burimit
a. Shtresa vetjake
- shtresa e trashëguar
- shtresa vetiake; rrugët e mjetet e pasurimit
b. Shtresa e huazuar
- kriteret e klasifikimit
- nëngrupet kryesore te huazimeve

Literaturë: J. Thomai, Leksikologjia e gjuhës shqipe, Tiranë, 2006


N. Varfi, Leksikologjia e gjuhës frënge, Tiranë, 2006
E. Çabej, Studime gjuhësore, III, Prishtinë, 1977
1. Vështrim i përgjithshëm
Leksiku i një gjuhë nuk është një grumbull i thjeshtë fjalësh, por një sistem
njësish, që klasifikohen sipas prerjeve të ndryshme dhe kritereve nga nisemi.
Leksiku mund të kundrohet sipas burimit të fjalëve, që nënkupton dy grupe
paradigmatike të mëdha njësish: grupi i njësive leksikore që lidhen me leksikun amtar
(autokton) dhe grupi i njësive leksikore te huazuara;
- mund të kundrohet sipas përdorimit, që nënkupton larmi kriteresh dhe për
pasojë edhe larmi grupimesh, si: grupi paradigmatik i leksikut aktiv dhe grupi
paradigmatik i leksikut pasiv (këtu mund te bëjmë klasifikime te mëtejshme që lidhen me
zhvillimin diatopik, diakronik a diastratik etj. te një gjuhe).
- mund të kundrohet sipas marëdhënieve me normën e gjuhës standarde, që
nënkupton dy grupe te mëdha njësish leksikore: grupin e njësive që janë normë dhe grupi
i njësive që nuk janë normë.

A. Shtresimi i leksikut sipas burimit


Gjatë historisë marrëdhëniet e një populli me popujt e tjerë kanë sjellë edhe
ndikime në gjuhë. Kjo duket më drejtpërdrejt në sistemin leksikor. Historia e gjuhës dhe

1
etimologjia i ndajnë elementet e huazuara nga elementet vetjake. Nga burimi leksikun e e
një gjuhe e ndajmë në dy shtresa: shtresa vetjake dhe shtresa e huazuar. Psh.kjo mund të
vërehet lehtësisht dhe në në gjuhën shqipe, për te cilën nëse themi se është gjuhë
indoeuropiane, nuk duhet kuptuar që gjithë pasuria e saj leksikore është trashëgimi e
fondit të vjetër indoeuropian.
Ne do te ndalemi përgjithësisht te leksiku i shqipes, duke u mëshuar dhe
tipologjive për gjuhët e tera, zakonisht indoevropiane, por edhe veçantive që forojnë
staturën e vetë shqipes si gjuha jonë amtare.
1. Shtresa vetjake e leksikut
Në shtresën vetjake të leksikut të një gjuhe, për rrjedhojë dhe në atë të gjuhës
shqipe dallojmë dy nëngrupe të qenësishme fjalësh:
a. Fjalë të burimit të hershëm indoeuropian: atë, bir, i butë, çel, dal, darkë, dem,
derr, djathë, djeg, dorë, drekë, dhjamë, elb, emër, ëndërr, gjarpër, gji, hudhër, kohë, i
lig, lopë, mal, mbush, mjegull, mjekër, mot, motër, natë, pelë, punë, qaj, shteg, veri, i
vogël, zë-ri, zog e shumë të tjera. Këto fjalë janë shumë më të lashta se huazimet që kanë
hyrë nga greqishtja e nga latinishtja.
Në “Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe” (1891) Gustav Majeri, nga 5140 fjalë,
400 i nxori si të burimit të vjetër indoeuropian, 730 fjalë i la të pazbërthyera, kurse të
tjerat i cilësoi si huazime nga greqishtja, nga latinishtja, nga turqishtja etj. Gustav Majeri
prej këtej doli në një përfundim të gabuar: e quajti gjuhën shqipe “të përzier,
gjysmëromane”. Ai u mbështet në një krahasim numrash, duke lënë mënjanë cilësinë e
fjalëve. Veç kësaj, nuk shqyrtoi vetëm elementin leksikor të përbashkët të shqipes, por u
mbështet edhe në të folme me ndikime të theksuara nga gjuhë të tjera. Pastaj, nga 730
fjalë që Gustav Majeri i la pa shpjegim, më pas u vërtetua se shumë prej tyre janë të
shtresës së trashëguar indioeuropiane.
Shtresa e lashtë indoeuropiane përbën bërthamën e leksikut të shqipes.
Fjalët e kësaj shtrese kanë disa tipare:
- janë më të qëndrueshmet,
- kanë struktura të gjera kuptimore,
- kanë mundësi të mëdha fjalëformuese
- janë shtrirje e denduri të madhe përdorimi.
b. Nëngrupin e dytë te madh te shtresës vetiake e përbëjnë fjalët parme te vetë
gjuhës si dhe fjalët e formuara me prejardhje, me përbërje, me përngjitje, me
parnyjëzim si dhe me konversion, duke përdorur brumin vëndës, si atëror, bërje,
dimarak, dimëror, gardhoj, keqbërës, mirësi, nëpunës, i papunë, punëdhënës, punëtor,
punishte, punoj, ujkonjë, zemërmirë etj.
Për të dalluar fjalët e vjetra indoeuropiane nga formimet më të vona, përsëri na
ndihmon krahasimi me gjuhë të tjera. Më të reja janë në radhë të parë fjalët e formuara
nga pasthirrmat ose nga onomatopetë: belbëzoj, bubullin, çangë, çuçurit, çukit, çurkë,
dërdëllit, fërfëllon, fëshfërit, gllënkë, guguçe, gurgullon, hingëllin, hukat, kakarit,
mjaullit, rrufit, rraketake, rrapëllin, shushurin, taketuke, tringëllin, turfullon, vringëllin,
zukat, zhuzhin etj.
2. Shtresa e huazuar e leksikut
Në te gjitha gjuhët e botës, dhe në ato me shkallë te lartë përpunimi dhe me aftësi
e mundësi shumë te mëdha krijuese gjejmë grupin paradigmatik te huazimeve. Huazimi

2
si proces tregon se popujt kanë qenë a janë kufitarë ose kanë pasur apo kanë marrëdhënie
historike, ekonomike a kulturore ndërmjet tyre.
Huazimi leksikor ndodh në rrethana historike e gjuhësore të caktuara, edhe kur në
një gjuhë ka emërtim për të njëjtën realie a për të njëjtin koncept.
Kështu, në shqipe, krahas një fjale, tjetër është pranuar fjala e huaj:
a) Kur ka qenë një term ndërkombëtar: epilepsi “sëmundja e tokës, ftigë”, grip
“rrufë”, kancer “irizë, brenjës”, tuberkuloz “ndishk” etj.
b) Kur ka sjellë ndonjë nuancë kuptimi më të përpiktë e të veçantë: bejtexhi-u
“vargëzonjës, vjershëtor” (jo poet); silurim-i (i konferencës), d.m.th. “përgatitje që më
parë nga një vend tjetër për ta prishur” (konferencën, sikurse siluri), kurse prishj/e-a a
minim-i (i konferencës) janë tjetër gjë.
c) Fjala e huaj është pranuar edhe kur e ka kërkuar një stil i caktuar i gjuhës, si
stili shkencor dhe ai politiko-shoqëror, në të cilët kanë hyrë fjalë të tilla: absolutisht
“kryekëput”, abuzim “shpërdorim”, agrikulturë “bujqësi”, argumentoj “provoj, vërtetoj”,
diferencë “ndryshim”, eksperiment-i “provë” etj.
d. Veç këtyre, në disa raste janë huazuar fjalë edhe për shkak të prirjes së disa të
folmeve profesionale për të qenë “sa më të përgjithshme, sa më ndërkombëtare”. Kjo gjë
vërehet në leksikun e fushave të artit, të modelistëve, të biznesit, të financave, të
informatikës, të turizmit etj. dhe lidhet me fushën, por edhe me kulturën e atyre që i
përdorin fjalët e huaja.
3. Veçoritë e huazimeve
a. Kur huazimi i fjalëve bëhet bashkë me sendet a me konceptet e reja kemi
huazime historiko-kulturore. Kur fjalët e huazuara nuk hyjnë bashkë me sendet e me
konceptet e reja, po bashkëpërdoren si sinonime me fjalët e vendit, kemi huazime
gjuhësore.
b. Huazimet janë kryesisht huazime leksikore, por mund te jenë edhe huazime
gramatikore (morfema fjalëformuese a struktura sintaksore)
c. Jo në të gjitha shtresat e leksikut huazohet njësoj. Historia na ndihmon shumë
për të shpjeguar shtresën e huazuar në leksik.
d. Fjalët që merren nga gjuhët e huaja i nënshtrohen sistemit fonetik e
gramatikor të gjuhës marrëse, d.m.th. shkruhen e shqiptohen sipas vlerës fonike të
alfabetit te saj, eptohen sipas klasave gramatikore dhe sipas rregullave përkatëse
e. Fjalët e huaja mund të kenë pësuar edhe ndryshime në formë e në përmbajtje.
P.sh., gjuha jonë i ka marrë fjalët e huaja dhe i ka përpunuar ashtu si fjalët e veta.
f. Fjalët e huaja vijojnë të zhvillohen në truallin e gjuhës marrëse, bëhen njësi të
fjalorit të saj dhe u nënshtrohen kushteve konkrete historike, që përcaktojnë zhvillimin e
leksikut të kësaj gjuhe në përgjithësi; ato bëhen edhe tema prodhuese. P.sh., në shqipe
mjek-u <lat. medicus ka dhënë brenda shqipes mjekoj, mjekim, i mjekuar, mjekësi,
mjekësor, i mjekueshëm etj. Fjalët e formuara në këtë mënyrë janë formime të shqipes
dhe nuk mund të quhen huazime.
4. Grupimi i huazimet leksikore
1. Sipas rrugës së hyrjes në gjuhë huazimet leksikore mund të jenë:
a. të drejtpërdrejta d.m.th. të marra drejtpërdrejt nga gjuha e huaj. Kështu, fjalët
faqe, mjek, mur, qytet, shëndet, shok etj., i kemi marrë drejtpërdrejt nga latinishtja; fjalët
bisedë, nevojë, potkua, vedër, zakon etj., i kemi marrë nga sllavishtja etj.

3
b. të tërthorta d.m.th. të marra nëpërmjet një gjuhë tjetër të tretë. Kështu, fjalët
arabe nur, shejtan, vakt, zaif, zeman etj. janë huazime të tërthorta, sepse janë marrë
nëpërmjet turqishtjes; edhe fjalët prej burimit grek gramatikë, gjeografi, leksikologji,
metaforë, sinonim, sintaksë, telefon, telegraf etj., që i kemi marrë nëpërmjet gjuhëve
neolatine, janë huazime të tërthorta.
2. Sipas përmbajtjes huazimet leksikore në gjuhën shqipe mund të jenë:
a. huazime të plota, kur fjala ka hyrë ashtu siç është në gjuhë të huaj.
b. huazime strukturore, kur fjala në të vërtetë është shqip, por është ndërtuar
sipas gjedhes së një fjale të huaj, si: lat. casus (cadere) → shq. rasë (bie), lat. quali(s)+tas
→ shq. cilë+si, quanti(s)+tas → shq. sa+si etj. Këto huazime strukturore quhen edhe
kalke.
Kalket janë fjalë të formuara me brumin e shqipes; në to është i huaj vetëm
ndërtimi i fjalës. Të tilla janë edhe asgjësoj, bashkëjetesë, bashkëtingëllore, drejtpeshim,
drejtshkrim, fuqimisht, kryevepër, ndajfolje, ndërgjegje, nënshtroj, nënvizoj,
njëkohësisht, përshtypje etj.
3. Sipas shkallës së ngulitjes në sistemin e gjuhës huazimet leksikore mund të
jenë
a. të ngulitura dhe shkalla e ngulitjes varet nga vlera që ka fjala e huazuar në
gjuhë; si rregull, sa më i rëndësishëm të jetë funksioni i fjalës së huazuar (sepse mund të
japë një koncept të ri ose të bëjë një dallim kuptimi), aq më shumë ka nevojë gjuha për të,
prandaj aq më thellë futet ajo fjalë në përbërjen leksikore të gjuhës, në sistemin
fjalëformues, në sistemin semantik etj. Të tilla janë fjalët baba, bukë, mjek, mur, nip,
prind, qytet, rrugë, shok, tenxhere, tepsi, top, xhep etj.
b. të pangulitura (barbarizma), që nënkupton se shumë fjalë të huazuara mund të
mos përdoren më në shqipe: agravoj “rëndoj”, angazhim-i “zotim”, azhurnoj
“përditësoj”, eksperienc/ë-a “përvojë”, implementoj “zbatoj, vë në jetë”, influenc/ë-a
“ndikim”, parcial-e “pjesor, i pjesshëm” e të tjera, që janë të zëvendësueshme me fjalë
vendi.
4. Sipas vlerës së përgjithshme huazimet leksikore mund të grupohen:
a. në fjalë të huaja
b. në fjalë ndërkombëtare, që i takojnë më shumë terminologjisë dhe që
pwrvetwsohen më lehtë, zënë vend më shpejt e janë më të qëndrueshme në gjuhë.
Fjalët ndërkombëtare mund t’i grupojmë sipas dy kriteresh:
Sipas fushës së përdorimit: më shumë fjalë ndërkombëtare ka në jetën politiko-
shoqërore: deputet, diktaturë, ideologji, klasë, kongres, kushtetutë, parti, republikë etj.;
në fushën e shkencës dhe të teknikës: filozofi, gramatikë, gjeografi, gjeologji, histori,
mikroskop, radio, tank, telegraf, traktor etj.; në fushën e artit: akuarel, orkestër, peizazh,
personazh, poemë, portret, roman, skenë, teatër etj.; po ashtu në fushën e transportit, në
sport, në mjekësi etj.
Sipas burimit: fjalët ndërkombëtare janë kryesisht me prejardhje nga greqishtja:
filozofi, fonetikë, gramatikë, gjeografi, histori, homonim, morfologji, sinonim, sintaksë;
nga latinishtja: kushtetutë, linguistikë, republikë, senat etj.; nga italishtja: kanto, solo,
soprano, tenor; nga frëngjishtja: adresë, burokrat, deklaratë, ekip etj.; nga anglishtja:
basketboll, futboll, miting etj.

4
5. Huazimet mund te shihen dhe nga çasti historik kur kanë hyrë në një gjuhë.
Meqenëse gjuhët i.e. bashkëkohore janë gjuhë të reja dhe pak a shumë u dihet gjuha amë,
huazimet mund t’i ndajmë:
a. huazime të trashëguara nga gjuha mëmë, p.sh., shqipja nga ilirishtja,
anglishtja nga gjermanishtja, greqishtja e re nga greqishtja e vjetër etj.
b. huazime vetjake, që nënkupton që një gjuhë e dhënë i ka marrë drejtpërdrejtë
fjalët nga një tjetër.
6. Huazimet mund te kundrohen edhe nga mënyra a rruga sesi hyjnë në një gjuhë.
Ato mund te jenë:
a. shkrimore
b. gojore.
7. Huazimet mund te grupohen dhe sipas përkatësisë historike. P.sh., në gjuhën
shqipe ato kanë një rëndësi te jashtëzakonshme, sepse kanë peshën e tyre në përcaktimin
e historisë së vetë shqipes. Populli ynë gjatë historisë së tij mijëravjeçare ka pasur takime
e marrëdhënie me popuj të tjerë. Këto janë pasqyruar edhe në leksikun e shqipes.
8. Shtresën e huazuar ne mund t’i shohim edhe sipas gjuhëve dhënëse. Në shqipe
do te veçonim grupet e mëposhtme:
a. Fjalë të burimit grek, që janë huazimet më të hershme. Huazime të tilla për
shkaqe gjeografike ka pasur që në kohë të lashtë, po më shumë fjalë greke hynë në shqipe
që nga shekulli VIII para epokës sonë, kur kolonë greke erdhën e u vendosën në trojet
ilire, si në Epidamnos (Durrësi), Apolloni (Pojani) etj. Në përgjithësi fjalët nga greqishtja
e vjetër u përkasin fushave shoqërore, të bimësisë etj.: fier, lakër, mokër, pjepër, presh,
qershi etj.
Huazime leksikore nga greqishtja, të kohës bizantine dhe të kohës së re, kanë hyrë
sidomos në jetën shoqërore, në artizanat, në botën shtëpiake, në kopshtari etj.: avlli, fis,
flamur, lajm, mëndafsh, oreks, i pastër, pronë, tipar, stolis, trastë, trëndafil etj. Një pjesë
e madhe e huazimeve leksikore nga greqishtja ka mbetur në të folme anësore si
krahinorizma; një pjesë tjetër ka dalë ose po del nga përdorimi (fjalë të vjetruara e
historizma).
Është dëshmuar gjithashtu se edhe shqipja ka ndikuar mbi greqishten: në
greqishten e re gjenden rreth 70 fjalë të burimit shqip.
b. Fjalë të burimit latin e roman në leksikun e shqipes, që janë zakonisht nga
latinishtja dhe u përkasin shekujve të parë të epokës sonë. Pushtimi romak në Shqipëri
zgjati rreth 500 vjet. Prandaj ndikimi i latinishtes në shqipe ka qenë i madh, aq sa nga
Gustav Majeri dhe nga ndonjë studiues më pas u hodh e u mbrojt mendimi që shqipja
ishte një gjuhë “e përzier, gjysmëromane”. Por gjurmët e latinishtes në gjuhën shqipe
janë mbivlerësuar. Në të vërtetë shqipja i bëri ballë ndikimit të fortë të latinishtes dhe
nuk u asimilua prej saj.
Latinishtja ka lënë gjurmë më shumë në emërtimin e pjesëve të trupit, të shtëpisë,
në emrat e kafshëve, të drurëve etj.: bujk, faqe, fëmijë, flok, fqinj, furrë, fytyrë, gusht,
janar, këmbë, këngë, kokë, kushëri, lepur, letër, maj, e martë, mars, e mërkurë, mik, mjek,
prill, prind, pulë, pyll, qen, qepë, qytet, shkurt, shok, ulli, i varfër etj. Terma me burim
latin ka edhe në mjekësi e në degë të tjera.
Pas periudhës romake shqipja vijoi të ketë ndikime nga gjuhët romane që dolën
prej latinishtes, sidomos nga italishtja e frëngjishtja.

5
Fjalë nga italishtja hynë më shumë në fushën e tregtisë, të lundrimit, të luftës etj.:
bankë, barkë, batare, fitoj, karrocë, kushton, marinar, paguaj, timon, trumbetë, vapor,
velë. Këto fjalë hynë në shqipe në kohën e mesme. Ky numër u rrit pas 1912-ës, sidomos
pas pushtimit fashist më 1939. Në terminologjinë e teknikës, të makinerisë, të ndërtimit
etj. u futën terma nga italishtja; po kështu hynë fjalë nga italishtja edhe në bujqësi, në
mobilieri, në punët e kuzhinës, në modë, në art etj. Natyrisht, jo të gjithë italianizmat
mbetën në përdorim, por, nga ana tjetër, më pas e në ditët tona kanë hyrë edhe italianizma
të rinj, disa prej të cilëve (të tillë si anunçoj) nuk duhen lënë sa të zënë rrënjë. Huazimi
më i hershëm i fjalëve nga frëngjishtja në shqipe i përket kryesisht fundit të shekullit XIX
e fillimit të shekulli XX. Janë fjalë që përdoren në administratë, në drejtësi, në shkollë, në
jetën shoqërore e politike, në teknikë, në mjekësi, në arte, në modë, në sport etj.: adresë,
ambasadë, barrikadë, bluzë, bronshit, broshurë, burokrat, bursë, byro, deklaratë, depo,
dosje, ekip, etapë, galloshe, grevë, gri, kamion, kancer, masazh, mesazh, pallto,
parashutë, pardesy, plazh, prokuror, prizë, pudër, shofer, shovinizëm, triko, turneetj.
Fjalët nga frëngjishtja, përgjithësisht, bëjnë pjesë në leksikun profesional e terminologjik
dhe mjaft prej tyre kanë karakter ndërkombëtar.
c. Fjalë të burimit sllav në leksikun e shqipes që janë zakonisht nga serbishtja dhe
nga bullgarishtja kanë hyrë në shqipe gjatë Mesjetës. Fjalë të burimit sllav kemi në
bujqësi, në blegtori, në zejtari, në organizimin shoqëror etj.: çekiç, çudit, dobi, fllad,
gostit, gozhdë, grabit, grusht, habit, kockë, prashit, pushkë, strehë, trup etj. Nga
sllavishtja kanë ardhur edhe disa toponime: Bistricë, Bogovë, Bozhigrad, Çorovodë,
Gorishtë, Novoselë, Pogradec, Zagori etj.
d. Fjalë të burimit turk në leksikun e shqipes, që nisin të hyjnë në gjuhën shqipe
që nga shekulli XV. Fushat që u prekën më shumë nga turqishtja qenë urbanizmi, veshja,
kuzhina, administrata etj. Më të pakta qenë ndikimet në fushat e bujqësisë, të blegtorisë e
të bimësisë. Më të hershmet janë huazimet leksikore në fushën e luftës e të veshjeve:
bori, çarçaf, çorape, daulle, dyfek, fitil, sënduk, top etj.; pastaj vijnë fjalë edhe nga fusha
të tjera: baba, bilbil, fodull, hakë, hambar, hendek, kafe, inat, manushaqe, pazar,
penxhere, perde, raki, sahat, tepsi, xhep, xhezve etj. Ky fond i parë i fjalëve turke erdhi e
u rrit me fjalë të kuzhinës, të jetës shoqërore etj. Duhet shënuar që shumë fjalë të burimit
oriental janë asimiluar plotësisht nga shqipja dhe janë bërë pronë e saj. Siç është thënë më
parë, nëpërmjet turqishtes kanë hyrë në shqipe edhe fjalë arabe ose persiane, prandaj
përdoret edhe emërtimi orientalizma, por gjuhë huazuese për shqipen edhe e këtyre
fjalëve ka qenë turqishtja.
Huazimi i mëtejshëm i fjalëve nga turqishtja ka kohë që është ndërprerë. Ato që
shqipja tashmë i ka bërë të vetat, kanë disa veçori:
1. Pjesa më e madhe e turqizmave u përket fushave të lëvizshme, si fushës së
marrëdhënieve shoqërore, ekonomike, të administratës, të luftës, të urbanistikës, të
veshjeve, të kuzhinës etj., prandaj ka qenë edhe e paqëndrueshme.
2. Shumë fjalë me burim nga turqishtja në shqipe kanë marrë ngjyrim emocionues
e stilistik (kryesisht keqësues) dhe disa prej tyre përdoren si mjete stilistikisht funksionale
kryesisht për këtë ngjyrim: baballëk, bejtexhi, dembel, derdimen, dyfek, dynja, matrapaz,
matrapazllëk, mejhane, pazarllëk, surrat, topçi, yxhym etj. Këto huazime përdoren në
letërsinë artistike për karakterizimin e vetjeve, të kohës së ngjarjeve (sidomos në shkrime
satirike e humoristike), pra si mjete me vlerë stilistike.

