Anda di halaman 1dari 5

Ruani Fëmijët nga Interneti

Pse duhet ti ruajmë fëmijët nga interneti?

Përgatiti: Mr. Sci. Driton Morina

E emërtuam këtë punim kësisoj duke pasur parasysh zhvillimin teknik dhe teknologjik të cilin
po e përjeton njerëzia. Teknologji kjo e cila në shumicën e rasteve po shfrytëzohet në dëm të
njerëzimit ani pse qëllimi i zbulimit të saj është që ti shërbej njerëzimit në formën më
adekuate. Sa i përket fëmijëve s'ka dyshim se ata janë stolia dhe dhuntia më e çmuar që
Allahu fuqiplotë i dhuroi njeriut në këtë botë. Mu për këtë Allahu xh.sh. në suren El Kehf
fëmijët i ka përshkruar si stoli dhe ka thënë:
"Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i
përjetshëm) janë shpërblimi dhe shpresa më e mirë tek Zoti yt".( El Kehf, 46)

Nga ky ajet nënkuptohet se fëmijët janë stoli e kësaj bote, mirëpo ata nuk janë stolia e vetme
e as e përjetshme e saj, sepse krahas fëmijëve, stoli tjetër është edhe pasuria dhe të mirat
tjera të kësaj bote. Por me të përfunduar kjo botë këto stoli nuk kanë fare dobi, ajo çfarë
vërtetë bënë dobi tek Allahu në botën tjetër është vepra e mirë e njeriut duke përfshirë këtu
edhe fëmijën e mirë e të edukuar drejt sipas mësimeve islame, i cili lutet për prindërit e vet.
Pikërisht në proporcion me thënien e Muhamedit a.s.:
"Kur të vdes njeriu ndërpritet puna e tij (nuk i arrijnë shpërblimet) vetëm se në tri raste: (në
rast se ka lënë pas vetës) sadaka të vazhdueshme, dituri që sjell dobi dhe fëmijë të mirë që
lutet për të" (Sunen Et Termidhi, Hadithi 1297).

Në anën tjetër, në suren Esh Shura Allahu fuqiplotë i ka përshkruar fëmijët si dhunti, duke
thënë: "...Ai i dhuron vetëm femra atij që do; e atij që do vetëm meshkuj, ose u falë çift,
meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril). Ai është i Gjithëdijshëm, i
Gjithëfuqishëm. (Esh Shura, 49-50).
Prandaj, pasi që e kuptuam se fëmijët janë stoli e kësaj bote si dhe dhunti nga ana e Allahut
fuqiplotë, duhet medoemos ta dimë se ne kemi përgjegjësi para Allahut për fëmijët tanë. Ata
pra janë amanet që Allahu na i ka besuar neve, dhe si të tillë ne duhet të kemi kujdes ndaj
tyre, ti edukojmë si duhet dhe ti mbrojmë nga çdo e keqe e rrezik që u kanoset. Allahu i
madhërishëm na ka ngarkuar me përgjegjësi të shumta, prej tyre edhe përgjegjësia ndaj
fëmijëve tanë. Pra mbrojtja e tyre nga të këqijat e kësaj bote por edhe të këqijat që rezultojnë
dënimin në botën tjetër. Allahu i madhërishëm thotë: "O ju që besuat, ruani veten dhe
familjen tuaj prej zjarrit (të Xhehenemit), lëndë djegëse të së cilit janë njerëzit dhe gurët". (Et
Tahrim, 6).

Çfarë është Interneti

Para se të shpjegojmë se pse duhet ruajtur fëmijët nga interneti, është e udhës të dimë se çka
është interneti. Fjala internet është një kombinim i dy fjalëve në gjuhën angleze; inter-(ndër)
që është shkurtim i fjalës "international" që do të thotë "ndërkombëtar" dhe "net" që do të
thotë "rrjet". Prandaj nëse fjalën internet e përkthejmë në gjuhën shqipe ajo do të vjen në
kuptimin "rrjet ndërkombëtar". Ky "rrjet ndërkombëtar" përmes linjës telefonike mundëson që
të shkëmbehen informata të ndryshme nga një kompjuter në tjetrin vetëm brenda disa
sekondave, nga një skaj në skajin tjetër të botës madje duke ndërlidhur miliona njerëz. Andaj
me të drejtë kompjuteri, i cili mundëson shkëmbimin e këtyre informatave, mund të quhet kuti
e shpejtë postare ose kuti speciale postare. (Mexhdi Abduselam, El Internet (Interneti), Kajro,
2001). S'ka dyshim se ideja e internetit është e vjetër, sidoqoftë zbatimi i parë në praktikë i
komunikimit përmes internetit u realizua aty kah vitet e gjashtëdhjeta ku komunikimi përmes
internetit bëhej vetëm për qëllime ushtarake. Megjithatë, në vitet e 75-ta u realizua një rrjet
tjetër për këmbimin e informacioneve në mes të universiteteve, shkencëtarëve dhe
studiuesve, derisa me në fund në vitin 1994 u themelua rrjeti "Web"– (Pëlhurë apo rrjetë
merimange), ku iu mundësua secilit të këtë qasje në të dhe u bë i njohur për të gjithë si
Internet. ( op. i cit, fq 9).