6
3. Shumë fjalë me burim nga turqishtja në leksikun tonë nuk janë tema prodhuese
për formimin e fjalëve të reja. Kjo karakteristikë është një shenjë tjetër që tregon se ato
nuk kanë hyrë thellë në strukturën leksikore të shqipes.
4. Disa fjalë të këtij burimi kanë qëndruar në leksikun tonë vetëm në shprehje të
ngurosura; jashtë këtyre nuk përdoren: bëj derman, u bë helaq, s’bëhet kabull, s’kam
gajle, s’kam qeder, më zuri qederi etj.
5. Shumë fjalë me burim nga turqishtja kanë mbetur në të folme të veçuara (në të
folmet e Shqipërisë së mesme, në të folmet verilindore etj.) ose në rrafshin e ligjërimit të
thjeshtë dhe nuk kanë hyrë në leksikun e gjuhës standarde.
Më 2005 u botua “Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe”, hartuar nga Tahir
Dizdari, i cili përmban rreth 4500 fjalë të huazuara nga turqishtja në shqipe, pjesa më e
madhe e të cilave përbëhet nga fjalë të burimit pers e arab.
e. Huazimet bashkëkohore, që nënkuptojnë fjalët që kanë hyrë dhjetëvjetëshat e
fundit a që hyjnë në një gjuhë në ditët e sotme. Dallojnë këtu huazimet nga anglishtja,
nga frëngjishtja, nga italishtja etj.
9. Huazimet leksikore mund të shtresohen edhe sipas shtrirjes territoriale:
a. huazime mbarëterritoriale
b. Huazime me shtrirje te kufizuar territoriale (p.sh., shumë sllavizma në
kosovarishten, shumë greqizma në toskërishte a në çamërishte etj.).
5. Qëndrimi kundrejt fjalëve të huaja
Sipas disa studiuesve fjalët e huaja e pasurojnë gjuhën, sipas të tjerëve ato e
prishin dhe prandaj duhen nxjerrë të gjitha nga përdorimi. Në këtë çështje duhet mbajtur
një qëndrim i drejtë dhe i mbështetur shkencërisht. Disa nga fjalët e huazuara e kanë
përcaktuar tashmë vendin e tyre në leksikun e shqipes.
1. Shumë fjalë të huaja janë bërë pronë e leksikut të shqipes dhe zëvendësimi i
tyre me fjalë të tjera nuk mund të bëhet më. Po kështu kanë zënë vend në leksikun e
gjuhës sonë edhe fjalët ndërkombëtare (internacionalizmat).
2. Shumë fjalë të huazuara tani kanë marrë një ngjyrim emocionues keqësues.
3. Në ditët tona gjuha shqipe është e hapur përballë gjuhëve të huaja, sidomos
përballë anglishtes e veçanërisht ndër emigrantët përballë italishtes e greqishtes, prej të
cilave ka marrë e do të marrë fjalë që nuk i ka vetë. Shumë emërtime të fushës së
informatikës, të financave, të ekonomisë së tregut, të biznesit, të arteve moderne etj., që
sot kanë marrë zhvillim të veçantë, vijnë në shqipe bashkë me konceptet që shprehin dhe
mbushin zbrazëtitë e leksikut. Ky huazim ka vlerën e vet pasuruese, por, nëse bëhet pa
kurrfarë kontrolli e pengese, kthehet në një dukuri të dëmshme për gjuhën tonë, sidomos
kur mbushet me fjalë të huaja ligjërimi i folur ose shtresa leksikore e përdorimit të
përgjithshëm. Prandaj duhet të bëhen përpjekje për të penguar huazimin e fjalëve nga
gjuhë të tjera ose për të hedhur jashtë përdorimit fjalët e huaja, kur për ato kemi fjalë
shqipe, plotësisht me të njëjtin kuptim, më të njohura, të përpikëta e të qarta për folësit
e shqipes. Veprimtaria e gjerë e shkrimtarëve, e gazetarëve, e veprimtarëve politikë e
shoqërorë, e njerëzve të kulturës e të artit etj. për pastrimin e pasurimin e gjuhës
standarde, konkretizohet edhe me zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë shqipe, një
pjesë e të cilave janë botuar në librin “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj” (1998).
Çështja e pastërtisë së leksikut lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e gjuhës amtare, si
tipar themelor i kombësisë, nga çdo përzierje e huaj, si edhe me kristalizimin e normave
të gjuhës standarde në leksik. Në këtë sistem norma letrare, siç e kemi thënë më parë,

7
është më e çlirët, sesa në fonetikë e në gramatikë. Kjo do të thotë që, përveç disa
varianteve leksikore (siç janë sinonimet), gjuha standarde pranon edhe fjalë të huaja, të
domosdoshme për përmbajtjen e tyre dhe për kërkesat e disa fushave, si terminologjia,
ligjërimi shkencor etj. Por është krejt i papërligjur vërshimi pa kufizim i fjalëve të huaja
të panevojshme, siç ndodhi në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX e siç po vijon edhe
sot, sidomos në publicistikë e në ligjërimin politiko-shoqëror.

2. LEKSIKU DHE SHTRESIMI I TIJ SIPAS PËRDORIMIT

Çështjet: 1. Leksiku sipas shpeshtësisë së përdorimit


a. Leksiku aktiv dhe fjalori themelor
b. Leksiku pasiv
- Shtresa e vjetruar e leksikut
- arkaizmat
- historizmat
- barbarizmat
- Neologjizmat
2. Leksiku sipas sferës së përdorimit:
a. Leksiku i përgjithshëm
b. Leksiku terminologjik
3. Leksiku sipas normësimit
a. Leksiku normativ
b. Leksiku dialektor dhe krahinor

Literaturë: J. Thomai, Leksikologjia e gjuhës shqipe, Tiranë, 2006


N. Varfi, Leksikologjia e gjuhës frënge, Tiranë, 2006
E. Çabej, Studime gjuhësore, III, Prishtinë, 1977

1. Leksiku sipas shpeshtësisë së përdorimit


a. Leksiku aktiv dhe fjalori themelor
1. Duke u mbështetur në shpeshtësinë e përdorimit të leksikut në një gjuhë
(kështu dhe në shqipe) në fjalorin që përdor dikush, dallohen dy shtresa fjalësh:
a. shtresa aktive, që përbëhet nga fjalë që njihen mirë e përdoren shpesh në punët
e përditshme e në jetën e zakonshme. Kështu, për të gjithë janë të njohura fjalët i bukur,
diell, eci, jam, kam, kohë, lart, mirë, nënë, njeri, pemë, punoj, tokë, them, i zi etj.; ato
përdoren shpesh dhe përbëjnë shtresën e përdorimit të përbashkët të leksikut.

8
b. shtresa pasive, që përbëhet nga fjalë që s’njihen prej të gjithëve ose, megjithëse
njihen, s’përdoren; në vend të tyre përdoren fjalë të tjera. Kështu fjalë si dac, frezë, krrej,
lëpitkë, mbodhisem, pishtoll, poronicë, punto, tabare, tyl, uzdajë, vatan, zaman etj., nuk
janë të përdorimit të përgjithshëm. Po të flasim për njerëz që punojnë në fusha të veçanta,
atëherë del, p.sh., që informaticieni njeh fjalët e mjeshtërisë së tij, mjeku të tjera fjalë etj.
Çdo njeri ka fondin aktiv dhe fondin pasiv të fjalëve.
2. Leksikun e gjuhës duhet ta vështrojmë edhe nga një pikëpamje tjetër: Shumë
fjalë të leksikut, duke qenë se shënojnë sende e dukuri me rëndësi, megjithëse kanë
kaluar shekuj, ruhen e përdoren edhe sot. Duke u mbështetur te shkalla e
qëndrueshmërisë së fjalëve në një gjuhë dallojmë fondin themelor te fjalorit i cili
përbëhet nga një numër i vogël i kufizuar fjalësh, që janë shumë te vjetra, madje te
trashëgura edhe nga gjuha amë. Këto fjalë janë zakonisht fjalë rrënja. Në gjuhë dallojmë
edhe fjalorin themelor, për te cilin ka mendime të ndryshme: dikush e identifikon me
fondin themelor, dikush tjetër fjalorin themelor e sheh më te gjerë dhe fondi themelor
përbën bërthamën e tij. Fondi themelor dhe fjalori themelor përfshihen në leksikun
aktiv, por ky i fundit është më i gjerë.
3. Sistemi leksikor dhe semantik i një gjuhe përfshin jo vetëm fjalë te përdorimit
te përditshëm, që i ndeshim gati në te gjitha situatat ligjërimore (fjalori aktiv), por
gjenden dhe mijëra e mijëra fjalë që përdoren në situata te caktuara komunikuese. Në
leksikun e sotëm hyjnë fjalë edhe shumë të vjetra, edhe krijime të ditëve tona, që janë në
përdorim të përditshëm, nga gjithë shoqëria ose nga grupe të caktuara njerëzish. Themi
fjalë “të vjetra” dhe jo “të vjetruara”. Gjithashtu themi fjalë “të reja” që janë në përdorim
të përditshëm nga gjithë shoqëria ose nga grupe të caktuara njerëzish, d.m.th. fjalë që
përdoren, sepse i kërkon nevoja e marrëveshjes gjuhësore ndërmjet njerëzve. Për leksikun
e sotëm nuk ka kufizime, nëse fjalët janë të përgjithshme ose të kufizuara nga ana
territoriale a profesionale, mjaft që ato të jenë të gjalla në ditët tona.Këto fjalë krijojnë
grupin e madh paradigmatik të leksikut pasiv, ku ndër te tjera do të dallohen dy
nëngrupe:
a. shtresa e vjetëruar
b. shtresën e neologjizmave
Shtresa e vjetruar e leksikut
Në shtresën e vjetruar të leksikut hyjnë fjalët që për shkaqe historike a gjuhësore
sot nuk përdoren më në marrëveshjen gjuhësore ose mund të përdoren vetëm për qëllime
stilistike (arkaizmat dhe historizmat).
a. Arkaizmat janë fjalë që janë vjetruar a po vjetrohen dhe për këtë arsye kanë
dalë ose po dalin nga përdorimi, kalojnë nga shtresa aktive në shtresën pasive të leksikut.
Arkaizmat kanë dalë nga përdorimi për shkak se kanë dalë fjalë të tjera për të
emërtuar po ato realie a dukuri. Fjalë që vjetrohen për shkaqe të tilla gjuhësore, janë
arkaizma të mirëfilltë. Të tilla janë disa fjalë që dalin në veprat e autorëve të vjetër, por
sot nuk i ndeshim më, si: ager-i “gomar”, agerinj/ë-a “gomaricë”, hijez/ë-a “ombrellë”,
mang-u “mashkulli i sutës, dre”, përderës-i “lypës”, përmjellet “zbardhet” etj.
Janë arkaizma edhe disa trajta fjalësh, që janë zëvendësuar më pas me trajta të
tjera, si: botes/ë-a “botim”, caktes/ë-a “caktim”, kungat/ë-a “kungim”, letëror-i “letrar,
shkrimtar”, lëngat/ë-a “lëngim”, mësonjës-i “mësues” etj.
Në gjuhën shqipe ka edhe kuptime të vjetruara, kur fjala vetë sot përdoret, por një
nga kuptimet e saj s’është më i gjallë, si kuptimi “dëgjoj” i fjalës gjegj, kuptimi “jetë” i

9
fjalës gjell/ë-a, kuptimi “botë” i fjalës jet/ë-a (“rraha jetën”; [“ Lis jeta kish ndërruar”
(Jeronim De Rada)] etj., siç dalin këto tek autorët tanë të vjetër. Ndodh edhe kështu që
një fjalë është arkaike, shpeshherë e pakuptimshme dhe nuk përdoret veçan, ndërsa në
shprehje ruhet ende sot; p.sh., te shprehjet bëj pallë, vë re, i jap dum, siç është shpjeguar
edhe më parë, fjalët pallë, re, dum janë fjalë të vjetruara në sistemin leksikor të shqipes.
b. Historizmat, fjalë të vjetruara, që lidhen ngushtë me fatin e sendit a të konceptit
që emërtojnë, lidhen edhe me etapa të caktuara historike, ekonomike e kulturore, kurse
sot përdoren vetëm për të dhënë me vërtetësi atë periudhë. Të tilla janë fjalët aga, bej,
breshanë, havana, heshtë, karajfile, kumbara, pasha, shishane, shqytë, vergji etj. Sendet
a konceptet që shënojnë historizmat nuk janë më sot, lidhen me një periudhë të kaluar
historike dhe janë zhdukur bashkë me të.
Fjalët e vjetruara nuk bëjnë pjesë në leksikun e gjuhës standarde, por në letërsi
përdoren me vlera stilistike të veçanta. Kështu, arkaizmat e sidomos historizmat e shqipes
përdoren nga shkrimtarët për t’i dhënë ngjyrim historik periudhës që përshkruajnë në
veprat e tyre. Kjo vërehet sidomos në romane historike, si te “Skënderbeu” e “Ali Pashë
Tepelena” të Sabri Godos, “Kalorësi i Skënderbeut” i Haki Stërmillit, “Kështjella” i
Ismail Kadaresë etj.
Disa fjalë të vjetruara edhe mund të ringjallen e të rihyjnë në shtresën aktive të
leksikut, sikundër ka ndodhur me fjalët bashki, komunë, prefekt etj., ose me fjalë të
leksikut fetar, të cilat para pesëmbëdhjetë vjetësh nuk përdoreshin, ishin në shtresën
pasive të leksikut si fjalë të vjetruara, kurse sot janë rikthyer në përdorim aktiv.
Shtresa e fjalëve të reja (neologjizmat)
Zhvillimi i pandërprerë i ekonomisë, i tregtisë, i transportit, i teknikës dhe i
shkencës etj., kërkon dita-ditës nga gjuha plotësimin e fjalorit të saj me fjalë e me
shprehje të reja, të domosdoshme për veprimtarinë politike, ekonomike, shoqërore e
kulturore. Për të plotësuar këto kërkesa, në gjuhë lindin neologjizma. Lindja e fjalëve të
reja nxitet edhe nga një shkak tjetër: nga leksiku dalin jashtë përdorimit e vjetrohen
shumë fjalë dhe për t’i zëvendësuar ato duhen krijuar fjalë të tjera.
Veçoritë
1. Fjalët e reja ndërtohen me lëndën e gjuhës amtare. Fjalë të shpikura kot, pa
një mbështetje a pa një gjedhe të njohur, zakonisht nuk ka. Na duket ndonjëherë se fjala e
re ka dalë rastësisht, ndërsa në të vërtetë në formimin e saj kanë vepruar ligjet e
brendshme të gjuhës. Vetë kërkesat e jetës e të shoqërisë janë shkaku që të lindin fjalë të
reja dhe ato formohen, duke u mbështetur në pasurinë e gjuhës e sipas ligjeve të saj.
2. Neologjizmat kanë karakter historik; ata janë të tillë për një kohë të caktuar.
Kur kalon njëfarë kohe dhe pasi fjalët e reja janë shtrirë në përdorim të gjerë, nuk mbeten
më neologjzma, humbasin tiparin “ e ri” të tyre: fjalët cilësi, fletore, kryeqytet, mëmëdhe,
ndërgjegje, sasi etj. qenë neologjizma në periudhën e Rilindjes Kombëtare, kur u krijuan,
kurse tashti nuk trajtohen më si të tillë.
3. Neologjizmat mund të kenë burim popullor dhe atëherë mbeten anonimë. Por
shumë herë fjalët e reja krijohen nga autorë, që përpiqen të pastrojnë dhe të pasurojnë
leksikun e gjuhës. Këto janë të identifikueshme. Shkrimet shqipe, që nga më të hershmet,
na dëshmojnë se në gjuhën tonë janë krijuar e kanë hyrë në përdorim shumë fjalë të reja,
që e kanë zgjeruar leksikun e saj. Edhe në ditët tona leksiku i shqipes është pasuruar me
shumë fjalë e shprehje të reja si kërkesë e zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor

10
4. Neologjizmat nuk hyjnë menjëherë në leksikun e gjuhës standarde. Më parë
ata fitojnë, si të thuash, “qytetarinë” në leksikun e gjuhës shqipe, pastaj me kohë, sipas
vlerës që kanë, mund të bëhen pronë e standardit. Veç kësaj, duhet theksuar që fjalët e
reja (neologjizmat) nuk përbëjnë hop a përmbysje në gjuhë, po një zhvillim të natyrshëm
e të shkallëshkallshëm, sepse përndryshe brezat njerëzorë s’do të merreshin vesh
ndërmjet tyre.

2. Leksiku sipas sferës së përdorimit


Sipas fushës (sferës) së përdorimit leksiku i një gjuhe mund të ndahet në dy grupe
te mëdha:
a. Leksiku i përgjithshëm, që përmbledh fjalët e zakonshme te gjuës së
përditshme, fjalët që përdoren në te gjitha fushat e jetës shoqërore.
b. Leksiku special që përfshin fjalët profesionale dhe terminologjinë.Në fushat e
ndryshme të veprimtarisë njerëzore, sipas mjeshtërive, ndeshim shtresa fjalësh që njihen
e përdoren vetëm nga grupe të caktuara njerëzish, nga punonjës e specialistë që
merren me një punë të caktuar. Kështu, janë specifike për pilotët fjalët bombardues,
gjuejtës, pikiatë, pilotazh, skuadrilje etj.; për blegtorin fjalët çile, kërrabë, kërrutë, mëzoj,
syskë, shelqëror etj.; për bujkun lehë, lesoj, rrahë, tëharr, ugar etj.; për studentin auditor,
katedër, leksion, provim etj.
Një vend të veçantë në gjuhë, sidomos në ligjërimin e thjeshtë dhe më pak në atë
bisedor, zënë shprehjet me prejardhje nga të folmet profesionale, që përdoren me kuptim
të figurshëm: ia shkeli gazin “iku shpejt”; i dha një lustër “e zbukuroi bisedën; ia bëri
qejfin dikujt, i vë kryq “ e heq nga vëmendja”; ia shtrëngoi vidhat “ia mblodhi, e solli në
vete” etj.
Një pjesë e profesionalizmave përdoren edhe jashtë kufijve të profesionit, madje
edhe në letërsinë artistike. Por ka disa fjalë që njihen vetëm nga specialistët; siç u tha,
kimistët, mjekët, bujqit etj. përdorin një tog fjalësh të veçanta, që të tjerët s’i dinë ose nuk
ua sjell puna t’i përdorin rregullisht.
Profesionalizma janë edhe termat e nevojshëm për një profesion. Vetë termat
paraqiten si profesionalizma, derisa nuk janë shtrirë në përdorim të përgjithshëm.
a. Termi emërton një send ose një koncept në një fushë të caktuar të diturisë a të
teknikës.
b. Çdo shkencë ose fushë prodhimi ka termat e vet, që krijojnë një sistem dhe që i
shërbejnë për të shprehur konceptet e veta. Tërësia e termave të një fushe përbën
terminologjinë e asaj fushe.
c. Tërësia e termave në një gjuhë përbën leksikun terminologjik të asaj.
Cilat janë shtresat kryesore të fjalorit terminologjik në gjuhën shqipe?
a. Vendin kryesor e zënë termat e formuar nga fjalët thjesht shqipe. Kjo është
bërë e mundur nga një karakteristikë e veçantë e fjalorit terminologjik: një pjesë e tij
mund të rindërtohet menjëherë, termat e mëparshëm mund të zëvendësohen shpejt. Pra,
leksiku terminologjik është më i lëvizshëm, në kuptimin që jo vetvetiu, po në mënyrë të
vetëdijshme, me punën e disa studiuesve në lëmin e terminologjisë, në të mund të bëhen
ndryshime të shpejta. Natyrisht, këto ndryshime mbështeten në zhvillimin historik të
terminologjisë së një shkence. Kur ngulitet, terminologjia mund të ruhet më gjatë.
Rilindësit tanë dhe më pas studiuesit në lëmin e gjuhësisë bënë zëvendësimin e një pjese
të terminologjisë së huaj me terma shqip ose krijuan terma të rinj sipas nevojës së

11
shkencës, të teknikës, të kulturës etj.; në gjuhësi: dhanore, emërore, fjalor, folje, gjinore,
gjuhësi, kallëzore, kallëzues, kryefjalë, mbiemër, nyjë, presje, ndajfolje, parafjalë,
parashtesë, pasthirrmë, përemër, prapashtesë etj.; në filozofi: domosdoshmëri, hapësirë,
hop, ndërgjegje, përmbysje, zhvillim etj.; në matematikë: barazim, brinjë, fuqi, heqje,
mbledhje, pjesëtim, rrënjë, shumëzim, trekëndësh, zbritje etj.
Në gjysmën e dytë të shekullit XX janë hartuar dhe janë botuar dhjetëra fjalorë
terminologjikë (shumëgjuhësh), që kanë sistemuar dhe (ç’është më e rëndësishme) kanë
shqipëruar shumë terma të fushave të ndryshme të shkencës e të teknikës. Është e
kuptueshme që për leksikun terminologjik nuk mund të mendohet një pastrim i
tejskajshëm nga fjalët e huaja, sepse një pjesë e terminologjisë ka karakter ndërkombëtar
dhe sepse fusha konceptore që mbulon ajo ka karakter kryesisht abstrakt.
b. Fjalori terminologjik i gjuhës shqipe përfshin edhe fjalë të huaja e
ndërkombëtare. Kështu, në gjuhësi: antonim, dialekt, fonetikë, frazeologji, gramatikë,
leksik, morfemë, semantikë, sinonim, sintaksë, term etj.; në filozofi: agnosticizëm,
dialektikë, idealizëm, ideologji, klasë, materializëm, revolucion etj.; në matematikë:
algjebër, formulë, gjeometri, logaritëm, piramidë, stereometri etj.; në fizikë: atom,
elektricitet, korrent, magnetik, masë, optikë, tension etj.; në financë: bankë, bursë, çek,
kambizëm, monedhë, transaksion etj.
Veçoritë e terminologjisë
1. Terminologjia në një shkencë a në një fushë të caktuar është e njësuar. Gjithë
specialistët që punojnë në këtë fushë, përdorin të njëjtët terma, përndryshe shkenca do të
ishte për ta dhe për të tjerët e pakuptueshme.
2. Gjithashtu, për të mos penguar marrëveshjen, termat janë në përgjithësi
njëkuptimësh (monosemantikë), d.m.th. përdoren vetëm me një kuptim dhe zakonisht në
kuptim të drejtpërdrejtë e jo të figurshëm. Por në leksikun terminologjik të gjuhës së
sotme shqipe ndeshim ndonjë term që ka më se një kuptim ose terma homonimë, d.m.th.
që përdoren si term në fusha të ndryshme. Kështu, bazë (kripërat në kimi) // bazë
shoqërore (në filozofi); operacion ushtarak (në ushtri) // operacion kirurgjik (në mjekësi)
// operacion bankar (në financë); operator (në ekonomi) // operator (në kinematografi) //
operator (në kompjuter); rrënjë e fjalës (në gjuhësi) // rrënjë katrore (në matematikë) etj.
3. Terminologjia ka karakter të theksuar sistemor.
4. Kur termat i kanë kaluar kufijtë e një profesioni të ngushtë, janë shtrirë në
përdorim të përgjithshëm dhe nuk janë vetëm fjalë të kufizuara të specialistëve, atëherë
bëjnë pjesë edhe në shtresën e përgjithshme të leksikut. Ndodh procesi i
shterminologjizimit. Kështu, fjalët aeroplan, artikull (gazete), bredh, grip, mësim,
misër, paguaj, para, spital, shkollë, tren, traktor, universitet etj. nuk janë vetëm terma
në fushat përkatëse, por edhe fjalë të leksikut të përgjithshëm.
5. Profesionalizmat dhe terminologjia janë karakteristik për ligjërimin libror ose
për stilin shkencor-teknik, por përdoren edhe ndër vepra letrare atëherë kur e kërkon vetë
tema e shtjelluar, kur ajo lidhet me çështje të teknikës ose të shkencës dhe kur duam të
tipizojmë ndonjë personazh. Megjithatë, terminologjia shkencore nuk është karakteristik
për leksikun e letërsisë artistike.

3. Leksiku sipas normësimit


a. Leksiku normativ (Leksiku i gjuhës standarde)

12
Gjuha shqipe tashmë është formuar si gjuhë kombëtare e njësuar ose si standard i
përgjithshëm me norma të ngulitura në të gjitha nënsistemet e saj. Ajo ka arritur në këtë
shkallë nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë, duke i bërë ballë ndikimit të huaj asimilues,
duke kapërcyer ndarjen dialektore dhe duke zhvilluar trajtat e saj të përbashkëta. Fillimet
e saj historike gjuha e sotme standarde shqipe i ka që në periudhën e Rilindjes kombëtare,
kur lufta për kulturën dhe për gjuhën ishte e lidhur ngushtë me lëvizjen e gjerë politike,
shoqërore e kulturore dhe me luftën e armatosur për pavarësi.
Në historinë e studimit të gjuhës sonë standarde të përgjithshme janë shprehur
pikëpamje të ndryshme për formimin, për kufijtë historikë, për bazën dialektore etj. të
kësaj gjuhe. Para viteve ‘50 të shekullit XX është mbrojtur nga disa studiues mendimi se
gjuha jonë standarde e përbashkët ose nuk do të formohet asnjëherë, ose do të formohet
vetëm si gjuhë zyrtare, si gjuhë e administratës dhe e shkollës, se letërsia artistike do të
vijojë të zhvillohet në ligjërimet dialektore. Ky koncept nisej nga mendimi se dialektet e
shqipes kanë “dallime të thella e të pakapërcyeshme” ndërmjet tyre. Në variantin më të
skajshëm ky koncept ndërkohë pengonte parimisht çdo afrim shoqëror, kulturor e
gjuhësor dhe ushqente paragjykime lokaliste.
Norma drejtshkrimore e gjuhës sonë standarde u kodifikua në Kongresin e
drejtshkrimit të gjuhës shqipe, që u mbajt në nëntor 1972. Në këtë kuvend historik
mbarëkombëtar u hapën rrugët dhe u përvijuan drejtimet kryesore për kristalizimin e
zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës standarde edhe në nënsisteme të tjera, si gramatika,
leksiku, fjalëformimi etj. Vendimet e këtij kongresi, që u paraprinë nga përpunimi,
diskutimi e botimi i rregullave të drejtshkrimit dhe nga vendimet e Konsultës për gjuhën
letrare (Prishtinë 1968), u miratuan e u vunë në jetë edhe nga shqiptarët e Kosovës, të
Maqedonisë, të Malit të Zi e të diasporës.
Në gjendjen e sotme të gjuhës sonë standarde janë vendosur norma të
përpunuara e të qëndrueshme në të gjitha nënsistemet, si në fonetikë, në gramatikë, në
leksik, në fjalëformim e në stilistikë. Gjuha standarde nuk është e ngrirë, ajo zhvillohet
gjithnjë së brendshmi, me mundësitë e zhvillimit që ka ajo vetë, si edhe nëpërmjet
veprimit të përbashkët të të dy dialekteve mbi të. Funksionet shoqërore të kësaj gjuhe
janë zgjeruar shumë, ajo është shtrirë pothuaj në të gjitha fushat e jetës e të veprimtarisë
sonë. Për zhvillimin e saj të mëtejshëm rol të rëndësishëm luan kryeqyteti, i cili sot po
bëhet laborator për sprovën e standardit të arritur dhe për zhvillimet e mëtejshme
përafruese gjuhësore.
Shqipja standarde ka fituar tipare të dallueshme edhe në fushën e leksikut, të
frazeologjisë e të formimit të fjalëve.
a. Një tipar themelor është veprimi pasurues i barabartë i të dy dialekteve në
leksikun e saj. Në këtë fushë nuk mund të flasim as për zotërim as për mbizotërim të këtij
ose të atij dialekti, sepse që të dy dialektet marrin pjesë njësoj si në bërthamën e leksikut
të gjuhës standarde, ashtu edhe në pasurimin e tij të mëtejshëm. Një kuptim i drejtë
shkencor i kësaj dukurie është vetë vlerësimi i gjithë pasurisë leksikore e frazeologjike të
gjuhës shqipe si pasuri e përbashkët kulturore kombëtare, pavarësisht nga burimi
dialektor. Vlerësimi i një fjale a i një shprehjeje nuk bëhet sipas burimit dialektor, por
sipas vlerës reale që ka në sistemin leksikor të këtij standardi. Ky veprim pasurues i
pakufizuar mbështetet edhe në afrinë leksikore të të dy dialekteve të gjuhës shqipe.
Megjithatë, leksiku i standardit nuk mund të shihet thjesht si prodhim i
bashkëveprimit ndërdialektor, as si i krijuar në dhjetëvjeçarët a në shekullin tonë. Ai

13
përmban si elemente nga më të lashtat e shqipes, ashtu edhe elemente nga më të rejat, si
fjalë të gjuhës së përbashkët, ashtu edhe fjalë me burim dialektor a krahinor. Prandaj,
mund të bëjmë një shtresim të leksikut të gjuhës standarde nga pikëpamja e formimit të
normës dhe e përgjithësimit në përdorim..
a) Shtresën kryesore të leksikut të standardit të sotëm e përbëjnë fjalët e
shprehjet që i takojnë gjithë truallit gjuhësor të shqipes, të cilat nuk mund të cilësohen
më si të këtij a si të atij dialekti. Siç kuptohet, kjo shtresë përfshin pjesën kryesore të
fjalëve e të shprehjeve të mbarë shqipes, pa të cilën nuk mund të merret me mend jeta e
gjuhës së një kombi. Të tilla janë fjalët e shprehjet që emërtojnë sendet që na rrethojnë,
cilësitë, veprimet etj.; këto fjalë e shprehje janë të përbashkëta për të dy dialektet, si: ah,
diell, ditë, dorë, dy, eci, edhe, i kuq, larg, me, i mirë, njeri, një, njoh, për, i përdorshëm,
qaj, ruajtje, rritem, sipër, shoh, shtatë, udhë, vonë e dhjetëra mijë fjalë të tjera; po ashtu:
ngul këmbë, marr vesh, heq dorë, i ktheu krahët, sy ndër sy, si qeni me macen e mijëra
shprehje të tjera. Për shqipen mund të thuhet se kjo lëndë e përbashkët është mjaft e gjerë
dhe vërteton se dialektet në leksik nuk kanë qenë e nuk janë fort larg njëri-tjetrit.
b) Një shtresë tjetër të leksikut të gjuhës standarde shqipe e përbëjnë fjalët e
shprehjet që janë formuar brendapërbrenda shqipes ose janë huazuar nga gjuhë të
tjera. Shumë fjalë të leksikut të përgjithshëm e terma të fushës politiko-shoqërore, të
shkencave të ndryshme në zhvillim, të industrisë e të bujqësisë moderne, të financave e të
biznesit, të artit e të kulturës etj., që janë krijuar me brumin e shqipes ose që kanë hyrë në
shqipe nga gjuhë të tjera e janë përvetësuar prej saj, janë pronë e përbashkët e gjuhës
shqipe dhe mund të bëhen pjesë e leksikut të standardit. Kësaj pasurie nuk mund t’i vihet
asnjë ngjyrë dialektore.
Në etapën e tashme të zhvillimit të shqipes standarde është rritur në mënyrë të
veçantë numri i fjalëve me prejardhje (me ndajshtesim) dhe me përbërje, si edhe është
zgjeruar struktura kuptimore e shumë fjalëve të tjera. Këto dy rrugë të brendshme të
pasurimit të leksikut të gjuhës shqipe zotërojnë kryekëput mbi rrugën e jashtme, të
huazimit.
Duhet theksuar se mënyrat, modelet dhe mjetet kryesore për formimin e fjalëve,
që janë gjallëruar më shumë tashti, kanë qenë pronë e mbarë gjuhës shqipe, pra, e të dy
dialekteve. Kështu, prapashtesat -ar, -tar, -or, -tor të emrave të vepruesit, -im, -je të
emrave të veprimit, -i, -ri, -si të emrave abstraktë të cilësisë, -or, -tor, -ar, -shëm, -të të
mbiemrave etj., si edhe modelet e formimit të fjalëve (me parashtesim, me prapashtesim
etj.), nuk mund të quhen dialektore. Prandaj, fjalë të tilla, si i artë, këpucar, kufizoj,
lulishte, malësor, mbarëvajtje, ndërlidh, orizore, pleqësi, trimërisht etj. nuk mund t’i
cilësojmë si të burimit dialektor.
c) Shtresën e tretë të leksikut të shqipes standarde e përbëjnë ato fjalë e shprehje
që i kapërcejnë kufijtë e dialekteve e të të folmeve dhe ngrihen në normë. Kjo është
shtresa që formohet nga veprimi pasurues i dialekteve në leksikun e gjuhës standarde.
Gjuha letrare merr prej dialekteve çdo fjalë e shprehje që i duhet për të plotësuar sistemin
dhe që i sjell asaj një pasurim të vërtetë. Kështu, janë bërë pronë e gjuhës letrare një varg
fjalësh e shprehjesh me burim nga dialekti i Veriut: akullnajë, almise, argëtoj, arushë,
befas, bjeshkë, bungajë, burrneshë, kreshnik, krye, kubël, kumtoj, kurrkund, lahutë,
lamtumirë, log, madje, mashtroj, njoftoj, ortek, i pafytyrë, etj.

14
Në dialektet e të folmet e shqipes ka shumë fjalë e shprehje të tilla të vlefshme, që
duhen mbledhur e duhen futur në përdorim të përgjithshëm, sepse i sjellin pasurim të
vërtetë leksikut të gjuhës standarde.
Edhe në fushën e formimit të fjalëve shqipja standarde ushqehet nga dialektet.
Kështu, për formimin e disa emrave të vepruesit (lexues, mësues, ndërtues, parashikues
etj.), të disa mbiemrave (shifra krahasuese, punë sqaruese, plan rregullues, shtëpi
botuese etj.), të disa fjalëve të përbëra (hekurpunues, shinashtrues, vetëshkarkues etj.)
dhe të mbiemrave me prapashtesën -shëm (i dëgjueshëm, i kuptueshëm, i lejueshëm, i
pranueshëm etj.) ka shërbyer si temë prodhuese pjesorja e dialektit të Veriut, që mbaron
me togun zanor -ue (lexue, mësue, ndërtue, shtrue, shkarkue, dëgjue, kritikue, kuptue,
lejue, pranue etj.), kurse vetë trajta e pjesores së foljeve dhe trajta e mbiemrave (mësuar,
ndërtuar, punuar, mbaruar etj. dhe i mësuar, i punuar, i mbaruar etj.) është ajo e
dialektit të Jugut. Ja se si dy mjete me prejardhje dialektore janë ngritur njësoj në normë
dhe janë bërë pronë e gjuhës standarde.
2. Një tipar tjetër i rëndësishëm i leksikut të shqipes standarde është prirja për
pastrimin nga fjalët e huaja të panevojshme. Çështja e pastrimit të leksikut të gjuhës
letrare nga lënda e huaj, si edhe e pasurimit të tij me mjetet e vetë shqipes, është bërë
tashti një çështje jo vetëm e gjuhëtarëve, por edhe e njerëzve të arsimit e të kulturës, e
shkrimtarëve, e përkthyesve, e publicistëve, e specialistëve etj
3. Së fundi, duhet theksuar që leksiku i shqipes standarde shquhet për begatinë
e mjeteve të shprehjes dhe të mjeteve emocionuese, që i japin ligjërimit shkathtësi e
forcë të veçantë dhe zhvillojnë më tej sistemin e stileve funksionale. Shprehje e begatisë
janë letërsia artistike origjinale dhe e përkthyer, publicistika e folur dhe e shkruar,
ligjërimi bisedor letrar në situata të ndryshme etj.
b. Leksiku dialektor dhe krahinor
Fjalët dialektore e krahinore dallohen gjithnjë në kundërvënie me normën
leksikore të gjuhës sonë standarde, sepse ato qëndrojnë jashtë kufijve të gjuhës së
njësuar e të përgjithshme. Mirëpo, siç është thënë edhe më parë, fondi leksikor dialektor
e krahinor është burim i pashtershëm për pasurimin e leksikut të gjuhës standarde me
fjalë e me kuptime fjalësh.
Ndryshe nga profesionalizmat, leksiku dialektor ka kufizim nga ana territoriale, ai
është leksik i një dialekti a i një të folmeje të veçantë që mbulon një territor të caktuar.
Dy dialektet e gjuhës sonë afrohen, në radhë të parë, se kanë të njëjtë pjesë më të
madhe të fjalëve. Pjesa e përbashkët e leksikut të dy dialekteve përbën shtresën
leksikore ndërdialektore. Njësitë leksikore, frazeologjike e kuptimore të kësaj shtrese i
përkasin gjuhës së përbashkët shqipe. Kështu, fjalët amtar, bishtuk, bjerr, bjeshkë,
borigë, buthtoj, cergë, dajre, def, drithnik, dry (ndryj), hapës “çelës”, hulli, kodër,
krunde, krye, mësues, ndot, ngujohem, rras, rrok, shend, shkalloj, shpinë a kurriz, e
tashme, trangull, xhubletë etj. nuk mund të quhen krahinorizma, pavarësisht nga
prejardhja e tyre fillestare.
1. Fjalë dialektore a krahinore janë ato fjalë që përdoren vetëm në njërin
dialekt ose në një të folme të caktuar, që nuk përdoren në dialektin tjetër a në të folmet
e tjera. Kështu, në të folmet e Veriut: me bujtë, çikë, me fashitë, gastare, kërtollë, kimçë
“xinxife”, kolovajzë, me u rrekë, shakë “bushtër”, sharrabajkë, tarnagop, teplote, turrë,
zhgjandërr etj.; në të folmet e Jugut: çap “hap”, dhjozmë “mendër”, gjiton “fqinj”,

15
kaçkë, kaposh, keçe, krrej, kumbullore, mbodhisem, mëllë, mërqinjë “xinxife”, nakatos,
neçe, qeramidhe, qyrek, shtrij “vrapoj”, tërkuzë etj.
2. Dialektore a krahinore mund të jenë fjalët ose kuptimet e tyre. Kemi fjalë
dialektore kur në dialektin tjetër ajo nuk përdoret fare, sepse për të njëjtin koncept ka një
fjalë tjetër: çikë “vajzë”, çikë “pak”, gastare “qelqe”, hulloj “brazdoj”, kërtolla
“patate”, tambël “qumësht” etj. Kemi kuptim dialektor kur fjala njihet në të dy dialektet,
por një kuptim i saj nuk njihet në dialektin tjetër: dollap “dritare” (në Veri e në Shqipëri
të Mesme); e ligë “shtatzanë” (në Jug) // “ e sëmurë” (në Veri); këndoj “lexoj” (në Jug);
ndjek “përzë” (në Jug); patëllxhan “domate” (në Veri); qasem “largohem” (Shqipëria e
Mesme) // “afrohem” (Myzeqe) etj.
3. Dialektizmat duhen parë edhe nëse për ta ka ose jo një fjalë tjetër të përbashkët
në shqipe; p.sh., në Jug kumbullore // në Veri molla t’arta = e përbashkët domate; në Jug
koce, keçe // në Veri cucë, çikë = e përbashkët vajzë; në Jug gjiton // në Veri komshi = e
përbashkët fqinj; në Veri fugoj // në Jug shtrij = e përbashkët vrapoj etj. Në këto raste
është më lehtë të caktosh normën e përgjithshme të standardit. Ndryshe qëndron puna me
ato fjalë dialektore, që nuk kanë një sinonim të përbashkët, veç një fjalë në dialektin
tjetër; në këtë rast si normë e përbashkët merret një nga fjalët dialektore, ndërsa tjetra
mbetet e kufizuar në dialekt a në të folme. Për këtë arsye është edhe mundësia e
shkëmbimeve ndërdialektore.
4. Fjalët që kanë dallime fonetike sipas shqiptimit krahinor, janë variante
fonetike dialektore: çubë “kaçubë”, gabë “shkabë”, zborë / xborë / vdorë “borë,
dëborë” etj. Edhe huazimet nga gjuhët e tjera, kur këto futen vetëm në një dialekt a në
një të folme, si gjiton (nga greq.), komshi (nga turq.), ose cucë, uzdajë, kërtolla, stap
(nga sllav.), që njihen e përdoren vetëm në të folmet e Veriut, janë dialektizma a
krahinorizma.
5. Fondi leksikor dialektor e krahinor është burim i pashtershëm për pasurimin
e leksikut të gjuhës standarde me fjalë e me kuptime fjalësh. Kështu, janë përgjithësuar
e janë bërë pronë e gjuhës standarde fjalët me burim dialektor: almise, i aftë, anije, banoj,
fli, gërvisht, i gjorë, i imët, jehonë, këqyr, luginë etj.
6. Fjalët dialektore e krahinore i ndeshim në ligjërimin dialektor, në të folur e në
letërsinë gojore popullore.
7. Kur i cilësojmë fjalët si dialektore ose si krahinore, duhet të bëjmë të qartë
ç’kemi parasysh: burimin nga kjo ose nga ajo e folme, gjendjen e tyre të sotme jashtë
kufijve të gjuhës standarde apo përdorimin me vlera të tilla në letërsinë artistike. Këto
janë shkallë të ndryshme të përvetësimit të leksikut krahinor, gjë që gjuha e bën
vazhdimisht sipas nevojave të saj.
8. Leksiku dialektor e krahinor i gjuhës shqipe është gjurmuar, është mbledhur
dhe është botuar ndër fjalorë dialektorë a krahinorë, ndër fjalorë shpjegues, në revista
etj. Ai gjithashtu është studiuar për t’i zbuluar vlerat dhe për t’i hapur rrugën drejt
përdorimit të gjerë.