Pse duhet ti ruajmë fëmijët nga interneti

Siç u kuptua nga jo që u tha më lartë interneti është një kuti informacionesh që mund të
shkëmbehen në mbarë botën vetëm brenda disa sekondash. Me fjalë të tjera ai është një
"qytet i hapur" që në vete përmban informacione, njohuri, pamje apo fotografi nga të gjitha
llojet dhe për të gjithë "vizituesit" e tij, pa dallim moshe, gjinie apo niveli të shkollimit.
Prandaj, krahas qindra mijëra faqeve dhe kanaleve të dobishme që përmban interneti, ai
gjithashtu përmban qindra e mijëra faqe dhe kanale jo vetëm të dëmshme por edhe të
rrezikshme për shfrytëzuesit e internetit. (op. i cit. fq 46).

Andaj, meqë fëmijët janë shtresa më e ndjeshme e shoqërisë, të cilët për shkak të moshës së
tyre akoma nuk janë në gjendje të komandojnë vetveten; ata më së lehti mund të bien
viktimë e internetit, meshkuj apo femra qofshin. Prej rreziqeve më të mëdha që përmban
interneti për fëmijët është pa dyshim mundësia e të shikuarit të pamjeve të ndyra e jo të
moralshme, apo ajo që në fjalorin e shkencës njihet si pornografi.

Kështu pra, psikologët bëjnë të ditur se fëmijët prej 3-5 vjeç duhet që vetëm 1-2 orë në ditë
të kenë mundësi ta shohin televizionin, kurse sa i përket internetit ata preferojnë që fëmijët e
kësaj moshe nuk duhet të kenë qasje fare në internet. Sa u përket fëmijëve parashkollor dhe
atyre të shkollës fillore, nga mosha 6-10, shkencëtarët mendojnë se ata mund të kenë qasje
në internet në shkollë apo në shtëpi, por vetëm nën mbikëqyrjen e prindit, mësuesit apo
kujdestarit. (Cheryl Johnson-James, "Children, Internet & Pornography"- Documentary
Presentation by Kids Safety of America. VCD International Islamic University). Sidoqoftë, këto
janë vetëm supozimet e tyre ndërsa realiteti është pothuajse krejtësisht ndryshe. Sa për
ilustrim po përmendim Dr. Steve Ambrose nga Instituti Ndërkombëtar i Fëmijëve në Los
Anxhelos, i cili pohon se interneti është një burim i ri i pornografisë. Ai gjithashtu shton se
teknologjitë e reja si: interneti, CD-të, DVD-të dhe Prezantimi përmes Videove ndihmojnë
fëmijët për të rënë viktimë e pornografisë apo "Mashtruesve të Fëmijëve". (Steve Ambrose
"Children, Internet & Pornography"- Child Porn, Molester and the Internet. Documentary
Presentation by Kids Safety of America. VCD International Islamic University).

Për shkak se kompjuteri tani konsiderohet si mjet i domosdoshëm bashkëkohor, shumë prindër
mendojnë se ai u ndihmon shumë fëmijëve të tyre për ti bërë detyrat e shtëpisë, madje
shumë prej tyre kyçin edhe internetin duke menduar se ky është edhe një ndihmës më shumë
për fëmijët e tyre. Megjithatë, Dr. Steve pohon se fatkeqësisht 75% e fëmijëve futen në
internet pa mbikëqyrjen e prindërve të tyre. Kështu kjo rezulton se mbi 75% e fëmijëve të
moshës 8-15 vjeç kanë pasur rast të shohin pamje të shëmtuara pornografike së paku pa
qëllim. Shikimi i pamjeve të tilla në shumicën e rasteve bëhet nga ana e meshkujve, të cilët
për shkak të asaj që shohin bëhen shumë agresiv, janë të prirë ta përdorin dhunën për më të
voglën arsye, por edhe të mundohen ti dhunojnë bashkëmoshataret e tyre, ngase në sytë e
këtij lloji të fëmijëve femra nuk ka fare vlerë. (The Adolescent and Teen Years, Part I).