16
3. LEKSIKU DHE KULTURA

Çështjet: 1. Gjuha dhe kultura


2. Gjuha dhe letërsia
3. Ligjërimet në gjuhën shqipe
4. Stilet funksionale në shqipen standarde

Literaturë: J. Thomai, Leksikologjia e gjuhës shqipe, Tiranë, 2006


N. Varfi, Leksikologjia e gjuhës frënge, Tiranë, 2006
R. Memushaj, Hyrje në gjuhësi, Tiranë , 2006
Sh. Gërmizaj, Stuart Manni..., Prishtinë, 2004

Kulturë duhet kuptuar tërësia e dijeve dhe e shprehive praktike, e besimeve, e


normave morale dhe juridike, e vlerave materiale dhe shpirtërore të një shoqërie.
Çdo shoqëri njerëzore ka një grumbull normash dhe dijesh, të cilat njeriu i mëson
pak nga pak, duke filluar që nga çasti që lind e deri në fund të jetës së tij. “Njeriu plaket
duke nxënë”, thotë fjala e urtë popullore, duke shprehur në formë të thukët të vërtetën e
mësipërme.
Kultura lidhet ngushtë me gjuhën, e cila është pjesë përbërëse e saj. Kultura
mbështetet në një shkallë të madhe në gjuhën, pasi kjo shërben si mjet për krijimin,
pasurimin, ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimit kulturor nga një brez te tjetri. Pa gjuhën,
nuk mund të ruhej dhe të transmetohej përvoja e fituar në përgatitjen e veglave, në
gjuetinë e kafshëve të egra, në përdorimin e zjarrit, në njohjen e mjedisit rrethues etj.
Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, pasardhësit e trashëgojnë kulturën prej breznive
paraardhëse me anë të gjuhës.
Marrëdhëniet midis gjuhës dhe kulturës janë lidhje ndërvarësie: nevojat kulturore
ndikojnë në zhvillimin dhe pasurimin e gjuhës, por edhe gjuha ndikon në zhvillimin

17
kulturor të shoqërisë. Studimi i ndikimit të ndërsjellë midis gjuhës dhe kulturës përbën
objektin e etnolinguistikës, një disiplinë në kapërcyell që përdor metodat e antropologjisë
për të zbuluar rolin e gjuhës në jetën e shoqërisë.
Duke u nisur nga roli i madh i gjuhës në jetën e shoqërisë njerëzore, disa
gjuhëtarë kanë arritur në përfundimin se njeriu jeton i rrethuar jo vetëm nga biosfera, por
edhe nga psikosfera, dmth që njeriu nuk mund të mendohet pa gjuhën dhe jashtë ndikimit
të saj. Por shpesh kjo është kuptuar edhe sikur njeriu është i dënuar të vërtitet në rrjetën e
gjuhës, duke mbetur skllav i përjetshëm i saj. Një pikëpamje e tillë lidhet me emrin e V.
Humboldtit, i cili pranonte se njeriu, nga krijues i gjuhës, bie pastaj në prangat e saj.
Sipas tij, gjuha, duke shërbyer si ndërmjetëse midis njeriut dhe botës së jashtme,
përcakton mënyrën se si ky e percepton botën, dmth. botëkuptimin e tij, dhe nga kjo ai
arriti në përfundimin e gabuar se bashkësi gjuhësore të ndryshme kanë botëkuptime të
ndryshme.
Ideja e Humboldit se gjuha përcakton botëkuptimin e njeriut dhe të shoqërisë
njerëzore, u rimor në shek. XX nga E. Sepiri & B. Uorfi (Benjamin Lee Ëhorf) në atë që
quhet hipoteza e Sepir–Uorfit që përfshin në vetvete:
a. determinizmin gjuhësor (gjuha përcakton mendimin)
b. relativizmin gjuhësor (strukturat gjuhësore janë pafundësisht të ndryshme,
dmth. nuk mund të gjenden gjuhë të ngjashme).

a. Në shkrimet të viteve të fundit të jetës, Sepiri u mor edhe me rolin e gjuhës në


jetën e shoqërisë. Ai shkruan se “qeniet njerëzore nuk jetojnë vetëm në botën objektive,
as vetëm në veprimtarinë shoqërore, siç kuptohet kjo zakonisht, por janë shumë më tepër
në mëshirën e gjuhës së veçantë” ose se “kategori të tilla, si numri, gjinia, rasa etj. janë
jo aq të zbuluara nga përvoja sesa të imponuara nga pushteti tiranik që forma gjuhësore
ka mbi orientimin tonë në botë”.
E meta themelore e kësaj hipoteze është se e sheh lidhjen midis gjuhës dhe
kulturës në mënyrë të njëanshme, duke e vënë gjuhën mbi bashkësinë kulturore që e
flet. Ka shembuj të shumtë që e hedhin poshtë determinizmin gjuhësor. Në planin
filozofik, botëkuptimi nuk varet nga gjuha. Historia e shkencës gjatë shekujve ka qenë
plot me shembuj të ndryshimeve të herëpashershme të botëkuptimit edhe brenda së
njëjtës bashkësi gjuhësore.
Nga fusha e leksikut, kjo tezë nuk mbështetet as prej shembujve që sillen nga
përkrahësit e saj për mospërputhjen në gjuhë të ndryshme të fushave leksikore që
mbulojnë të njëjtat fusha konceptore. Rasti më interesant është ai i emërtimeve të
ngjyrave të spektrit të dritës. Ka gjuhë amerindiane që kanë fjalë vetëm për dy ngjyra, për
të bardhën dhe të zezën, ose për tri ngjyra: të bardhën, të zezën dhe të kuqen. Kjo nuk do
të thotë se folësit e këtyre gjuhëve nuk i dallojnë ngjyrat. Nuk kemi të bëjmë me deficit
mendor që këtyre popujve ua ka imponuar gjuha, por me atë që në kulturën e tyre nuk
është ndier nevoja për dallime më të holla.
Në mbështetje të kësaj mund të sillen shembuj nga leksiku si i gjuhëve të popujve
të zhvilluar edhe të popujve në shkallë më të ulëta zhvillimi. P.sh., për borën shqipja ose
anglishtja kanë vetëm një fjalë, kurse eskimezët kanë fjalë rrënjë të veçanta për borën që
bie, për borën e rënë në tokë, për borën që e lëviz era, për borën e shkrifët etj. Popujt e
shkretëtirave kanë fjalë të ndryshme për llojet e rërave, arabët kanë dhjetëra sinonime për
kalin etj. Shumësia e sinonimeve për të njëjtin objekt apo e emërtimeve të veçanta për

18
gjendje të veçanta të tij në disa bashkësi gjuhësore vjen nga rëndësia e madhe që kanë ato
objekte në jetën e këtyre bashkësive, ashtu si mungesa e tyre në gjuhë të tjera shpjegohet
me atë që objektet në fjalë nuk kanë ndonjë vlerë për bashkësitë që i flasin këto gjuhë.
Është e njohur që fushave të njëjta konceptore në gjuhë të ndryshme u
përgjigjen fusha të ndryshme leksikore. Këto mospërputhje nuk vijnë ngaqë disa
bashkësi gjuhësore nuk janë në gjendje t’i ndajnë në më shumë përbërës fushat
konceptore, por nga shkalla e zhvillimit dhe nga veçoritë kulturore të tyre.
Megjithatë, ka shumë fakte që provojnë se struktura e gjuhës ndikon në
perceptimin dhe kujtesën, dmth. që perceptimi dhe kujtesa ndihmohen nga prania në një
gjuhë të caktuar e fjalëve dhe e shprehjeve të përshtatshme. Prandaj gjuhëtarë e psikologë
janë për një variant më të butë të kësaj hipoteze. Kështu, është provuar në mënyrë
eksperimentore se njerëzit i vërejnë dhe i mbajnë mend më mirë gjërat që janë të
kodueshme në gjuhën e tyre, dmth. gjërat për të cilat gjuha ka fjalë dhe shprehje të
gatshme. P.sh., folësit monolingë të gjuhës amerindiane zuni, e cila ka një fjalë të vetme
për ngjyrën e verdhë dhe portokalli, e kanë më të vështirë se folësit e kësaj gjuhe që
njohin edhe anglishten, ose se anglishtfolësit, për t’i riidentifikuar pas njëfarë kohe
objektet me këto ngjyra të kodifikueshme në anglishte. E njëjta gjë ndodh edhe me një
njeri të zakonshëm në shoqëritë tona, që e ka të vështirë të dallojë dhe të emërtojë
nuancat e ngjyrave, ndërkohë që një specialist tekstili është në gjendje të dallojë dhe të
emërtojë edhe nuancime shumë të holla, të cilat njeriu i pastërvitur nuk i vë re.
Përgjithësisht, është gjë e njohur që në disa gjuhë është më e lehtë të bëhen disa dallime
sesa në gjuhë të tjera. Kjo varet nga nevojat që ka për këto dallime një kulturë e caktuar,
por, edhe kur ato mungojnë në një gjuhë, kjo ka një ndikim të kufizuar në kujtesën dhe
perceptimin e folësve të saj.
b. Relativizmi gjuhësor. Hipoteza e relativizmit gjuhësor lidhet me pohimin tjetër
të Sepirit se “nuk mund të gjenden dy gjuhë që të jenë aq të ngjashme, saqë të
konsiderohen se përfaqësojnë të njëjtin realitet shoqëror”. Kjo hipotezë gjen mbështetje
në tezën e Sosyrit mbi natyrën arbitrare të shenjës gjuhësore. Siç kemi vënë në dukje më
parë, midis shënuesit dhe të shënuarit nuk ka ndonjë lidhje të brendshme ose logjike,
dmth. shënuesi është arbitrar. Kjo gjë që duket qartë kur biem në kontakt me një gjuhë
tjetër.
Në variantin e saj të fortë, hipoteza e relativizmit gjuhësor, sipas së cilës shumë
nga dallimet gramatikore dhe leksikore janë të tilla që ato që mund të thuhen në një
gjuhë, nuk mund të thuhen në një gjuhë tjetër, bart një varg rrjedhimesh negative jo
vetëm në aspektin teorik të problemit, por edhe në atë praktik. Vërtet që gjuhët kanë
dallime, përndryshe nuk do të kishte disa mijëra syresh, por, me gjithë dallimet, ato kanë
edhe shumë tipare të përbashkëta. Ngjashmëritë midis tyre burojnë, së pari, nga pjesa e
trashëguar e gjuhës dhe këtu është fjala për ato që quhen universale gjuhësore; së dyti,
ngaqë në çdo gjuhë gjenden fjalë, shprehje e ndërtime sintaksore të huazuara.
Kjo hipotezë bie në kundërshtim edhe me faktet e dygjuhësisë, pasi, sipas saj
individët dygjuhësh do të kishin në kokën e tyre dy botëkuptime të pa-pajtueshme.
Mirëpo, në të vërtetë, këta nuk ndiejnë ndonjë vështirësi kur kalojnë nga një gjuhë në
tjetrën dhe janë në gjendje të thonë të njëjtën gjë në secilën nga gjuhët që flasin. Pra, po
t’i përmbahesh teorisë së relativizmit gjuhësor, mohohet mundësia e përkthimit nga një
gjuhë në tjetrën. Mirëpo përkthyesit pranojnë se shumë shpesh ajo që thuhet ose shkruhet
në një gjuhë, mund të shkruhet ose të thuhet edhe në gjuhën tjetër. Më në fund, teza se

19
gjuhët nuk ngjajnë në asgjë midis tyre, mohon edhe huazimet kulturore midis popujve me
gjuhë të ndryshme, kur dihet që kulturat, ashtu si popujt, japin e marrin midis tyre.

2. Gjuha dhe letërsia


Pa fjalë, pa gjuhë, nuk mund të ketë letërsi. Kjo lidhje e ngushtë shfaqet në të
gjitha rrafshet, si në rrafshin e krijimit letrar, ashtu edhe në rrafshin teorik, d.m.th., të
disiplinave që merren me këto dy dukuri.
Në rrafshin e krijimit letrar, shkrimtarët, të vetëdijshëm se një vepër letrare nuk
mund të ketë sukses pa një gjuhë të pasur, i drejtohen leksikut popullor, duke qëmtuar
prej tij fjalë e shprehje të rralla. Veprat e Jakov Xoxës pëlqehen jo vetëm për mjeshtërinë
e tij në thurjen e subjektit, por edhe për gjuhën e gjallë dhe të pasur me fjalë dhe shprehje
frazeologjike që karakterizojnë bukur zgjuarsinë dhe botën e pasur shpirtërore të
myzeqarit. Nga ana tjetër, për të shprehur përjetimet e tyre artistike, shkrimtarët dhe
poetët i drejtohen jo vetëm leksikut popullor, por edhe gjedheve fjalëformuese të gjuhës,
duke krijuar sipas këtyre gjedheve fjalë të reja që pasurojnë leksikun e saj.
Në rrafshin teorik, ndonëse teoria e letërsisë dhe kritika letrare janë disiplina të
veçanta nga gjuhësia, ato nuk mund të kuptohen pa u mbështetur tek gjuhësia. Ka fusha
ku gjuhësia dhe disiplinat letrare operojnë me të njëjtat koncepte, si p.sh. metrika dhe
fonetika. Në disa pika objektet e këtyre dy fushave përputhen midis tyre, si struktura
metrike e vargut dhe struktura fonologjike e thënies, ku koncepti i ritmit përputhet me
konceptin e fjalës fonetike dhe këmba metrike me këmbën fonetike etj. Po kështu, bartjet
e emërtimit janë objekt edhe i teorisë së letërsisë, edhe i semantikës.
R. Jakobsoni veçon funksionin poetik, si një nga funksionet e gjuhës. Sipas këtij
gjuhëtari, studimi i funksionit poetik, që është funksioni mbizotërues i letërsisë, përbën
një nga detyrat e studimit gjuhësor.
Lidhjet midis këtyre disiplinave dhe nevoja që kanë teoria e letërsisë dhe kritika
letrare për gjuhësinë janë kuptuar vonë. Vetëm aty nga çereku i parë i shek. XX, me
veprën e gjuhëtarit frëng Sharl Bali për stilistikën, u arrit të kuptohej rëndësia e gjuhësisë
për letërsinë. Më vonë, me zhvillimin e gjuhësisë strukturaliste dhe, sidomos, me lindjen
e teorisë së akteve të ligjërimit dhe të gjuhësisë së tekstit, u vunë re përpjekje të shumta
të gjuhëtarëve dhe të kritikëve letrarë për t’i afruar këto dy disiplina: gjuhëtarët filluan ta
bënin gjuhën e letërsisë artistike objekt të hulumtimeve të tyre, kurse kritikët letrarë të
përdornin në analizat e tyre koncepte të gjuhësisë, si strukturë, plan i shprehjes, plan i
përmbajtjes, mesazh, kod, dhënës, marrës etj. etj. dhe të zbatonin në analizën e veprave
letrare metodat e rrepta të strukturalizmit.
Disiplina ku duket më mirë lidhja e gjuhësisë me letërsinë, është stilistika, e cila
është një disiplinë gjuhësore që merret me studimin e mundësive stilistike të gjuhës.
Studimi i këtyre mundësive bëhet duke u mbështetur te gjuhësia. Duke e trajtuar veprën
letrare si një tekst dhe duke kërkuar raportet midis kodit gjuhësor dhe kuptimit letrar,
lexuesi bëhet më i vetëdijshëm për procedurat interpretuese dhe, në këtë mënyrë,
edukohet tek ai një qëndrim vlerësues për letërsinë si dhe mprehet siguria e tij në vlerën
komunikative të kodit gjuhësor. Procedurat interpretuese që ngërthen ligjërimi letrar nuk
janë shumë të ndryshme nga ato të ligjërimit joletrar. I vetmi ndryshim midis përdorimit
letrar dhe përdorimeve të tjera të gjuhës është se në ligjërimin letrar gjithçka e nevojshme
për interpretimin e mesazhit gjendet në vetë mesazhin, dmth. ky është i vetëmjaftueshëm,
nuk ka nevojë për një kontekst më të gjerë për t’u rrokur. Kurse gjithë mesazhet e tjera

20
gjuhësore kanë nevojë për një kontekst, ato rrjedhin nga mesazhe të mëparshme dhe
nënkuptojnë ngjarje të mëvonshme.

Ligjërimet në gjuhën shqipe


Ligjërimet e gjuhës sonë në të dy variantet e saj (të shkruar e të folur) janë
ligjërimi i thjeshtë, ligjërimi bisedor dhe ligjërimi libror. Për dallimin e këtyre
ligjërimeve shërben si kriter ballafaqimi i mjeteve gjuhësore të ligjërimit me normën e
ngulitur të gjuhës standarde dhe me mënyrën e funksionimit të këtyre mjeteve në një
etapë të caktuar të gjuhës. Ligjërimet janë në të vërtetë shfaqje të shkallëve të ndryshme
të zhvillimit që ka arritur vetë norma gjuhësore. Këtu do të përmendim vetëm disa nga
ato tipare të veçanta të ligjërimeve, sidomos nga fusha e leksikut, që i dallojnë njërin nga
tjetri.
a) Ligjërimi i thjeshtë a “i shkujdesur”. Është ligjërimi i përditshëm i njerëzve
të profesioneve e të krahinave të ndryshme, që nuk i përmbahen në të folur normës
gjuhësore, e shkelin ose e shtrembërojnë atë. Ky ligjërim është shkalla më e ulët në
gjuhë nga pikëpamja e normës gjuhësore, mjetet e shprehjes, që janë të veçanta për të,
qëndrojnë jashtë kufijve të gjuhës standarde dhe kanë si karakteristikë përzierjen me fjalë
e shprehje dialektore. Elementet e standardit merren jo si sistem dhe shumë herë
shtrembërohen. Përdoren mjete me ngjyrime të theksuara emocionuese, fjalë e shprehje
shumë të kufizuara, të nxjerra nga të folmet e zhargonet profesionale. Shumë fjalë e
shprehje të ligjërimit të thjeshtë kanë ngjyrim emocionues të fortë, prandaj si këtu, edhe
kur përdoren në ligjërime të tjera, dallohen qartë si mjete me shprehësi të lartë, por me
përmbajtje “të trashë” e “të rëndë”: (eci në) disk “eci zbathur”, u dogj (koha e caktuar
për diskutim), (më la) kimia, kinkalerira, pesëminutëshi “inati”, qelbësirë, qepe,
qurravec, ia shkeli, moj e poshtër (me familjaritet), (ç’janë këto) zarzavate, iu tha syri, ia
dha dhëmbët në dorë etj. (të gjitha në kuptim të figurshëm), si edhe emrat që përdoren si
sharje: bushtër, dosë, gjarpër, hajvan, hu, kungull, kastravec, leckë, pelë, pykë, qen,
rosak, rrotë, shtazë, tapë etj. Mallkimet e sharjet nga më të ulëtat, epitetet e nofkat i
gjejmë në këtë ligjërim. Kështu, shtresa leksikore karakteristike e ligjërimit të thjeshtë i
kundërvihet normës letrare.
b) Ligjërimi bisedor. Ligjërimi bisedor është, si të thuash, varianti që merr
standardi kur përdoret në të folur e në biseda të lira, kur norma nuk ndihet si prangë e nuk
ruhet plotësisht, por u nënshtrohet ndryshimeve që kërkojnë rrethanat e fushat e
marrëveshjes gjuhësore, formimi kulturor i folësit, vetë lloji i ligjërimit ose synimet
stilistike.
Fjalët e ligjërimit bisedor të shumtën e rasteve janë sinonime me fjalët asnjanëse,
porse me ngjyrime kuptimore dhe emocionuese të veçanta. Këtu nuk hyjnë fjalë e
shprehje “të rënda” a me ngjyrime emocionuese shumë të forta si në ligjërimin e thjeshtë.
Të ligjërimit bisedor janë fjalë e shprehje si: boshatis “zbraz”, dëftej / rrëfej “tregoj”,
kartë “letër”, këndoj “lexoj”, llafe “fjalë”, llafosem “bisedoj, flas”, pandeh “kujtoj”,
pjek “takoj”, pjell “lind”, zaptoj “pushtoj” etj. Në ligjërimin bisedor përdoren shumë
fjalë me prapashtesa zvogëluese, përkëdhelëse e përbuzëse, që nuk vijnë në kundërshtim
me normën dhe që nuk kanë përmbajtje të rëndë. Frazeologjia gjuhësore e pasthirrmat
përgjithësisht janë karakteristikë për ligjërimin bisedor. Shumë fjalë e shprehje të
ligjërimit bisedor lidhen me jetën e përditshme dhe përdoren në letërsinë artistike, në
publicistikë etj., por sidomos në të folur.

21
c) Ligjërimi libror. Ka në përgjithësi tiparet e gjuhës së shkruar, por ka edhe
variantin e folur. Në këtë ligjërim norma gjuhësore ruhet me kujdes dhe çdo shkelje e
saj ndihet menjëherë. Shumë fjalë e shprehje të leksikut abstrakt që karakterizojnë këtë
ligjërim, përdoren edhe si terma në fusha të ndryshme të shkencës. Si rrjedhim, në këtë
grup ka edhe fjalë të huaja e ndërkombëtare, si termat e teknikës, të mjekësisë, të
filozofisë, të gjuhësisë, të elektronikës etj. Një vend të gjerë zënë formimet brenda
shqipes, si emrat abstraktë të veprimit me prapashtesat -im, -je ose të cilësisë me
prapashtesat -i, -ri, -si, fjalët e përbëra terma (ballafaqim, drejtshkrim, i kundërligjshëm,
vetëmohim etj.), ndajfoljet me prapashtesën -isht (botërisht, posaçërisht, sigurisht,
shkurtimisht, tmerrësisht, vendosmërisht etj.), mbiemrat me prapashtesën –or(e)
(burimor, ideor, lëndë drusore, sipërfaqe kullosore, qëllimor, cilësi racore, thelbësor
etj.). Në leksikun e ligjërimit libror nuk zënë vend krahinorizmat e arkaizmat, as fjalët e
zhargoneve ose mjete të tjera shprehjeje që nuk pajtohen me normën gjuhësore të
standardit.

4. Stilet funksionale të shqipes standarde


Gjuha standarde, si forma më e lartë që i përpunon dhe i përsos mjetet e
marrëveshjes e të shprehjes gjuhësore, përdoret në të gjitha fushat e veprimtarisë
shoqërore, porse secila fushë i zgjedh, i përpunon e i përdor këto mjete sipas kërkesave të
veta. Sistemi i mjeteve gjuhësore, të zgjedhura e të përdorura në përshtatje me
përmbajtjen e kërkesat e një fushe të caktuar të veprimtarisë shoqërore, përbën stilin
funksional. Shkurt, stili funksional është trajta që merr standardi për të përmbushur
kërkesat e shprehjes gjuhësore në një fushë të caktuar të veprimtarisë shoqërore.
Gjuha standarde jeton e vepron në trajtën e stileve funksionale. Formimi dhe
zhvillimi i stileve funksionale janë të lidhur me formimin e zhvillimin e vetë gjuhës sonë
standarde. Në shqipen e sotme standarde janë bërë të qarta tashmë vijat kryesore të
stileve funksionale me tiparet e tyre të përgjithshme.
a) Stili i letërsisë artistike. Është gjuha e veprave të letërsisë artistike. Përveç
fushës së veprimtarisë, në zgjedhjen e përdorimin e mjeteve gjuhësore ka rëndësi edhe
gjinia e shkrimeve, subjekti e personazhet, epoka që pasqyrohet, botëkuptimi e formimi
gjuhësor i autorit etj. Gjuha e veprave letrare dallohet për përdorimin e fjalëve të
zgjedhura, “kumbuese” dhe që “tingëllojnë bukur”, fjalë të cilat shprehin më mirë
ndjenjat dhe qëndrimin e autorit. Si pasqyrim artistik i jetës, i botës, letërsia përdor
shumë figurat letrare. Vlerat stilistike mund të jepen edhe me anë mjetesh gramatikore, si
me anë prapashtesash zvogëlimi, përkëdhelie ose përbuzjeje.
Në stilin e letërsisë artistike dallohen dy variante kryesore: ai i prozës dhe ai i
poezisë. Në leksikun e tyre ka dallime:
1. Leksiku i poezisë përfshin fjalët e poezisë popullore dhe krijimet e poetëve të
brezave të mëparshëm e të tashëm. Por, sipas llojit të poezisë e të temës që trajtohet në të,
mund të futen në poezi fjalë të çdo fushe. Kështu, në baladë, në poemë ose në poezi për
një arritje në teknikë, për një figurë a për një ngjarje të shënuar historike etj. do të gjejmë
edhe terma. Por karakteristikë e përgjithshme e leksikut poetik është mungesa e
terminologjisë tekniko-shkencore, e fjalëve të huaja e krahinore, e arkaizmave etj. Ka
shumë krijime poetike e shprehje popullore të bukura. Duket që fjalët zgjidhen me

22
kujdes, si nga përmbajtja e shprehësia, ashtu edhe nga tingëllimi. Le të vërehen këto
karakteristika në vargjet e mëposhtme të Ismail Kadaresë: “Këtij qyteti s’do t’ia kërkojnë
kurrë gërmadhat, / arkeologët, / kohërat s’do t’i hedhin me radhë / hi dhe pluhur mbi
kokë. / I gjallë ai / me buzëqeshje të zjarrtë, / do t’i mbushë arteriet, / tymra, shkëndija,
avuj, / mbi muzeumet, kohërat dhe harrimin / përjetësisht do të vjellë”.
Zgjedhja e fjalëve bëhet edhe për të shprehur urrejtje, tallje, përbuzje etj., siç
ndodh në poezinë humoristike e satirike. Si këtu, edhe në lloje të tjera të poezisë,
përdoren fjalë me ngjyrim emocionues të dukshëm e me shprehësi të lartë. Metafora,
metonimia, sinekdoka dhe figura të tjera letrare i japin gjuhës së poezisë një bukuri
karakteristike.
2. Në prozë kemi një leksik shumë më të gjerë. Letërsia pasqyron çdo fushë të
jetës. Në një roman mund të përfshihen ngjarje nga çdo fushë e veprimtarisë shoqërore,
nga natyra etj. Prandaj edhe leksiku i veprave letrare është i pasur dhe i gjithanshëm. Në
të përfshihen fjalë të poezisë dhe të prozës artistike, terma të degëve të ndryshme të
prodhimit, leksiku i të gjitha ligjërimeve etj. Kjo varet nga tema që trajtohet. Elementet e
stileve të tjera e bëjnë më të përpiktë pasqyrimin artistik. Në fjalorin e veprave artistike
përfshihen fjalë me ngjyrime emocionuese-shprehëse, fjalë të zgjedhura, që mund të
tipizojnë si duhet figurat artistike e mjediset shoqërore, fjalë që karakterizojnë një kohë
(historizmat, arkaizmat), fjalë të ligjërimit të thjeshtë e fjalë krahinore, fjalë të reja të
krijuara nga autori etj.
Për shkak të gjerësisë e të mungesës së organizimit sipas një norme të vetme, ka
autorë që gjuhën e letërsisë artistike nuk e marrin si stil të thjeshtë funksional, por si një
tërësi stilesh e ligjërimesh të ndryshme. Gjithsesi, ligjërimi i shkrimtarit i përmbahet
rregullisht standardit, kurse ligjërimi karakteristik i personazheve u përshtatet kërkesave
stilistike dhe mjetet gjuhësore në këtë ligjërim jashtë standardit fitojnë vlerat e stilemave.
Leksiku i prozës letrare ndryshon sipas vetë lëndës. Ndryshe është leksiku i
veprave që trajtojnë tema shkencore, ku përfshihet një numër i madh termash shkencorë-
teknikë, ndryshe është leksiku i veprave që trajtojnë probleme shoqërore-historike, ku
përfshihen fjalë të bisedës së zakonshme, fjalë të vjetruara etj. Pastaj, leksiku i prozës
poetike afron shumë me atë të poezisë; edhe ai i dramës ka veçoritë e tij. Ja një shembull
nga një përshkrim letrar.
Tipare edhe më të theksuara ka leksiku i letërsisë humoristike, pasi në të përdoren
më dendur disa shtresa fjalësh, si fjalët e huazuara, sidomos turqizmat, fjalët krahinore
(edhe me shqiptim krahinor) e shumë njësi frazeologjike. Këtu norma stilistike ka kufi
shumë të gjerë dhe leksiku pothuaj nuk ka fare kufizime nga ana kohore, krahinore,
profesionale etj.
Në përgjithësi leksiku i letërsisë artistike dallohet për funksionin e dyfishtë: fjala
aty mund të përdoret me kuptim të drejtpërdrejtë dhe me kuptim të figurshëm, gjë që nuk
është karakteristikë, fjala vjen, për letërsinë shkencore.
b) Stili politiko-shoqëror. Është gjuha e veprave politiko-shoqërore, e gazetës, e
propagandës, e raporteve, e fjalimeve, e bisedave politike dhe e artikujve të kësaj fushe.
Nga ana leksikore ky stil qëndron ndërmjet atij të letërsisë artistike dhe atij shkencor-
teknik. Letërsia politiko-shoqërore ka një leksik të zgjedhur, me terminologji të gjerë, me
fjalë me kuptim kryesisht të drejtpërdrejtë. Sikurse letërsia artistike, ka edhe fjalë me
kuptime të figurshme, disa fjalë të vjetruara a dialektore, që përdoren sipas rastit,
frazeologji popullore etj.

23
Stili i sotëm politiko-shoqëror në gjuhën tonë ka nisur të kristalizohet më herët, që
me publicistikën e Rilindjes Kombëtare. Ky stil u kristalizua shumë shpejt dhe, së bashku
me stilin e letërsisë artistike, ka luajtur rol të dorës së parë në njësimin e gjuhës
standarde, në ngulitjen e normave dhe veçanërisht në pasurimin e saj me mjete
shumëvlerëshe. Ai është zhvilluar në dy variante kryesore: në variantin e veprave, të
referateve, të fjalimeve etj. me karakter politik e shoqëror dhe në variantin e publicistikës
(të gazetës e të revistës dhe të medias së folur). Në të dy variantet hyjnë shumë gjini, që
nga informacioni i thjeshtë e artikulli i gazetës e deri te raportet e veprat politiko-
shoqërore të letrarizuara, deri te përshkrimi, te reportazhi, te portretizimi artistik, te
kujtimet (memuaret) etj. Një tipar themelor, pra, i stilit të sotëm politiko-shoqëror është
gjerësia e madhe tematike e gjinore, që nga kufijtë e shkencës deri te letërsia artistike.
Ky tipar ka përcaktuar edhe një dukuri tjetër: shpërthehen kufijtë e një stili të ngrirë e
vërshojnë në të mjete të shprehjes nga stilet e tjera e nga ligjërimet e ndryshme, madje
edhe nga ligjërimi i thjeshtë.
Një tipar tjetër themelor i leksikut të këtij stili sot është pasuria e madhe me fjalë
e shprehje të ligjërimeve popullore, pra, mbështetja në ligjërimet e folura popullore.
Kjo jep mundësi që të zhvillohet një stil i pasur e i larmishëm dhe me fuqi të madhe
ndikuese. Vala e huazimeve të panevojshme, që erdhi në dhjetëvjeçarin e fundit të
shekullit XX dhe në këto vite të shekullit të ri, pjesërisht do të qëndrojë e pjesërisht do të
jetë kalimtare e kështu ajo mund të prekë e mund të prishë diçka në këtë stil, por nuk do
t’ia ndryshojë tiparet themelore.
c) Stili shkencor-teknik. Është gjuha e veprave, e artikujve dhe e studimeve
shkencore, si edhe gjuha e veprimtarisë shkencore e teknike, e prodhimit etj. Një
karakteristikë e përgjithshme e leksikut të prozës shkencore është pasuria me terma
nga fusha të ndryshme të diturisë. Kur lexojmë një studim a një traktat shkencor për
mjekësi, për industri, për gjuhësi, për art etj. na bien në sy në radhë të parë termat. Në
gjuhën e veprave shkencore e të veprimtarisë teknike ka terma të ndërtuar me brumin e
shqipes, që emërtojnë sende e pjesë të tyre, veprime e cilësi etj. Kjo pjesë e
terminologjisë sa vjen e rritet, ngulitet dhe mbizotëron në çdo fushë të shkencës.
Nga ana tjetër, kërkohet domosdo një përpjekje e vetëdijshme dhe e vazhdueshme
për të mënjanuar përdorimin pa nevojë e me tepri të termave e të fjalëve të huaja, që
krijojnë vështirësi për të kuptuar përmbajtjen e tekstit. Puna që bëhet për pastrimin e
shqipërimin e terminologjisë, përkrahet e përhapet në të gjitha fushat dhe kjo do ta
mënjanojë “intelektualizmin” në gjuhë, që del hera-herës në disa vepra e studime
shkencore.
Në prozën shkencore është karakteristik përdorimi i gjerë i emrave foljorë
prapashtesorë me -im dhe -je, përdorimi i një vargu emrash në rasën gjinore, i
lokucioneve të reja librore etj. Këtu ndeshemi me togje të tilla, si: ushtron ndikimin, hyn
në lidhje, në fakt, në esencë, në krahasim me, për shkak se etj. Dendur përdoren ndajfoljet
me prapashtesën -isht (gjerësisht, parimisht, përfundimisht etj.), trajtat pavetore të foljeve
(dihet, duhet, kapet, kërkohet, lejohet etj.) dhe foljet e gjendjes, të të menduarit etj.
(gjendet, pranoj, varet, vërej etj.).
Në këtë stil fjalët përdoren me kuptim të drejtpërdrejtë; fjalët me kuptime të
figurshme ose figurat letrare janë të rralla. Edhe frazeologjia nuk zë vend të
rëndësishëm. Leksiku i veprave shkencore është i pastër nga fjalët e vjetruara, nga

24
turqizmat, nga fjalët krahinore, nga fjalët e të folmeve shoqërore dhe përgjithësisht nga
mjetet e ligjërimit të thjeshtë e bisedor.
Në stilin shkencor mjetet leksikore zgjidhen me kujdes, me synimin që mendimet
të shprehen me qartësi e përpikëri të madhe. Ato mund të ndahen në dy shtresa: shtresa
leksikore e përdorimit të përgjithshëm dhe shtresa e kufizuar nga pikëpamja profesionale,
në të cilën vendin kryesor e zë terminologjia.
ç) Stili juridik-administrativ. Në këtë stil hartohen shkresat e dokumentet
zyrtare, lutjet, telegramet, ligjet e vendimet gjyqësore, kushtetutat e statutet, rregulloret,
urdhëresat, lejet, përshëndetjet etj. Leksiku i këtij stili është më i kufizuar se në stilet e
tjera, fjalët gjithmonë përdoren me kuptim të drejtpërdrejtë, nuk ndërtohen figura letrare,
ka terma, fjalë të huaja e ndërkombëtare. Në letërsinë e këtij lloji nuk gjejmë fjalë të
vjetruara e krahinore. Shenjë e dukshme e këtij stili, janë edhe disa lokucione lidhëzore e
parafjalore, disa togje fjalësh dhe disa shprehje të ligjërimit libror, që, nga përsëritja e
dendur dhe e vazhdueshme, janë kthyer në formula ose në elemente tipike gjuhësore
(duke qenë se, duke marrë parasysh se, në drejtim (të), si rrjedhim, është rregull që, në
bazë të ligjit, sipas nenit, në emrin tim, kam nderin të parashtroj, i drejtohem asaj
ministrie, shpresoj që lutja do të merret parasysh, me nderime, ju njoftojmë që etj.).
Me gjithë karakterin e tij përgjithësisht më të ngurosur, edhe ky stil ka pësuar
ndryshime e zhvillime, duke u çliruar nga disa fjalë, shprehje e ndërtime të vjetruara, nga
disa kallëpe burokratike e duke u bërë më i zhdërvjellët, si në leksik edhe në sintaksë.
Kështu, në shumë dokumente po hyn fjala kërkesë në vend të lutje, shprehjet
përshëndetje në vend të me nderime, në emrin tim në vend të në emrin tim personal etj.;
fraza është përpunuar dhe është afruar më shumë me atë të stileve të tjera. Pra, krahas
përvijimit e kristalizimit të këtij stili, po bëhet edhe ndarja e mjeteve gjuhësore. Nga njëra
anë, shtohen elementet e leksikut të përgjithshëm që hyjnë në këtë stil si mjete asnjanëse,
të përbashkëta për të gjitha stilet dhe përpunohet kështu stili si një pjesë e gjuhës
standarde, si edhe afrohet me stilet e tjera; nga ana tjetër, shquhen më qartë mjetet
gjuhësore me vlerë stilistike që karakterizojnë këtë stil. Në këtë mënyrë bëhen më të
dallueshëm kufijtë e këtij stili me stilet e tjera. Të dyja këto dukuri janë pjesë e zhvillimit
të stilit funksional. Ky zhvillim lidhet si me zhvillimin e gjuhës standarde në përgjithësi,
ashtu edhe me luftën që bëhet për ta pastruar gjuhën e shkresave zyrtare nga fjalët e
shprehjet, të cilave tashmë u ka kaluar koha.
d. Stili fetar. Në këtë stil hartohen veprat fetare.
Thelbi i zhvillimit të çdo stili është zgjedhja dhe përdorimi i mjeteve nga thesari
i gjuhës, në përputhje me kërkesat e përmbajtjen e një fushe të caktuar. Prandaj,
sikurse për gjuhën standarde, edhe për stilet veças, puna e kujdesshme dhe e
ndërgjegjshme e shkrimtarit, e shkencëtarit, e gazetarit, e mësuesit, e nëpunësit dhe e
kujtdo tjetër që flet e shkruan shqip, është e dobishme në radhë të parë për vetë
kristalizimin e zhvillimin e mëtejshëm të stileve.
Stilet nuk tregojnë “copëzimin” ose “dobësimin” e standardit, përkundrazi, ato
janë shprehje e përsosjes, e zgjerimit të funksioneve shoqërore, e rritjes së aftësive dhe e
vlerave te gjuhës.
Nga ana tjetër, në çdo stil duhet të shfrytëzohet si norma stilistike, ashtu edhe
norma gjuhësore në tërësi, duhet të vihen në përdorim sa më shumë mjete të gjuhës në
përgjithësi, përndryshe stili do të mbetej anemik, i thatë, pa forcë të brendshme. Me
zgjerimin e funksioneve shoqërore të shqipes standarde, me zhvillimin e vetë gjuhës

25
standarde shqipe, ecën edhe kristalizimi e përsosja e mëtejshme e stileve funksionale të
gjuhës sonë.
Studimi i stileve të gjuhës, i mjeteve stilistike dhe i përdorimit të tyre ka edhe
rëndësi praktike, sepse ndihmon çdo njeri që shkruan, të ruajë veçoritë e stilit, të cilit i
përket shkrimi i tij.

4. LEKSIKOGRAFIA SHQIPE

Çështjet: 1. Vështrim i përgjithshëm për leksikografinë


2. Leksikogrfia shqipe
3. Fjalorët njëgjuhësh dhe dy- e shumëgjuhësh

1. Leksiku i një gjuhe, që të mund të njihet në gjithë gjerësinë e tij, të shfrytëzohet


prej folësve dhe të studiohet nga gjuhëtarët, duhet të mblidhet dhe të sistemohet në fjalorë.
Leksikografia është fushë e gjuhësisë, që merret me teorinë e praktikën e hartimit
të fjalorëve të tipave të ndryshëm. Leksikografia është një shkencë e zbatuar, pasi hartimi i
fjalorëve i shërben përmbushjes së nevojave praktike të një bashkësie gjuhësore. Por ajo ka
edhe bazën e vet shkencore, teorinë leksikografike, që shtjellon parimet e zgjedhjes së
fjalëve, mënyrën e ilustrimit të kuptimeve dhe të përdorimeve të tyre etj.
2. Fjalori është vepër gjuhësore që përmban një numër të madh fjalësh, të
renditura zakonisht alfabetikisht, përkrah të cilave jepen shpjegimet për kuptimet e tyre
leksikore (në fjalorët shpjegues) ose gjegjëset në gjuhë të huaj (në fjalorët dygjuhësh a
shumëgjuhësh), si edhe trajtat plotësuese të fjalëve, shënimet e nevojshme gramatikore,
stilistike a për fushën e përdorimit, thënie, shembuj etj.
Llojet e fjalorëve:
A. Sipas synimit, përmbajtjes dhe ndërtimit të tyre, fjalorët ndahen
a. në njëgjuhësh,
b. në dygjuhësh e në shumëgjuhësh.
a. Fjalorët njëgjuhësh u shërbejnë folësve të një gjuhe.
Tipi i fjalorit përcaktohet:
nga vëllimi,
nga natyra e fjalëve që përfshin,
nga parimet, kriteret e zgjidhjet leksikografike që zbatohen,
nga shtresimi i fjalësit sipas burimit, sipas normës ose sipas formimit,

26
nga mënyra e shkalla e zbërthimit kuptimor ose nga ndërtimi i strukturës
kuptimore për çdo fjalë,
nga zbulimi e pasqyrimi i vlerave kuptimore, shprehëse, emocionuese e stilistike
të fjalëve etj..

b. Fjalorët dy- dhe shumëgjuhësh hartohen për t'u përdorur nga folës gjuhësh të
ndryshme. Këta të fundit janë fjalorë me përkthim. Fjalorët dygjuhësh përdoren për mësimin
e gjuhëve të huaja dhe për qëllime përkthimi.
Hartimi i tyre nuk është një punë e lehtë, siç mund t'i duket dikujt që nuk i njeh
vështirësitë e punës leksikografike. Vështirësia më e madhe që hasin hartuesit e këtyre
fjalorëve, buron nga ajo se fjala ka valenca të ndryshme në gjuhë të ndryshme. Kështu që
zgjedhja e barasvlerësve për çdo fjalë që përkthehet në gjuhën tjetër, e kuptimeve dhe e
ngjyrimeve kuptimore kërkon shumë mund. Jo më pak e vështirë është edhe dhënia e
sinonimeve dhe e antonimeve si dhe pajisja e fjalorit me frazeologjinë e duhur dhe me
shembuj, ku të ilustrohen kuptimet e ndryshme të fjalës.
c. Fjalorët shumëgjuhësh janë më të rrallë. Fjalorë të këtij tipi, që janë quajtur edhe
katalogë gjuhësh, janë botuar sidomos në shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX. Në këta
fjalorë fjala përkthehet në disa gjuhë të ndryshme. Fjalorë të tillë në kohën tonë hartohen për
qëllime praktike, për t'u ardhur në ndihmë turistëve, eksploratorëve, punonjësve të misioneve
dhe të organizmave ndërkombëtarë etj.