Gjithashtu psikologja e njohur shkollore, Denise Zuckerman, deklaron se gjithçka varet nga
ajo se çfarë kanë shikuar fëmijët, nëse kanë shikuar dhunë ata mundohen ta shprehin atë në
forma të ndryshme duke e praktikuar atë ndaj moshatarëve të vet. Ndërsa nëse kanë shikuar
pamje të turpshme seksuale, ata mundohen që atë ta praktikojnë ndaj moshatareve të tyre.
As fëmijët parashkollor nuk janë në ndonjë gjendje më të mirë. Cheryl Johnson-Jones,
edukatore e fëmijëve parashkollor, potencon se fëmijët e moshës 4-7 vjeçare, të cilët kanë
pasur rast të shohin skena pornografike kanë shumë vështirësi të përqendrohen në mësime.
Madje ata për fat të keq shpesh shprehin me gjeste atë që e kanë parë dhe mundohen ta
praktikojnë me njeri tjetrin, gjini të kundërta, edhe pse janë mjaft të mitur për të kuptuar se
çka do të thotë në të vërtetë një veprim i atillë. (Burimi i sipërcituar, pjesa I-rë dhe II-të.)

Kjo sa i përket meshkujve, ndërsa një dukuri që duket më e theksuar tek femrat është
abuzimi seksual që shpije deri të prostitucioni i organizuar. Abuzimet në vendet e
industrializuara herë-herë mund të ndodhin edhe nga vet prindërit, por në shumicën e rasteve
ato bëhen nga të ashtuquajturit "(Molesters) Mashtrues të Fëmijëve". Shkaktari kryesor i
abuzimit të fëmijëve në shumicën e rasteve besohet të jetë interneti. Për shkak të rritjes së
abuzimit seksual të fëmijëve në vitet e 90-ta, SHBA-të ishin të detyruara të vendosin ligje mbi
mbrojtjen e fëmijëve. Ligje të ngjashme u vendosën edhe në mbarë Evropën, por madje edhe
në Japoni e vende tjera. (John Philip Jenkins, "Child Abuse", Encyclopædia Britannica.
http://search.eb.com/eb/article-225576). Abuzimi i fëmijëve, veçanërisht vajzave, ndodhë për
shkak të kontaktimit me persona të panjohur përmes internetit. Psikologja e sipërpërmendur
Zuckerman sqaron se të miturat kanë shumë dëshirë të kontaktojnë me sa më shumë njerëz
përmes internetit në mënyrë që të bëjnë sa më shumë shokë, po me qenë se ato shpesh bien
në kontakt me mashtrues të fëmijëve, ato behën viktimë. (Denise Zuckerman, Child Porn,
Molseters and the Internet. Documentary Presentation. VCD International Islamic University).

Nga ana tjetër, togeri Thomas Sirkel, Shef i Byrosë për Krime Familjare në Kaliforni bënë të
ditur se shpesh ndodhë që një vajzë 13 vjeçare të këtë në kontakt (online) deri në 8 persona
për një minutë. Mashtruesit e fëmijëve së pari dëshirojnë ta njohin fëmijën përmes internetit,
ta din se si mendon ajo, e pastaj depërtojnë në sekretet e saj derisa të marrin takim me të
jashtë shtëpisë. Shumica e fëmijëve nuk u tregojnë prindërve të tyre, prandaj mu për këtë
abuzimi i fëmijëve është problemi numër një në shoqërinë dhe kulturën tonë, përfundon
Sirkel. (LT. Thomas Sirkel, Child Porn , Molseters and the Internet, Part III).

Një dukuri tjetër, që prek të dy gjinitë njësoj dhe vjen si pasoj e internetit është edhe
nervozizmi dhe stresi i tepruar për shkak të lojërave kompjuterike të pakontrolluara dhe të
dhunshme. S'ka dyshim se në internet ka lojëra të dobishme të cilat zhvillojnë inteligjencën e
fëmijës nëse ato shfrytëzohen me rregull dhe orar të caktuar. Mirëpo, nëse fëmija lihet pa
kontroll në lojërat kompjuterike pa dyshim se ai do të humb inteligjencën e tij dhe do të fitoj
agresivitet. Prodhuesit e lojërave, e veçanërisht pronarët e internet kafeve, e konsiderojnë të
lejueshme çdo lloj metode vetëm që t'i tërheqin fëmijët drejt ekranit. Ka skena të ndryshme të
dhunës që nuk i përshtaten moshës së fëmijëve e as vetëdijes së tyre. Fëmijët që shohin
skena të ndryshme të dhunës në përgjithësi janë të egër dhe me temperament të shpejtë
duke e konsideruar dhunën si diçka të zakonshme. Reaksionet e këtyre fëmijëve shihen shumë
shpesh ngase ata tentojnë t'i godasin dhe shkelmojnë të tjerët qoftë edhe pas një
mosmarrëveshje të lehtë. (Children and Violent Computer Games "The Fountain Magazine" –
nr. 48, 2004, NY USA. F. 14).