B. Nisur nga ajo se çfarë shpjegojnë, fjalët apo konceptet që emërtojnë ato, fjalorët
njëgjuhësh mund të jenë:
a. fjalorë gjuhësorë, që merren me shpjegimin e fjalëve,
b. fjalorë enciklopedikë, të cilët shpjegojnë koncepte shkencore.
a. Në fjalorët gjuhësorë paraqiten dhe shpjegohen fjalët dhe frazeologjia e një gjuhe,
duke dhënë kuptimin e tyre, veçoritë gramatikore, përdorimin, theksin dhe drejtshkrimin. Në
këta fjalorë jepen të dhëna për fjalën si njësi leksikore.
b. Në fjalorët enciklopedikë jepen të dhëna, shpjegime e sqarime për personalitete,
dukuri dhe koncepte shkencore nga fusha të ndryshme të dijes, të prodhimit dhe të kulturës.
Në këta fjalorë shpjegohen konceptet që shënohen me këtë ose atë fjalë. Në radhën e
fjalorëve enciklopedikë përfshihen edhe enciklopeditë, të cilat ndahen në të përgjithshme, që
japin njohuri për fusha të ndryshme të teknikës dhe të jetës njerëzore, dhe në të veçanta, ku
jepen njohuri për degë të veçanta të shkencës, kulturës, teknikës dhe të prodhimit
(enciklopeditë mjekësore, letrare etj.).
Llojet e fjalorëve gjuhësorë
A. Fjalorët shpjegues, ku fjalët e një gjuhe renditen sipas alfabetit, duke dhënë për
secilën shkrimin dhe shqiptimin, veçoritë gramatikore themelore, kuptimet dhe përdorimet, të
ilustruara me shembuj, sinonimet dhe antonimet e, nganjëherë, prejardhjen e tyre.
1. Sipas gjerësisë dhe vëllimit, fjalorët shpjegues janë tre tipash.
a. Fjalorë integralë (thesarë), që përfshijnë gjithë leksikun e gjuhës. Këta fjalorë janë
shumëvëllimësh. I tillë është, për shembull, fjalori i anglishtes i Oksfordit, me 20 vëllime dhe
shumë fjalorë akademikë, si ai frëngjishtes, i rumanishtes etj.
b. Fjalorët e tipit të mesëm në të cilët përfshihet pjesa më e qenësishme e leksikut të
gjuhës, që zgjidhet sipas kriterit të përdorimit. Shpjegimet e kuptimeve në këta fjalorë janë të

27
hollësishme dhe të ilustruara me shembuj të shumtë nga letërsia. Ata kanë edhe një material
të pasur frazeologjik.
c. Fjalorët e vegjël janë zakonisht njëvëllimësh dhe përmbajnë fjalët më të
nevojshme e më të përdorshme. Një fjalor i tillë është Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980)
dhe fjalorët e tjerë të shqipes standarde që janë botuar pas tij.
2. Fjalorët shpjegues janë zakonisht edhe normativë. Fjalët shpjegohen në përputhje
me normat e gjuhës standarde, të cilat përfshijnë rregullat që kanë të bëjnë me zgjedhjen e
fjalëve, me dallimin e kuptimeve që ka fjala në gjuhën standarde, me përdorimin e fjalëve në
të folur, me format gramatikore dhe me theksimin e fjalëve.
3. Sipas lëndës, që pasqyrojnë fjalorët mund të jenë të llojeve të ndryshme:
a. Fjalorë ideografikë, ku fjalë të lidhura nga kuptimi grupohen në një zë fjalori, që i
përgjigjet një koncepti tepër të përgjithshëm dhe konceptet e një fushe konceptore bashkohen
në një kapitull të fjalorit.
b. Fjalorët historikë japin njoftime historike për zhvillimin e fjalëve, për ndryshimet
e kuptimit dhe të trajtës së tyre në këtë ose atë gjuhë. Në këta fjalorë thuhet kur ka lindur kjo
apo ajo fjalë e re ose ky apo ai kuptim i fjalës, flitet për zhdukjen e fjalëve nga gjuha si dhe
për ndryshimet në ndërtimin fonetik dhe morfologjik të fjalës. Për këto sillen të dhëna nga
dëshmitë shkrimore të gjuhës sipas radhës së tyre kohësore. Karakterin e një fjalori historik
ka edhe fjalori i gjuhës shqipe hartuar nga anglezi Stjuart Man, me rreth 40 mijë fjalë.
c. Fjalorët etimologjikë, ku jepen njohuri për kuptimet dhe format më të vjetra të
fjalëve të ndryshme të gjuhës si dhe për prejardhjen e fjalëve. Në këta fjalorë etimologjitë e
fjalëve paraqiten në një trajtë të thukët, jepen përmbledhtazi edhe mendimet rreth prejardhjes
së kësaj ose asaj fjale, bashkë me diskutimet për etimologjitë e paqarta. I pari fjalor
etimologjik i shqipes është ai i Gustav Majerit, botuar më 1891. Nga fundi i shek. XX janë
botuar fjalorë të tipit etimologjik edhe nga autorë të tjerë, vendës e të huaj. Ndër këta fjalorë,
një vend të veçantë zë vepra me shumë vëllime “Studime etimologjike në fushë të shqipes” e
E. Çabejt, e cila i kapërcen kufijtë dhe detyrat e një fjalori etimologjik.
ç. Fjalorët dialektorë dhe krahinorë, ku mblidhen e shpjegohen fjalët e dialekteve
ose të të folmeve të veçanta. Në këta fjalorë mund të përfshihet ose gjithë leksiku i një
dialekti a të folmeje, ose vetëm një pjesë e tij, ajo që dallohet nga leksiku i gjithë gjuhës. Si
fjalor i tipit të parë mund të përmendet “Fjalori i arbëreshëvet të Italisë” (1963) i E.
Xhordanos, ku është përfshirë leksiku gojor i arbëreshëve, si edhe fjalët që janë përdorur në
letërsinë e shkruar mbi bazën e këtij dialekti.
d. Fjalorë autorësh a veprash, që janë të dobishëm sidomos për të parë zhvillimin e
gjuhës së letërsisë artistike. Kështu, janë botuar fjalorë të gjuhës së veprave të Shekspirit, të
Gëtes dhe të shkrimtarëve të tjerë të njohur. Në shqipe, të tillë mund të quhen fjalorët e
gjuhës së autorëve tanë të vjetër, si ai i studiuesit shqiptar Kolë Ashta. Një punë paraprake
për hartimin e fjalorëve të autorëve të veçantë, është nxjerrja prej veprave të tyre me anë të
një programi të posaçëm kompjuterik e konkordancave leksikore, që nuk janë tjetër veçse
lista fjalësh të dhëna në kontekstin ku përdoren. Një punë të tillë ka bërë gjuhëtari danez
Gunnar Svane për veprat e Budit dhe studiuesit e universiteteve të Kozencës e të Palermos
për veprat e autorëve arbëreshë.
dh. Fjalorët frekuentativë, të cilët quhen kështu, pasi fjalët që vendosen në ta
zgjidhen sipas kriterit të dendurisë së përdorimit në të folur. Kjo gjë arrihet duke studiuar me
metoda statistikore dhe kompjuterike dendurinë e përdorimit të leksikut në tekstet e
zgjedhura enkas për këtë qëllim. Gjithë fjalëve që hasen në këto tekste, u jepet karakteristika

28
sipas dendurisë. Por ka edhe fjalorë frekuentativë në të cilët, nga gjithë materiali leksikor i
analizuar, regjistrohen vetëm ato njësi që arrijnë një prag të caktuar dendurie të marrë si bazë.
e. Fjalorët e sinonimeve, të antonimeve, të fjalëve të shkurtuara etj.
ë. Fjalorë frazeologjikë, ku pasqyrohen njësitë frazeologjike të një gjuhe. Ata
paraqiten shpesh si tematikë, sepse i japin njësitë të grupuara rreth një fjalë të dhënë, që
shpesh merret si gjymtyra kryesore e frazeologjisë.
f. Fjalorë drejtshkrimorë e drejtshqiptimorë, të cilët kanë një rëndësi të
drejtpërdrejtë praktike.
g. Fjalorët e fjalëve të huaja, në të cilët shpjegohen huazimet leksikore të një gjuhe,
afrojnë edhe me fjalorët shpjegues. Në ta jepet edhe etimologjia e fjalës, duke shënuar gjuhën
nga rrjedh si dhe trajtën fillestare.
g. Fjalorë të toponimeve (të emërvendeve).
gj. Fjalorë të emërtimeve të shkurtuara (akronimesh, shkurtesash etj.)
B. FJALORËT ENCIKLOPEDIKË përmbajnë emra vendesh kryesore e
njerëzish të shquar, emërtime të botës bimore, shtazore, historike, shkencore, kulturore,
materiale e shpirtërore, që janë të rëndësishme e karakteristike për jetën e një populli dhe
për identitetin e tij kombëtar.

Fjalorët enciklopedikë mund të jenë botërorë ose për fusha të veçanta, si fjalorë
enciklopedikë për historinë, për artet a për letërsinë etj
Sipas mënyrës dhe teknikave të paraqitjes leksikografike të lëndës fjalorët kemi
a. Fjalorët alfabetikë, në të cilët fjalët vendosen alfabetikisht
b. Fjalorët e përmbysur (ose inversë), në të cilët fjalët vendosen jo si në fjalorët e
zakonshëm, ku ato renditen alfabetikisht nga e majta në të djathtë, po duke u nisur nga
shkronja e fundit e fjalës, dmth. nga e djathta në të majtë.

Ndërtimi i brendshëm i fjalorëve


Në ndërtimin e brendshëm të çdo fjalori dallojmë makrostrukturën dhe
mikrostrukturën:
a. Makrostruktura është ndërtimi i fjalorit në tërësi: fjalësi (glosari, d.m.th. lista e
fjalëve a e njësive frazeologjike që janë zgjedhur për t’u përfshirë në fjalor dhe që
renditen sipas një kriteri), struktura kuptimore e fjalëve a e njësive frazeologjike, me
trajtat plotësuese, me shënimet gramatikore, stilistike e për fushën e përdorimit, me
shpjegimet e kuptimeve, me thëniet e me shembujt etj. Të gjitha këto elemente të
makrostrukturës përcaktohen nga tipi i fjalorit dhe synojnë ta japin çdo njësi leksikore,
frazeologjike a semantike sa më të plotë e sa më të qartë për përdoruesit e fjalorit.
Kështu, makrostruktura është “ndërtesa” në tërësi e fjalorit, që ka ndarjet e pjesët e
veçanta.
b. Mikrostruktura e fjalorit është ndërtimi i çdo njësie leksikografike veças,
ç’përmban ai që quhet “zë leksikografik” a “paragrafi i fjalës”, d.m.th. paragrafi për një
fjalë a për një njësi frazeologjike. Edhe mikrostruktura varet nga tipi e nga synimi
kryesor i fjalorit: në një fjalor të madh, që ka shumë fjalë, ka edhe zbërthim më të imët të
përmbajtjes leksikore për çdo fjalë, shpjegime më të gjera për çdo kuptim, më shumë
shënime plotësuese, më shumë thënie a shembuj etj.; në një fjalor të vogël, përkundrazi,
që ka më pak fjalë, ka edhe më pak kuptime për çdo fjalë, shpjegimet janë më të shkurtra,
jepen më pak shënime plotësuese, thënie e shembuj etj.

29
Struktura kuptimore dhe shpjegimet
Për strukturë kuptimore mund të flasim kur shqyrtojmë kryesisht një fjalor
shpjegues. Strukturë kuptimore fjalët kanë edhe në fjalorët dygjuhësh, por ajo është e
thjeshtë, nuk ndërlidhet me shpjegimin e kuptimeve, por me fjalët gjegjëse në gjuhë të
huaj për çdo kuptim, nëse një fjalë gjegjëse e gjuhës së huaj nuk është e mjaftueshme për
të gjitha kuptimet e fjalës shqipe.
Qëllimi i shpjegimit të kuptimit është që të na lidhë me realien që shënon fjala në
atë kuptim, ta identifikojë dhe ta dallojë nga realiet e tjera të ngjashme me të. Kështu
kemi reshjet shi, borë, breshër, por në shpjegimin e kuptimit të fjalëve që i shënojnë ato,
do të synojmë që t’i dallojmë nga njëri-tjetri: shi-u m. “reshje që bie në trajtë pikash uji”;
bor/ë-a f. “reshje që bie në trajtë flokësh të ngrira”; bresh/ër-ri m. “reshtje që bie në trajtë
kokrrash të akullta”.
Çështja e kuptimeve leksikore është e ndërlikuar, ka një tipologji të tërë të
shpjegimit dhe disa procedura e kërkesa për ta sendërtuar atë.
Cila është tipologjia e shpjegimit? Në mënyrë të përgjithshme mund të
përmendim katër tipa shpjegimesh:
a) Shpjegimi me perifrazim, përdoret kur kuptimin leksikor e japim me disa fjalë
të tjera të njohura, të cilat në të vërtetë e zbërthejnë atë kuptim sipas elementeve që e
përbëjnë, veçojnë disa nga përbërësit semantikë për ta rrokur atë më mirë; p.sh. dur/ój
kal. dhe jokal. “i përballoj dhe i kaloj vështirësitë, dhembjet, shqetësimet, vuajtjet,
fatkeqësitë etj. i qetë e me gjak të ftohtë, pa u ankuar e pa u ligështuar; i bëj ballë a i
qëndroj një ndikimi, një veprimi ose një ngacmimi të jashtëm, jam në gjendje të mposht
një dëshirë, një kërkesë të organizmit, që më mundon a më tundon”.
Ky tip shpjegimi përdoret rregullisht për fjalët e leksikut të përgjithshëm e për
leksikun abstrakt. Perifrazimi duhet të jetë i qartë, i plotë dhe sa më ekonomik, i ngjeshur.
Ai kërkohet të jetë më i njohur përballë kuptimit që shpjegohet dhe në të njëjtën kohë të
pasqyrojë strukturën e këtij kuptimi, përbërësit e tij, në rendin e lidhjet e tyre.
b) Shpjegimi me përshkrim, është kur në të pasqyrohen treguesit kryesorë të
realies, së cilës i referohet fjala, përshkruhet realia sipas këtyre treguesve; p.sh. lulebór/ë-
a f. “bimë barishtore shumëvjeçare zbukuruese, me gjethe të gjera, me majë e të
dhëmbëzuara anash dhe me lule të grumbulluara si top, që ndërrojnë ngjyrat gjatë kohës
së lulëzimit”.
Përshkrimi përdoret rregullisht për leksikun konkret. Edhe përshkrimi duhet të
jetë i qartë, i plotë, i ngjeshur, duke pasqyruar ata tregues të realies që na e sjellin më
shpejt e më lehtë ndërmend atë, edhe pse mund të mos jenë thelbësorë për natyrën fizike
të sendit.
c) Shpjegimi me përkufizim, përmban të shprehura gjuhësisht tiparet themelore të
konceptit për realien e dhënë, pra, kryesisht ata tregues të realies që janë thelbësorë për
natyrën e saj; p.sh.
ém/ër-ri m. sh. -ra, -rat “1. fjalë ose grup fjalësh, me të cilat quhet një njeri ose
një kafshë, një send, një dukuri, një vend etj., për ta veçuar ose për ta dalluar atë nga të
tjerët. 2. gjuh. pjesë e ligjëratës, që shërben për të shënuar një qenie a një send dhe që ka
gjini, numër e rasë”.
ç) Shpjegimi me sinonimi, është kur kuptimi i një fjale më pak të njohur jepet me
një fjalë tjetër më të njohur, me një sinonim më të përgjithshëm. Ky tip shpjegimi
përdoret rregullisht për fjalë ose për kuptime të kufizuara në përdorim, siç janë fjalët e

30
kuptimet krahinore, të vjetruara, të ligjërimit të thjeshtë, huazimet leksikore që mund të
zëvendësohen me një fjalë shqipe etj.; p.sh.
kumbullór/e-ja f. sh. -e, -et domate.
eksperiénc/ë-a f. sh. -a, -at përvojë.
Në një varg sinonimesh përdoret sinonimi dominant, pra më i njohuri, më i
përgjithshmi; fjala vjen, për gjitón-i e komshí-u mund të shërbejë si shpjegim “fqinj”, por
jo anasjelltas. Në këtë rast sinonimi kryesor (dominant) merret si i njohur ose që mund të
shpjegohet në mënyrë të plotë me perifrazim. Shpjegimi me sinonim përdoret vetëm kur
kuptimet e fjalëve përkatëse janë plotësisht të njëjta, sepse me këtë tip shpjegimi nuk
duhet të humbasë asnjë vlerë e kuptimit që shpjegohet, asnjë përbërës i kuptimit, asnjë
ngjyrim ligjërimor e stilistik. Prandaj, shpesh ndihet nevoja që, përveç sinonimit, si
shpjegim të jepen edhe shënime të tjera plotësuese për këto vlera, si e vjetruar, krahinore,
bisedore, tallëse etj.
Si ndërtohet shpjegimi i kuptimit të fjalëve?
Në fillim duhet të kryhen procedurat e nevojshme për të nxjerrë elementet e
kuptimit që do të përmblidhen në shpjegim. Këto nxirren duke u nisur nga treguesit e
realies dhe nga leksematika e fjalës për atë kuptim. Prej këtyre zgjidhen ato elemente të
kuptimit që do të formulohen në shpjegim me fjalë të tjera.
a. Si element i parë i shpjegimit vihet ajo fjalë a togfjalësh që i referohet grupit
më të afërt ku bën pjesë realia (sendi, tipari, veprimi etj.) e shënuar nga fjala e dhënë;
p.sh., mís/ër-ri m. sh. -ra, -rat “drithë etj.”; spináq-i m. “perime etj.”; dárdh/ë-a f. sh.
-a, -at “pemë etj.” etj. Pas kësaj renditen përbërësit e tjerë të kuptimit, sipas peshës që
kanë.
b. Në shpjegim mbahet parasysh edhe kuptimi kategorial i fjalës, i cili jep
mundësinë për të ndërtuar ndonjëherë edhe një shpjegim tip (ose një pjesë të tij); fjala
vjen, shpjegimi i kuptimeve të mbiemrave pronësorë mund të fillojë me sintagmat “që ka
etj.”, “që është etj.”, “që bën etj.” etj.: bárdhë (i, e) mb. “që ka ngjyrën e borësetj. etj.
Emrat abstraktë me kuptimin e cilësisë mund të shpjegohen duke e nisur formulimin me
emrin asnjanës “të qenët” e duke shtuar pas tij mbiemrin, nga tema e të cilit është
formuar emri abstrakt i cilësisë: lumturí-a f. “të qenët i lumtur” etj. Të tilla formulime
tip ka edhe për grupe të tjera paradigmatike fjalësh e kjo na e lehtëson punën për
ndërtimin e shpjegimit.
Ç’kërkesa ka për një shpjegim të mirë?
a. Shpjegimi duhet të jetë i barabartë me kuptimin për të cilin bëhet, të mos lërë
jashtë asnjë vlerë të tij, pra, të jetë i njëjtë me të.
b. Shpjegimi nuk duhet të përmbajë elemente të tepërta, të panevojshme për të
identifikuar realien.
c. Shpjegimi duhet t’i përgjigjet plotësisht kuptimit nga ana leksiko-gramatikore,
d.m.th. kuptimi i një emri të shpjegohet në mënyrë të tillë që formulimi të ketë gjithashtu
vlerë emërore, për mbiemrin vlerë mbiemërore etj.
d. Shpjegimi, përveç që duhet të jetë sa më i plotë dhe sa më i shkurtër e i
ngjeshur, duhet të jetë gjithashtu sa më i qartë, lehtësisht i kapshëm. Kjo kërkesë lidhet
sidomos me rrethin e përdoruesve të fjalorit ose kujt i drejtohemi me një shpjegim:
nxënësve të shkollave të ulëta a studentëve, shqiptarëve a të huajve, specialistëve të
gjuhës a një rrethi tjetër shoqëror etj.

31
e. Shpjegimi duhet të jetë i formuluar mirë gjuhësisht, i vetëmjaftueshëm për të
arritur qëllimin, në pajtim me standardin gjuhësor, me natyrën e shqipes, me fjalë të
zgjedhura me kujdes.
Ilustrimet në fjalor janë dy llojesh: grafike, si fotografi, harta e skica (kryesisht
në fjalorët enciklopedikë, ideografikë etj.) dhe gjuhësore, si thënie (togje fjalësh) dhe
shembuj të plotë (fjali).
Thëniet janë togje të shkurtra fjalësh, që vihen pas shpjegimit të një kuptimi, për
ta plotësuar atë me elemente e nuanca më të imëta të atij kuptimi, të cilat nuk mund të
jepen të gjitha në shpjegim. Por thëniet kanë edhe vlera të tjera plotësuese në nuancat
shprehëse, emocionuese e stilistike, në llojet e lidhjeve sintaksore të fjalës që shpjegohet,
në fushën leksikore dhe në gjithë leksematikën a sintagmatikën e saj. Thëniet tregojnë që
kjo fjalë në këtë kuptim është reale në gjuhë dhe ka këtë fushë e këto veçori përdorimi.

Leksikogrfia shqipe
Historia e leksikografisë shqipe i ka kaluar 370 vjetët dhe vijon të zhvillohet e të
pasurohet pandërprerë. Leksikografia shqipe është fusha më e hershme dhe më e pasur në
gjuhësinë tonë. Mund të themi madje që vetë historia e gjuhësisë shqipe nis me një vepër
leksikografike, me një fjalor. Po të lëmë mënjanë “fjalorthët” e Arnold von Harfit (1497)
dhe të Pjetër Mazrekut (1633), - lista me disa dhjetëra fjalë shqipe, - guri i parë në rrugën
e gjatë të leksikografisë shqipe mbetet “Fjalori latinisht-shqip” (Dictionarium latino-
epiroticum, 1635) i F. Bardhit, vepër leksikografike e mirëfilltë, pavarësisht nga numri i
vogël i fjalëve shqipe (rreth 2500 fjalë shqipe përkrah rreth 5000 fjalëve latine).

Leksikografia dygjuhëshe
Në përputhje me rrethanat dhe me kërkesat e praktikës, leksikografia shqipe në
periudhën e dytë pati si një drejtim kryesor hartimin e fjalorëve dygjuhësh. Për nevojat e
shkollës e të prodhimit u hartuan disa fjalorë shqip-gjuhë e huaj ose gjuhë e huaj-shqip.
Ndër fjalorët kryesorë të fillimit të kësaj periudhe përmendim“Fjalor rusisht-
shqip” (1954), botim i Institutit të Shkencave. Është një nga fjalorët dygjuhësh më të mirë
nga kriteret leksikografike të hartimit, të botuar në këto vite. Pjesa shqipe është në
dialektin e Jugut, por është shfrytëzuar edhe pasuria leksikore e dialektit të Veriut, duke
synuar drejt normës gjuhësore.
Nga fjalorët e shqipes me frëngjishten përmendim:“Fjalor frëngjisht-shqip”
(1966, me rreth 20000 fjalë), “Fjalor shqip-frëngjisht” (1977, me rreth 25000
fjalë),”Fjalor frëngjisht-shqip” (2001, me rreth 35000 fjalë) dhe “Fjalor shqip-frëngjisht”
(1998, me rreth 35000 fjalë), të hartuar nga Vedat Kokona; autori ka shfrytëzuar, sidomos
për fjalorin shqip-frëngjisht, arritjet e teorisë e të praktikës sonë leksikografike, si edhe
shtresën popullore të fjalëve; po shtojmë edhe “Fjalor frëngjisht-shqip”, hartuar nga
Murat Bejta (1978).
Në vitin 1966 u botua “Fjalor latinisht-shqip”, hartuar nga Henrik Lacaj e Filip
Fishta; më 1986 u botua “Fjalor latinisht-shqip”, hartuar nga Kosta Qiriazati.
Nga fjalorët e shqipes me anglishten shënojmë: “Fjalor anglisht-shqip” (1986) dhe
“Fjalor frazeologjik anglisht-shqip” (1998), të hartuar nga Ilo Stefanllari; “Fjalor
anglisht-shqip” (1999), hartuar nga Ramazan Hysa; “Fjalor shqip-anglisht i Oksfordit”
(2000, rreth 70000 njësi), hartuar nga Leonard Niumarku; fjalorë të vëllimshëm anglisht-
shqipe e shqip-anglisht janë hartuar nga Pavli Qesku: “Fjalor shqip-anglisht” (1999, me

32
rreth 45500 fjalë), “Fjalor anglisht-shqip” (2000), “Fjalor anglisht-shqip” (2002, me rreth
126000 njësi e me 600000 shembuj e idioma) etj.
Nga fjalorët e shqipes me gjermanishten përmendim: “Fjalori gjermanisht-shqip”,
hartuar nga Zef Simoni (1978, me rreth 25000 fjalë); “Fjalor frazeologjik gjermanisht-
shqip” (1998, 570 faqe), hartuar nga Skënder Doku; më të vëllimshëm janë “Fjalor
gjermanisht-shqip” (1996, 2424 faqe), hartuar nga Ali Dhrimo e Hamlet Bezhani dhe
“Fjalor gjermanisht-shqip” (2002, me rreth 45000 fjalë), hartuar nga Ali Dhrimo; të një
cilësie të mirë shkencore janë “Fjalor shqip-gjermanisht” (Ëörterbuch Albanisch-
Deutsch, 1992, 739 faqe), hartuar nga Oda Buchhölz, Ëilfried Fiedler, Gerda Uhlisch dhe
“Fjalor gjermanisht-shqip” (Ëörterbuch Deutsch-Albanisch, 1997, 831 faqe), hartuar nga
Ëilfried Fiedler e Ardian Klosi.
Ndër fjalorët e shqipes me italishten, më të shumtë në leksikografinë dygjuhëshe
shqipe, po shënojmë: “Fjalor italisht-shqip” (2002, me rreth 40000 fjalë) dhe “Fjalor
shqip-italisht” (2003, me rreth 40000 fjalë), të hartuar nga Ferdinand Leka e Zef Simoni;
po shtojmë edhe disa tituj fjalorësh të shqipes me italishten: “Fjalor shqip-italisht”
(Vocabolario albanese-italiano, 1979, me rreth 25000 fjalë), hartuar nga C. B. Mussolini,
U. Buttafava; “Fjalor italisht-shqip” (1997, me rreth 40000 fjalë) dhe “Fjalor shqip-
italisht” (1999, me rreth 40000 fjalë), të hartuar nga Abedin Preza.
Fjalorë kryesorë të shqipes me sërbishten (sërbo-kroatishten) janë: “Fjalor
serbokroatisht-shqip” (1947), hartuar nga Vojslav Dançetoviç, Aleksanër Xhuvani,
Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, botim i Institutit të Studimeve; është një fjalor i vogël,
hartuar për qëllime thjesht praktike, por përbën hapin e parë për të dalë nga kufijtë e një
dialekti: pjesa shqipe është në dialektin e Jugut, pranë fjalëve janë vënë edhe trajtat
veriore, sa herë që këto ndryshojnë shumë nga trajtat jugore; më 1953 ishte botuar edhe
një fjalor tjetër dygjuhësh, “Fjalor serbokroatisht-shqip”, hartuar nga Hanri Bariçi (me
rreth 40000 fjalë); në Kosovë u botuan disa fjalorë dygjuhësh, kryesisht si vepra
mësimore: “Fjalor serbokroatisht-shqip” (1953), hartuar nga Sokol Dobroshi; “Fjalor
shqip-serbokroatisht” (1976, me rreth 30000 fjalë e fraza), hartuar nga Mikel Ndreca; më
të vëllimshëm e më cilësorë janë “Fjalor serbokroatisht-shqip” (1974) e “Fjalor shqip-
serbokroatisht” (1982), të hartuar nga Abdulla Zajmi, Mehdi Bardhi, Sulejman Drini,
Latif Mulaku, Gani Luboteni e Sitki Imami dhe të botuar nga Instituti Albanologjik i
Prishtinës; në pjesën shqipe, sidomos në “Fjalorin shqip-serbokroatisht”, sillet një pasuri
leksikore e frazeologjike e mirë; me këtë fjalorët i shërbejnë hedhjes në qarkullim të
fjalëve e të shprehjeve shqipe me vlerë, si edhe luftës për pastrimin e leksikut të shqipes
nga fjalët e huaja Të gjithë këta fjalorë, pavarësisht nga pasuria leksikore e frazeologjike
e ligjërimeve popullore që sjellin, mbështeten në truallin e përbashkët të gjuhës sonë
standarde dhe pasurojnë fondin e leksikografisë shqipe.
Ndër fjalorët e shqipes me turqishten kujtojmë “Fjalor i turqizmave në gjuhën
shqipe” (1976, 224 faqe), hartuar nga Norbert Boretzky; “Fjalor turqisht-shqip” (2003,
426 faqe), hartuar nga Hysen Voci; “Fjalor turqisht-shqip” (2003, 612 faqe), i hartua nga
Sami Neziri; “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe” (2005, me rreth 4500 fjalë),
hartuar nga Tahir Dizdari.
Si fjalorë historikë dygjuhësh po përmendim “Fjalor historik shqip-anglisht” (An
historical Albanian-English Dictionary, 1948, 600 faqe) dhe “Fjalor anglisht-shqip” (An
English-Albanian Dictionary, 1957, 434 faqe), të hartuar nga gjuhëtari anglez Stjuart
Mani; janë të dy fjalorë të vëllimshëm, por që nuk janë historikë mirëfilli.

33
Veçojmë gjithasht, “Fjalor bullgarisht-shqip” (1958), hartuar nga Thoma Kacori,
T. Tartari, L. Dusha, S. Pasko, L. Grabocka; “Fjalor shqip-greqisht” (1971, 550 faqe) dhe
“Fjalor greqisht-shqip” (1993, me rreth 50000 fjalë), të hartuar nga Niko Gjini; “Fjalor
greqisht-shqip” (2001, me rreth 20000 fjalë), hartuar nga Hysen Sinani; “Fjalor shqip-
maqedonisht” (1996, me rreth 40000 fjalë), hartuar nga Adnan Agai e Kimete Agai;
“Fjalor maqedonisht-shqip dhe shqip-maqedonisht” (1997, 782 faqe), hartuar nga Haki
Ymeri, Petar Atanasov, Zihni Osmani; “Fjalor maqedonisht-shqip” (2000, me rreth
42000 fjalë), hartuar nga Haki Ymeri e Zihni Osmani; “Fjalor spanjisht-shqip” (1999, me
rreth 41000 fjalë), hartuar nga Zef Simoni; “Fjalori i arbëreshëve të Italisë” (shqip-italish,
1963/2000, me rreth 20000 fjalë), hartuar nga arbëreshi Emanuel Xhordano.
Gjeografia e leksikografisë shqipe është shumë e gjerë, që nga Amerika e deri në
Japoni. Fjalorët dygjuhësh të shqipes rrokin thuajse të gjitha gjuhët indoeuropiane:
anglisht, bullgarisht, çekisht, danisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, hollandisht,
italisht, kroatisht, maqedonisht, norvegjisht, polonisht, rumanisht, rusisht, sërbisht,
sllovenisht, spanjisht, suedisht dhe gjuhë joindoeuropiane: arabisht, estonisht, hungarisht,
kinezisht, romisht, turqisht etj.
Një shumësi fjalorësh dygjuhësh erdhi në leksikografinë shqipe në dhjetëvjeçarin
e fundit të shekullit XX dhe në këto vite të shekullit XXI. Kërkesat e praktikës
leksikografike, d.m.th. kërkesat për fjalorë dygjuhësh për të mësuar një gjuhë të huaj
(anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht etj.), si edhe mundësitë që u krijuan me
përvojën e fituar në këtë fushë, me zhvillimin e teorisë leksikografike e të teknikave të
përparuara, nxitën shumë hartues fjalorësh dygjuhësh për nisma vetjake, që sollën edhe
një numër të madh fjalorësh dygjuhësh në qarkullim. Shumë prej tyre kanë rreze të
ngushtë pasqyrimi, janë me vëllim të vogël, pa zbërthime kuptimore të kënaqshme etj.,
por gjithsesi të mjaftueshëm si doracakë leksikografikë për fillestarë. Ata kështu më
shumë rritin numrin e fjalorëve të botuar, sesa ngrenë cilësinë e punës leksikografike.
Këtë të fundit e plotësojnë fjalorë të tjerë dygjuhësh (disa prej tyre i përmendëm më lart),
jo thjesht sepse kanë vëllim shumë më të madh, por sepse janë hartuar edhe me kritere
shkencore më të sigurta nga autorë me formim leksikografik dhe me përvojë në fushën e
leksikografisë shqipe.
Veç këtyre fjalorëve, janë hartuar e janë botuar edhe shumë fjalorë të tjerë
dygjuhësh, më të vegjël e me synime për shkollën, fjalorë edhe të tipave të tjerë, si fjalorë
frazeologjikë: “Fjalor frazeologjik i shqiptarëve të Italisë e të Greqisë” (1989), hartuar
nga Antonio Bellusci; “Fjalor shprehjesh frazeologjike anglisht-shqip” (1990), hartuar
nga Vejsel Nuhiu; “Fjalor frazeologjik italisht-shqip” (1997), hartuar nga Naim Balla e
Eshref Ymeri; “Fjalor frazeologjik anglisht-shqip” (1998), hartuar nga Ilo Stefanllari;
“Fjalor frazeologjik frëngjisht-shqip” (1998), hartuar nga Eqrem Shijaku; “Fjalor
frazeologjik gjermanisht-shqip” (1998), hartuar nga Skënder Doku; “Fjalor frazeologjik
italisht-shqip” (1998), hartuar nga Artan Fida etj.
Te ky grup fjalorësh po përfshijmë, së fundi, edhe një fjalor të veçantë
shumëgjuhësh: “Fjalor frazeologjik ballkanik” (1999, me rreth 5000 njësi frazeologjike
në pesë gjuhë: shqip-bullgarisht-greqisht-rumanisht-serbokroatisht.), hartuar nga Jani
Thomai, Xhevat Lloshi, Rusana Hristova, Kosta Qiriazati e Ana Melonashi; fjalori
përfshin korpusin bazë frazeologjik të shqipes, të nxjerrë me një përzgjedhje nga korpusi
frazeologjik i përgjithshëm prej 12000 njësish; ky fjalor është i pari në llojin e vet jo
vetëm në gjuhësinë ballkanike, por edhe në atë europiane; vlerat e tij janë të rrafshit

34
shkencor-teorik dhe të rrafshit praktik: fjalori dëshmon edhe nëpërmjet frazeologjisë
afrinë që kanë që së lashti gjuhët e kësaj treve dhe përforcon idenë e një bashkësie
gjuhësore ballkanike; mbi gjysma e njësive frazeologjike janë të njëjta nga ndërtimi e nga
kuptimi në të pesta gjuhët, pjesa tjetër është e përbashkët për 3-4 gjuhë; afri më të mëdha
në këtë fushë shqipja ka me greqishten e pas kësaj me rumanishten; kjo flet për
marrëdhënie më të hershme të shqipes me këto gjuhë; nëpërmjet këtyre marrëdhënieve
gjuhësore kuptohen edhe disa elemente të përbashkëta të historisë e të mënyrës së jetesës
së popujve, të etnokulturës e të mendësisë së tyre; fjalori u shërben drejtpërdrejt jo vetëm
studiuesve në fushën e gjuhësisë ballkanike, por edhe gjithë atyre që duan të mësojnë një
nga këto gjuhë, përkthyesve, shkrimtarëve, turistëve dhe të tjerëve që ndiejnë nevojën e
krahasimeve ndërgjuhësore në frazeologji.
Një vend të veçantë në prodhimin leksikografik te ne zënë fjalorët terminologjikë
të fushave të ndryshme tekniko-shkencore, në 4-6 gjuhë (shqip-anglisht-frëngjisht-
rusisht-gjermanisht-italisht); kështu, janë botuar rreth 50 fjalorë terminologjikë të
termave të ushtrisë, të përgjithshëm ushtarakë, të armatimit dhe të municioneve, të
artilerisë, të armës së tankeve, të armës së xhenjos, të mbrojtjes kundërajrore, të forcave
vullnetare të vetëmbrojtjes, të ADM-së, të shërbimeve të prapavijës, të organizimit, të
mobilizimit dhe të kuadrit, të zbulimit, të topografisë ushtarake, të taktikës operative, të
akronimit të NATO-s, të matematikës, të gjeometrisë deskriptive dhe të vizatimit teknik,
të bujqësisë (edhe me shpjegime, 2006), të botanikës, të fitonimisë, të biologjisë, të
mikrobiologjisë, të histologjisë dhe të embrionologjisë, të anatomisë së kafshëve
shtëpiake, të fiziologjisë, të bletarisë, të gjeografisë, të gjeologjisë, të gjeodezisë, të
topografisë, të hidraulikës, të astronomisë, të detarisë, të ekonomisë, të ekonomisë së
transporit, të ekonomisë politike, të financës e të kontabilitetit, të biznesit, të legjislacionit
ekonomik, të planifikimit, të statistikës, të tregtisë së brendshme, të tregtisë së jashtme, të
kimisë, të mjekësisë, të mjekësisë ligjore, të optikës, të akustikës, të obstretikës dhe të
gjinekologjisë, të sëmundjeve të lëkurës e veneriane, të stomatologjisë, të
elektromagnetizmit, të elektronikës, të elektroteknikës, të radioelektronikës, të energjisë
atomike, të mekanikës, të mekanikës teorike, të termodinamikës, të autotraktorëve dhe të
agregateve, të arkitekturës, të minierave, të hidraulikës, të gjuhësisë, të letërsisë, të
historisë (edhe me shpjegime), të psikologjisë, të pedagogjisë, të mësimit, të kulturës
popullore të argjendarisë, të etnomuzikologjisë, të kishës, të mitologjisë, të filozofisë, të
drejtësisë, të së drejtës ndërkombëtare, të bibliotekës e të bibliografisë, të arkivistikës, të
sportit e shumë fjalorë të tjerë terminologjikë shumëgjuhësh. Fjalorët terminologjikë u
shërbejnë kryesisht specialistëve të fushave përkatëse, ata vënë në sistem terminologjinë
e këtyre fushave, pra i shërbejnë njësimit të saj, shqipërojnë çdo term të huaj kur nuk
është ndërkombëtar dhe kur shqipja i ka vetë mjetet për të shprehur të njëjtin koncept
shkencor, pra i shërbejnë pastrimit të leksikut të shqipes nga huazimet e panevojshme dhe
kështu ngulitjes së normës gjuhësore në terminologji, vënë ballëpërballë termin shqip me
termin e huaj në 4-5 gjuhë, pra e vendosin terminologjinë shqipe në sistemin
ndërkombëtar të terminologjisë; fjalorët terminologjikë u shërbejnë edhe hartuesve të
teksteve dhe të manualëve mësimorë, mësimdhënësve të shkencave të ndryshme,
hartuesve të fjalorëve, në të cilët terminologjia e përgjithshme zë vend të gjerë e të
rëndësishëm etj.
Siç shihet, leksikografia shqipe dygjuhëshe në periudhën e dytë të saj ka një rritje
të ndjeshme jo vetëm sasiore, por sidomos cilësore: u zgjerua tipologjia e fjalorëve të

35
hartuar dhe rrethi i gjuhëve, u ngrit niveli shkencor i trajtimit leksikografik, u shfrytëzua
më mirë trashëgimia në leksikografi, u thellua njohja e lëndës leksiko-frazeologjike, u
vendosën parime teorike e u zbatuan kritere praktike më bashkëkohore, ndërroi këndi i
vështrimit duke e cilësuar leksikun e gjuhës standarde etj. Koncepti i fjalës, i kuptimit, i
leksikut e i normës leksikore bëhet gjithnjë e më i qartë nga fjalori në fjalor, vendoset një
simetri më e drejtë ndërmjet shtresave leksikore të shqipes, karakterizohen fjalët sipas
vlerave stilistike e fushës së përdorimit, spikatin më dukshëm dallimet ndërgjuhësore,
përsoset më tej teknika e teknologjia e fjalorëve. Kështu leksikografia dygjuhëshe
parapriu dhe ndihmoi leksikografinë njëgjuhëshe, duke zgjidhur edhe ajo disa çështje
kyçe të teorisë së leksikografisë.
Leksikografia njëgjuhëshe
Zhvillimi i leksikografisë njëgjuhëshe përbën arritjen më të rëndësishme në këtë
fushë të gjuhësisë shqiptare, gjë që parakupton edhe zhvillimin e teorisë leksikografike, të
leksikografisë dygjuhëshe e të shkencës gjuhësore në përgjithësi.
Sprova të para për një fjalor shpjegues të shqipes janë bërë edhe më herët; po
sjellim si shembuj për këtë dy botime të shekullit XIX: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1850),
hartuar nga Anton Santori dhe “Fjalor alfabetik shqip-epirotisht” (1869), hartuar nga
Dhimitër Kamarda.
1. Vepra e parë e madhe në fushën e fjalorëve shpjegues kombëtarë qe “Fjalori i
gjuhës shqipe” (1954), hartuar nga Kostaq Cipo (kryetar), Eqrem Çabej, Mahir Domi,
Anton Krajni, Osman Myderrizi, botim i Institutit të Shkencave. Ky është i pari fjalor
shpjegues i mirëfilltë i shqipes, arritja më e madhe e kësaj faze të leksikografisë shqipe.
Në këtë fjalor jo vetëm u bë një kodifikim kritik i lëndës leksikore e frazeologjike që
kishte dalë në fjalorët e mëparshëm, por u sollën edhe shumë materiale të reja. Në të
bëhen përpjekjet e para për të zgjidhur edhe çështje të stilistikës në leksikografinë shqipe.
Ai shënoi shkallën më të lartë që kishte arritur leksikografia shqipe dhe hapi një etapë të
re në leksikografinë tonë, etapën e fjalorëve shpjegues kombëtarë e normativë. “Fjalori i
gjuhës shqipe” është i tipit të vogël, sepse pasqyron shtresën aktive të leksikut të shqipes
dhe një pjesë të kufizuar të shtresës pasive, që është krejt e domosdoshme për të kuptuar
gjuhën e sotme shqipe. Fjalori ka rreth 25000 fjalë, me shpjegime dhe me thënie. Për
tipin e ri, për vlerën e zgjidhjeve dhe për fondin e fjalëve e të frazeologjisë që përfshin,
ky fjalor pati jehonë të merituar në kritikën shkencore brenda dhe jashtë vendit.
“Fjalori i gjuhës shqipe” është një fjalor i shqipes, kombëtar (jo dialektor) dhe i
tipit shpjegues. Në shumë drejtime ai ka edhe prirje normative ose i ndihmoi mjaft
ngulitjes së normës gjuhësore, si në zgjedhjen e fjalëve e të frazeologjisë, në zbërthimin
kuptimor, në shpjegimet, në disa vlerësime stilistike dhe, në një shkallë më të madhe, në
trajtat gramatikore e në theksin e fjalëve. Vetë tipi i fjalorit, kushtet në të cilat u hartua e
qëllimet për të cilat u hartua, i sollën disa kufizime vëllimit të tij. Synimi ishte që të
hartohej “një fjalor praktik e i përdorshëm, që të pasqyronte gjendjen e sotmeetj. e të
udhëzonte për përdorimin e fjalëve e të trajtave të tyre. Puna paraqiste vështirësi të
veçantë, se duhej hapur një rrugë e re, pa pritur që të kryhen punime të gjera përgatitore,
si ngritja e kartotekës leksikologjike etj.”. Si burim për fjalorin shërbyen fjalorët e botuar,
materialet leksikore të arkivit të Seksionit të gjuhësisë e të letërsisë në Institutin e
Shkencave, burimet popullore, veprat e rilindësve tanë, tekstet shkencore, shtypi etj., pra,
si gjuha e shkruar, ashtu edhe ajo e folur. Nga fjalët krahinore u morën ato që kishin një
përhapje me të gjerë, si edhe ato që ishin të vlefshme për leksikun e përgjithshëm. Fjalët