Të prekur nga skena të dhunshme shkatërruese, tek ta shfaqen probleme te shumta, si


shqetësimi i tepruar, trazime gjatë gjumit dhe çrregullime të sjelljeve. Sa i përket fëmijëve
parashkollor ata madje mund të pësojnë edhe më shenja parregullsie mentale. Ja disa raste
që na shërbejnë si shembull: "në Amerikë një fëmijë tre vjeçar i cili shikonte filma të
dhunshëm, zbatoi atë që kishte parë në TV duke shpuar dhe therur vëllanë e tij me thikë. Një
fëmijë tjetër i cili mendoi të bëhej pokemon (një personazh i filmave vizatimor), u hodh nga
kati i shtatë duke dashur të fluturoj. Një fëmijë tjetër në Francë duke mos fituar asnjë lojë
kompjuterike u bë epileptik për shkak të momenteve të shpeshta të zemërimit si pasojë e
lojërave të pa suksesshme. (op. i cit).

Çfarë është më e keqja, lojëra të këtilla kanë efektin e vet negativ në vet personalitetin e
fëmijës, madje ato janë të programuara për të mbjellë urrejtje të caktuar ndaj një grupi
njerëzish. Andaj, meqë jetojmë në një kohë kur në botë po mbisundon mentaliteti se "i forti ka
të drejtë-me vend", në shumicën e këtyre lojërave Islami paraqitet si "lugat" dhe muslimanët
si terroristë që meritojnë të vriten. (op. i cit). Andaj kujdes të nderuar musliman që bijtë dhe
bijat tona mos të kthehen një ditë madje edhe kundër vetë nesh, duke na akuzuar me atë
çfarë shohin e dëgjojnë në ekranin e tyre të dirigjuar vetëm nga një skaj i botës që beson se
"forca ka të drejtë".
Një rrezik tjetër që vjen nga interneti dhe synon po ashtu të dy gjinitë është kidnapimi. Kjo
ndodhë për shkak së fëmija nga mosdija ndodhë që personit me të cilin komunikon, pa e
njohur fare, ti japë adresën e shtëpisë, shkollës apo nr e telefonit. Nganjëherë fëmija ndodhë
që ti jap edhe numrin e kartës së xhirollogarisë së prindit, gjë që mund të shpie edhe deri të
kidnapimi i prindit, nënës në veçanti. (LT. Thomas Sirkel, Child Porn, op. i cit). Gjithashtu, futja
në kanalet apo faqet e internetit që mësojnë për gjera jo të ligjshme si: mënyra e ndërtimit të
bombave të dorës, eksplozivit, mënyra e fshehjes së krimit të kryer, e deri të kanibalizmi, janë
rreziqe shumë të mëdha që u kanosen fëmijëve të cilësdo gjini. (Mexhdi Abduselam, El
Internet, op. i cit. f. 49).

Pra, nëse kjo është gjendja e fëmijëve të këtyre vendeve që janë më të zhvilluara dhe fëmijët
e tyre janë sigurisht me një vetëdije më të lartë se tanët, atëherë a thua vallë çfarë mund të
jetë gjendja me fëmijët tanë që kalojnë orë të tëra në internet-kafe pa mbikëqyrjen e askujt.
Andaj, për ti shpëtuar bijtë dhe bijat tona nga kjo kuti famëkeqe, duhet medoemos ta
zbatojmë fjalën e Allahut: "O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej zjarrit (të
Xhehenemit), lëndë djegëse të së cilit janë njerëzit dhe gurët". (Et Tahrim, 6).

Përfundim
Për ti ruajtur fëmijët nga interneti shkencëtarët sugjerojnë shumë gjëra, disa prej tyre po i
cekim në vijim:

Vendosja e kompjuterit në dhomën e ndejës ashtu që të mbikëqyret fëmija se çfarë shfleton


në internet.

Të mbikëqyret vet interneti duke bllokuar faqe dhe kanale të caktuara, të cilat konsiderohen si
të dëmshme.

Të bisedohet me fëmijën derisa të vetëdijesohet për rrezikun e internetit ashtu që mos ti japë
askujt informacione të rëndësishme të tij apo familjes së tij.

Sido që të jetë, disa vende të përparuara në aspektin teknologjik arrijnë të themelojnë


programe që ti mbyllin me qindra faqe të dëmshme, ndërsa disa vende muslimane si Arabia
Saudite, Siria apo Malajzia ua kushtëzojnë paraprakisht kompanive të internetit që ato mos të
lejojnë faqe dhe kanale të caktuara, nëse duan që të fitojnë tenderin për të operuar në këto
vende muslimane.

Dhashtë Allahu i madhërishëm që edhe vendi ynë të arrijë ta aplikoj njërën prej këtyre dy
metodave ashtu që fëmijët tanë të jenë të mbrojtur nga të këqijat në këtë botë dhe të
shpëtuar në botën tjetër.

Anda mungkin juga menyukai