36
ndërkombëtare, si fjalët e huaja në përgjithësi, përfshirë këtu fjalët me burim nga
turqishtja, që dalin në letërsinë e shkruar, në folklor ose përdoren dendur në të folur, u
shtinë në fjalor. Një vend të gjerë zë frazeologjia, që është zgjedhur e është shpjeguar me
kujdes. Fjalori ka merita për zbërthimin kuptimor dhe për shpjegimin e kuptimeve sipas
tipit të tij. Për të mos rritur shumë vëllimin, u lanë jashtë disa klasa fjalësh të prejardhura,
si emrat foljorë asnjanës (të afruarit, të ardhurit etj.), shumë emra foljorë të veprimit me
prapashtesat -im /-je (derdhje, dramatizim, dyshim etj.), mbiemrat nga pjesoret (i djegur,
i pastruar, i përkëdhelur etj.), emrat e popujve a të banorëve të një vendi (anglezët,
gjermanët, mirditasit, rusët, shqiptarët, vlonjatët etj.). Nga variantet e shumta fonetike e
morfologjike të fjalëve janë mbajtur ato që kanë një përhapje më të madhe. Në fjalor janë
dhënë gjerë sinonimet e fjalëve dhe kjo është një nga vlerat e këtij fjalori. Gjuha e
shpjegimeve është e thjeshtë dhe e qartë. Të gjitha këto cilësi shkencore të fjalorit bëjnë
që ai të jetë një ndihmës i mirë për ata që e përdorin, të informojë për kuptimin e
përdorimin e shumë fjalëve e të shprehjeve të njohura e të panjohura. Siç shihet, “Fjalori i
gjuhës shqipe” është hartuar sipas parimeve e kritereve shkencore, që shtrohen për çdo
fjalor shpjegues kombëtar.
Por kritika shkencore shqiptare vuri në dukje edhe disa të meta të këtij fjalori, që
shpjegohen me mungesën e kartotekës së leksikut të shqipes, me shkallën e ulët të
ngulitjes së normës leksikore dhe me mungesën e studimeve teorike në fushën e
leksikografisë. Po ashtu, vetë leksiku i shqipes s’ishte mbledhur tërësisht dhe nuk ishte
shoshitur si duhej. Në këto rrethana fjalori nuk e jep të qartë normën letrare të formuar:
nga njëra anë, jo në përputhje me tipin e vogël të fjalorit, u është dhënë vend disa fjalëve
me burim nga turqishtja, tashmë krejt të vjetruara (adet, hapsanë, hazine, kaull, mynafik
etj.), disa varianteve fonetike krahinore (atej, atnuer, balkue, biber, binak, binjok,
binjarak, buletë etj.), disa sinonimeve dialektore të kufizuara (allonar për korrik, bic për
derrkuc, vitërk për njerk etj.). Nga ana tjetër, fjalori nuk ka pasqyruar ose ka pasqyruar në
mënyrë të kufizuar disa klasa fjalësh; kështu, në fjalor nuk janë futur disa fjalë të reja që
përdoreshin atë kohë në fusha të ndryshme (duhanore, ëmbëlsirë, grevëthyes,
hekurkthyes, kryeinxhinier, vetëqeverisje etj.), disa emra me kuptim abstrakt me
prapashtesë -i / -ri / -si (breshëri, kaltërsi, krijimtari, mendjemadhësi, ndershmëri etj.);
fjalori nuk jep disa elemente të domosdoshme stilistike e të përdorimit të fjalëve në
ligjërim e del sikur mund të përdoren njësoj bajloz e ambasador, belik e shtetëror,
dhaskal e mësues, hapsanë e burg, sevda e dashuri etj.
2. “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (me rreth 41000 fjalë, rreth 7000 njësi
frazeologjike dhe me mbi 180000 kuptime), vepër kolektive e një grupi leksikografësh të
Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë: A. Kostallari, J. Thomai, Xh. Lloshi, M. Samara,
J. Kole, P. Daka, P. Haxhillazi, H. Shehu, F. Leka, E. Lafe, K. Sima, Th. Feka, B. Keta e
A. Hidi. Ai është i pari fjalor shpjegues kombëtar i tipit të mesëm. Hartimi i një fjalori të
tillë ishte kërkesë e ngutshme e kulturës kombëtare, e shkollës, e jetës dhe e praktikës
sonë të kohës. Ai përbën njëkohësisht plotësimin e njërës prej ëndrrave më të ndezura të
lëvruesve atdhetarë të gjuhës amtare, që kanë pritur të shohin në një vepër të tillë thesarin
kryesor të pasurisë leksikore, frazeologjike e kuptimore të gjuhës shqipe. Në hulumtimin
e fjalëve e të shprehjeve të bukura popullore çdo gjurmues i zellshëm e dashamirë i
gjuhës mëmë është udhëhequr nga dëshira e përhershme që këtë visar të çmueshëm ta
gjejë të përmbledhur në një libër sa më të plotë, të sistemuar e të shpjeguar, sepse ashtu
do të dilnin në dritë së bashku vlerat e bukuritë e këtyre mjeteve të shprehjes. Në këtë

37
pasqyrë leksikografike do të mbruhej tërë kjo krijimtari e mendjes dhe e shpirtit të vetë
popullit, historia e kultura e tij e lashtë.
Fjalori përbën një nga arritjet më madhore të gjuhësisë shqiptare; nga lënda
leksikore, frazeologjike e kuptimore që përmban, nga karakteri sistemor e normativ dhe
nga niveli shkencor i zgjidhjeve leksikografike në hullinë e gjuhësisë bashkëkohore, ai
shënon një hap të madh cilësor në zhvillimin e leksikografisë sonë të re. Duke u
mbështetur në një kartotekë të pasur të leksikut të shqipes, fjalori pati mundësi të zgjedhë
pjesën më të mirë të leksikut të shqipes, u dha vendin e merituar fjalëve e shprehjeve të
bukura popullore, hodhi në qarkullim mjaft fjalë e shprehje të panjohura ose pak të
njohura, dha në gjerësi strukturat kuptimore të fjalëve, duke u hapur rrugë leksikut e
frazeologjisë vetjake të shqipes. Fjalori iu përgjigj edhe veçorive të kristalizimit e të
zhvillimit të mëtejshëm të gjuhës sonë standarde në atë etapë, bëri shtresimin e leksikut e
të frazeologjisë sipas kërkesave të normës gjuhësore e të normës stilistike.
Mënyra e trajtimit të lëndës e bën fjalorin njëherazi informues e normativ.
Kodifikimi leksikografik normativ bëhet në të gjitha anët e gjuhës: në drejtshkrim e në
drejtshqiptim, në trajtat morfologjike e në lidhjet leksiko-sintaksore të fjalëve, në
kuptimet e në përdorimet e fjalëve etj. “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” nuk ka vetëm
vlerat e një kodi leksikografik; ai përbën një vepër me rrezatim të gjerë, që vihet në dorë
të të të gjithë atyre që e kanë arritur a që e kapërcejnë formimin arsimor e kulturor të
mesëm, që në veprimtarinë e tyre dëshirojnë të ngrenë kulturën gjuhësore. Me mënyrat e
veta fjalori i ndihmon edhe pastrimit të gjuhës sonë standarde nga fjalët e huaja të
panevojshme, duke këshilluar fjalën shqipe në vend të fjalës së huaj të panevojshme;
fjalori i ndihmon kështu kristalizimit të mëtejshëm të gjuhës sonë standarde kombëtare,
variantit më të përpunuar, si edhe pasurimit të ligjërimit të folur e të shkruar. Rritja e rolit
të gjuhës së përbashkët standarde në zhvillimin shoqëror e kulturor të popullit tonë nuk
mund të merret me mend pa shfrytëzimin e kësaj pasurie leksikore, frazeologjike e
semantike që përfshin ky fjalor. Fjalët e shprehjet më të mira, sidomos të burimit
popullor, fjalori jo vetëm i ruan e i kodifikon, por edhe i hedh në qarkullim për të rritur
fuqinë vepruese të gjuhës si mjet zhvillimi e përparimi dhe si tipar të njësisë kombëtare.
Fjalori krijoi një mbështetje të shëndoshë e hapi një rrugë më të gjerë edhe për
hartimin e fjalorëve të tjerë të tipave të ndryshëm njëgjuhësh ose dygjuhësh.
3. “Fjalor i shqipes së sotme”, u hartua i mbështetur kryesisht në “Fjalorin e
gjuhës së sotme shqipe” dhe u botua më 1984, me rreth 3400 fjalë, me autorë A.
Kostallari, J. Thomai, M. Samara, J. Kole, P. Daka, P. Haxhillazi, H. Shehu, K. Sima, Th.
Feka, B.Keta, A. Hidi. Ky fjalor përmban në trajtë të ngjeshur vlerat kryesore të FGjSSh,
por me trajtim leksikografik më sintetik e më përgjithësues. Ai u shërben shtresave më të
gjera shoqërore, mësuesve, studentëve, nxënësve, punonjësve të kulturës etj. Me struktura
kuptimore më të përmbledhura, me përkufizime kuptimesh më të thukëta, me disa
zgjidhje teknike leksikografike etj., ky fjalor arrin të ketë një vëllim më të vogël e
përdorim më praktik. Fjalori ndërkaq u ripunua dhe u ribotua më 2002, duke sjellë lëndë
të re leksikore, frazeologjike e kuptimore, duke rritur peshën specifike të fjalës shqipe,
duke ndrequr në disa raste fjalorin e mëparshëm në përkufizimet, në cilësimin stilistik të
fjalëve, në drejtshkrim, në përsosjen e normës leksikore, duke iu përgjigjur kështu
zhvillimit të gjuhës sonë në vitet e fundit.
3. “Fjalori i gjuhës shqipe”, i botuar më 2006, me rreth 48000 fjalë, hartuar nga
Jani Thomai, Miço Samara, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Thanas Feka, Valter Memisha,

38
Artan Goga. Fjalori ka një numër më të madh fjalësh se fjalorët e mëparshëm, por vëllimi
i tij fizik është zvogluar nëpërmjet trajtimesh leksikografike të një fjalori të vogël: sinteza
më të mëdha kuptimore që ngjeshin strukturat kuptimore të fjalëve, gërshetimi i tipit
leksemor me atë çerdhor në fjalë me prejardhje të drejtpërdrejtë fjalëformuese.
4. “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”, i botuar më 1999, me rreth 12000 njësi,
hartuar nga Jani Thomai. Frazeologjia është një nga pasuritë më të mëdha të gjuhës, me
një forcë të veçantë shprehëse-emocionuese. Të folurit e gjallë ose letërsia artistike nuk
mund të mendohen pa këtë lëndë. Prandaj atë e përfshijnë fjalorët shpjegues, dygjuhësh,
krahinorë etj. Por më gjerë dhe e trajtuar sipas specifikës së saj frazeologjia jepet në
fjalorët frazeologjikë të përgjithshëm. “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” zgjidh në
parim e në sistem çështjen e identitetit të njësisë frazeologjike gjuhësore, duke e dalluar
atë nga njësitë më të afërta, si sintagmat gramatikore (në qoftë se etj., me përjashtim të
etj.), nga sintagmat e figurshme (prapa krahëve, nën rrogoz etj.), nga shprehjet e
figurshme letrare, nga proverbat e fjalët e urta etj. Fjalori përcakton prerë kufijtë e njësisë
frazeologjike në shqipe, ku nis e ku mbaron si strukturë, e kjo lidhet me parafjalët a me
lidhëzat, me trajtat e shkurtra përemërore (me krahë hapur, si kofini pas së vjeli, i mbush
kokën etj.), me gjymtyrët e përhershme e të mundshme të njësive frazeologjike, me disa
kategori gramatikore, si shquarsia a numri për emrat, koha e foljes etj. (i jap udhë diçkaje
“e zgjidh diçka” dhe i jap udhët dikujt “e përzë dikë”). Fjalori jep në mënyrë sa më të
plotë, kuptimet e njësive frazeologjike, duke u mëshuar vlerave emocionuese-shprehëse.
Ilustrimi me shembuj plotëson ndonjë zbrazëti të shpjegimeve dhe jep përdorimin e gjallë
të njësive frazeologjike.
4. “Fjalor i antonimeve në gjuhën shqipe”, i botuar më 1999, me rreth 2000
çifte antonimesh, hartuar nga Miço Samara. Është i pari fjalor në tipin e vet në
leksikografinë shqipe. Fjalët antonime në këtë fjalor shihen si elemente të një
mikrosistemi të veçantë, i cili pasqyron specifikën e lidhjeve të fjalëve shqipe nga
pikëpamja semantike e strukturore. Pas shpjegimit të kuptimeve antonimike, në fjalor
jepen disa shembuj nga letërsia artistike ose nga publicistika e literatura shkencore. Si
pasqyrimi, ashtu edhe shpjegimi i fjalëve antonime në fjalor bëhet duke mbajtur parasysh
disa kritere, sipas të cilave, kur gjymtyra e çiftit antonimik formon një varg sinonimik me
disa fjalë, atëherë, krahas çiftit antonimik kryesor ose dominant (i pastër ↔ i ndyrë etj.),
jepen edhe çiftet e tjera me shkallë të ndryshme kundërvënieje (i pastër ↔ i fëlliqur, i
pastër ↔ i papastër etj.).
5. “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, i botuar më 2002, me rreth 30000 zëra),
hartuar nga Ali Dhrimo, Edmond Tupja, Eshref Ymeri. Ka një pasuri të madhe
sinonimesh, të grupuara nën fjalët qendrore, por pa ndarje kuptimore, pa shpjegime e pa
shembuj. Në të njëjtin paragraf fjalori përmban fjalë, njësi frazeologjike, togfjalësha e
mënyra të thëni me kuptim të njëjtë a të afërt, që u duhen veçanërisht shkrimtarëve,
përkthyesve e publicistëve për t’i dhënë bukuri e larmi ligjërimit të tyre. Fjalori është
ndërtuar sipas parimit të bashkësisë semantike të mjeteve leksikore e sintagmatike të
shprehjes, por ai nuk jep vlerat diferencuese të sinonimeve (nuancat kuptimore, ngjyrimet
emocionuese e stilistike, veçoritë e përdorimit ligjërimor etj.), për të cilat ka më shumë
nevojë çdo përdorues i fjalorit.
6. Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (2004), me rreth 29000 fjalë, hartuar nga J.
Thomai, M. Samara, H.Shehu, T. Feka. Përmban vetëm fjalë sinonimike, me ndarje
kuptimore, me shpjegime të ngjeshura e me shembuj nga letërsia artistike, nga

39
publicistika, nga ligjërimet e folura popullore etj. Ai bën shtresimin e sinonimeve sipas
përdorimit, sipas fushave e sipas vlerave të mbishtresuara, duke dhënë shpjegime e
shënime plotësuese që dallojnë njësitë normë nga fjalët krahinore të ngushta a të
vjetruara. Sinonimet grupohen te fjala kryesore në vargun sinonimik, kurse fjalët e tjera,
sipas rastit, referohen te kjo fjalë kryesore.
7. Arritje me vlerë ka qenë botimi i disa fjalorëve krahinorë, të cilët sjellin para
përdoruesve të tyre pasuri të çmuar leksikore, frazeologjike e semantike të shqipes.
Përmendim këtu Fjalorthin e ri (1942) të Pano Tases dhe Fjalorthin e ri (1942) Nikollë
Gazullit, që i kemi përmendur më parë, këtu mund të shtojmë: “Fjalor i ri dialektor i
kalabrisë” (1977), hartuar nga Gerhard Rohlfs; “Fjalorth i fjalëve të rralla” (1979),
hartuar nga Abdullah Zymberi; “Fjalor fjalësh e shprehjesh popullore” (1982), hartuar
nga Sulejman Drini, Ibrahim Goçi, Mehmet Halimi, Skënder Gashi;“Fjalë popullore nga
Myzeqeja” (1991), hartuar nga Jani Nushi; “Fjalor dialektor i të folmeve të Maqedonisë”
(1992), “Fjalor i shqipes truallsore të Maqedonisë” (1998) dhe “Fjalor i fjalëve të rralla
në viset shqiptare të Maqedonisë” (2003), të hartuar nga Qemal Murati; “Fjalor i të
folmes së Ulqinit” (1994), hartuar nga Kapllan Resuli; “Fjalor i të folmeve shqiptare në
Mal të Zi” (1996), hartuar nga Mehmet Ahmetaj; Fjalor me fjalë e shprehje të rralla”
(1999), hartuar nga Petrit Zeneli; “Emërtime për kafshë dhe shpendë në Labëri” (2001),
hartuar nga Valter Memisha; “Fjalorth i detarisë i së folmes së Ulqinit” (2003), hartuar
nga Hajro Ulqinaku; “Leksiku dialektor në regjionin e Prespës” (2003), hartuar nga Agim
Poloska etj.
8. Në fushën e etimologjisë: Studimet etimologjike në fushë të shqipes nga
Eqrem Çabej u sistemuan e u përmblodhën në një vepër me shtatë vëllime. Studimeve të
fushës së etimologjisë u shërbejnë edhe fjalorët historikë të autorëve, si “Leksiku historik
i gjuhës shqipe” (I-III, 1996-2000), me lëndën e veprave të autorëve tanë të vjetër,
hartuar nga Kolë Ashta; “Elemente leksikore të gjuhës shqipe në gjuhët sllave
ballkanike” (2001), hartuar nga Safet Hoxha etj.
9. Kemi dhe lloje të tjera fjalorësh, si: “Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe”
(1976), hartuar nga A. Kostallari, M. Domi, E. Lafe, N. Cikuli; “Fjalor fjalësh e
shprehjesh të huaja” (1986), hartuar nga Mikel Ndreca; “Fjalor i fjalëve dhe i shprehjeve
të huaja” (1988), hartuar nga Murat Bejta, Latif Mulaku, Mehdi Bardhi, Shefkije Islamaj,
Ibrahim Goçi, Qemal Murati etj.
10. Ka nisur puna për hartimin e fjalorit të madh shpjegues të gjuhës shqipe (njw
vwllim), me rreth 85000 fjalë. Ky fjalor, që do të jetë i pari në llojin e vet për gjuhën
shqipe, do të mbështetet drejtpërdrejt në kartotekën e leksikut të shqipe.
Fjalori i madh i gjuhës shqipe do të ketë dy funksione:
funksion normativ, sepse do të japë në mënyrë të plotë e sistemore normën
leksikore të gjuhës së sotme letrare shqipe;
funksion informues, sepse do të japë edhe fjalë që shmangen a që s’janë më
normë, që t’i shërbejë kështu njohjes së literaturës shqipe të të gjitha stileve.
Funksioni informues i tij do të jetë më i gjerë se në fjalorët e mëparshëm. Fjalori
do të japë një pasqyrë sa më të plotë të leksikut të përgjithshëm të shqipes së sotme, të
shtresuar sipas normës letrare e normës stilistike. Ai do t’u shërbejë rretheve të gjera të
lexuesve, si edhe do të këshillojë normat e përdorimit të fjalëve e të njësive frazeologjike.
Fjalët dhe frazeologjia do të motivohen mirë nga ana e normës letrare, nga përhapja e
denduria, nga fusha e përdorimit, nga gjallëria në ligjërim, nga ngjyrimi emocionues e

40
stilistik. Struktura kuptimore e fjalëve do të jetë sa më e gjerë. Në fjalor nuk do të jepet
vetëm leksiku si sistem, por do të jepen edhe gjithë ato njësi që zbulojnë lidhjet dhe
përdorimin e fjalëve në gjuhën e gjallë, në ligjërim. Në këtë fjalor do të mishërohet
qëndrimi i sotëm i shkencës leksikografike për strukturën kuptimore të fjalëve, për
sinonimet, për homonimet e për antonimet, për shtresimin stilistik e për frazeologjinë, për
neologjizmat e për fjalëformimin, për dialektizmat e për terminologjinë etj. Prandaj
fjalori do të ketë një zgjerim të brendshëm, në kuptimet e fjalëve, në thëniet e ilustrimet
etj. Ai do të bëjë përpjekje të mëtejshme për një vlerësim stilistik tërësor të leksikut e të
frazeologjisë së shqipes.

www.erletshaqe.com
http://al.linkedin.com/in/erletshaqe

41